Bregu: Opozita të miratojë tre ligjet e kërkuara nga Brukseli!

661
Sigal

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu ka raportuar dje në Komisionin Parlamentar të Integrimit në lidhje me progres raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë. Në fjalën e saj, ministrja Bregu ka kërkuar bashkëpunimin e opozitës për përmbushjen e detyrimeve të kërkuara nga Brukseli deri më datën 20 nëntor.  Sipas saj zgjedhjet e 2013-ës janë një parakusht për hapjen e negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë. “Punuam që Plani i Veprimit të kishte opinione të përbashkëta. Propozimi për statusin e BE-së bazohet në meritë. Statusin nuk e merituam dy vite më parë se politika dëmtoi procesin. Plani i veprimit për integrimin do të vijojë të monitorohet prandaj dhe kërkoj nga ju zbatimin e detyrimeve të Planit të Veprimit. Opozita duhet të miratojë ligjin për Gjykatën e Lartë, për nëpunësin Civil dhe reformën parlamentare. Nëse nuk miratohen ligjet nuk ka shanse që në dhjetor këshilli i BE-së të miratojë statusin. Zgjedhjet e 2013-ës janë parakusht për të testuar besueshmërinë e palëve politike. Shqipëria duhet të kthejë besimin tek zgjedhjet parlamentare” tha Bregu.  Ndërkohë i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit të PS-së Gramoz Ruçi ka theksuar se kontributi i opozitës në procesin e integrimit është i vyer. “Ju jeni komisare shumë e mire dhe një partiake e thekur. Nuk integrohesh duke e parë të keqen e vendit tek opozita. Mos i lexoni si numra votat tona pasi kontributi ynë është i vyer” iu drejtuar Ruçi ministres Bregu.