Braktiset nga shteti, ekzekutohet gjyqtarja

785
Vrasja e paralajmëruar, ekzekutohet gjyqtarja, nënë e dy fëmijëve
Fildes Hafizi u vra në Tiranë nga ish-bashkëshorti. Ngjarja, pas konflikteve të shumta. Si u arrestua dhe u lirua nga burgu Fadil Kasemi
Një ngjarje e rëndë tronditi dje Tiranën dhe mbarë opinionin publik. Një gjyqtare, një grua, një nënë, u ekzekutua në mesditë nga ish-bashkëshorti i saj. Në prani të shumë qytetarëve, krimi makabër rrëmbeu vëmendjen e opinionit publik. Fildes Hafizi, gjyqtare e Gjykatës së Shkodrës dhe nënë e dy fëmijëve, u ekzekutua dje në Tiranë teksa po udhëtonte me makinën e saj, ndërsa policia njoftoi se kishte arrestuar ish-bashkëshortin si autor të dyshuar të krimit. Sipas njoftimit të shpërndarë nga policia e Tiranës, Fadil Kasemi, 53 vjeç, u arrestua në kushtet e flagrancës, pasi kishte qëlluar për vdekje ish-bashkëshorten 39-vjeçare. “Është sekuestruar arma e krimit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e motiveve të ngjarjes”, thuhet në njoftimin fillestar të Policisë së Tiranës. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Xhamllëkut në Tiranë, ku dëshmitarët kanë parë fillimisht një debat të ndezur mes viktimës dhe autorit të krimit. Më pas janë dëgjuar edhe të shtënat që i kanë marrë jetën gjyqtares së Shkodrës. 

Të dhënat e siguruara tregojnë se sulmi me armë që i shkaktoi vdekjen gjyqtares nuk është konflikti i vetëm i saj me ish-bashkëshortin. Në korrik 2015, Fadil Kasemi u arrestua nga policia, pasi kishte kërcënuar ish-bashkëshorten në plazhin e Golemit dhe pas ndalimit, policia i sekuestroi atij një pistoletë. Pas më tepër se 1 viti në qeli, mësohet se Kasemi ka fituar lirinë, pas amnistisë së miratuar nga Kuvendi. 

I ndaluar menjëherë nga forcat e policisë, Fadil Kasemi ka dhënë dëshminë e tij të parë në polici në lidhje me vrasjen e ish-gruas Fildes Hafizi, gjyqtare në Shkodër. Ai ka thënë në polici se është penduar për vrasjen e ish-gruas, por ka shtuar se gjithçka ka ndodhur në kushtet e tronditjes psikologjike. Burri ka thënë se ka pasur një debat me gruan ditën e djeshme para se ta qëllonte me armë për çështjen e fëmijëve. Mësohet se autori ka thënë në polici se ish-gruaja nuk e lejonte të takohej me dy fëmijët pas divorcit. Po ashtu edhe pas arrestimit të tij në 2015, pasi kërcënoi gruan me armë në plazh, Fadil Kasemi ka thënë se gruaja nuk i lejoi fëmijët të shkonin ta takonin në burg. Nga ana e saj, Hafizi atëherë ka deklaruar se ish-burri e kishte kërcënuar edhe më parë me pistoletë, duke i shkuar në shtëpi. Hafizi ka deklaruar po ashtu, se i shoqi pinte dhe luante bixhoz dhe për këtë arsye kishte vendosur të divorcohej me të, duke fituar vetë kujdestarinë e fëmijëve.

Dënimi dhe lirimi
Fadil Kasemi, i cili mesditën e djeshme ekzekutoi ish-bashkëshorten e tij, gjyqtare në Gjykatën e Shkodrës, u lirua nga burgu në janar të 2017. Ai është një nga 670 të dënuarit, të cilët përfituan lirinë nga amnistia e miratuar nga Parlamenti, e firmosur nga presidenti Nishani në dhjetor të 2016. Urdhri i lirimit për Kasemin mban datën 14 janar 2017. Në momentin kur u miratua amnistia, Kasemit i kishin mbetur për të vuajtur dhe 11 muaj e 8 ditë burg. Gjykata e Kavajës e dënoi Fadil Kasemin me 3 vjet burg. Vendimi i firmosur nga gjyqtari Luan Lusha u shpall më 28 prill 2016. Gjykata e deklaroi fajtor Fadil Kasemin për kryerjen e veprës penale “dhunë në familje” me 1 vit e 6 muaj burg dhe për akuzën “armëmbajtje pa leje” e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 3 vjet burg. “Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal në bashkim të dy dënimeve në një dënim të vetëm e dënon të pandehurin me 4 vjet e 6 muaj burgim. Në aplikimin e nenit 406 të Kodit të Procedurës penale e dënonte përfundimisht të pandehurin me 3 vjet burg”, thuhet në vendim. Vuajtja e dënimit niste nga data 19 korrik 2015 dhe do të kryhej në një burg të sigurisë së zakonshme. Mesditën e djeshme Fadil Kasemi qëlloi për vdekje ish-bashkëshorten e tij, e cila po hipte në makinën e parkuar pranë pallatit ku jetonte. Policia arrestoi autorin dhe sekuestroi armën e krimit.
Ministria e Drejtësisë: Urgjent përgjegjësitë për mosveprim
Ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi, ka reaguar pas ekzekutimit të gjyqtares së Shkodrës nga ish-bashkëshorti i saj, ndërkohë që kishte edhe një urdhër mbrojtjeje. Ministria e Drejtësisë shprehu tronditjen e thellë nga lajmi i trishtë i vrasjes se Gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Ministri i Drejtësisë i shprehu ngushëllimet e sinqerta familjes së gjyqtares së ndjerë dhe kërkon me forcë dënimin maksimal ndaj autorit të kësaj ngjarje të rëndë kriminale. “Vrasja e një nëne nga ish-bashkëshorti i saj, është kambanë alarmi për shoqërinë shqiptare. Mbrojtja e saj ka qenë detyrim për autoritetet përgjegjëse, të cilat sot duhet të nxjerrin me urgjencë përgjegjësitë e tyre dhe mbajnë përgjegjësinë për mosveprim. Humbja e një gjyqtareje profesioniste, është humbje për sistemin e drejtësisë‎. Shprehim edhe njëherë ngushëllimet tona për familjen dhe Zoti qoftë me ta në këto momente të vështira”, shprehet ministri i Drejtësisë.
Reagimet 
Lulzim Basha (PD): “Jam thellësisht i tronditur nga vrasja e ftohtë kriminale e një gruaje, një nëne, një gjyqtareje. Shteti dhe të gjithë ne e braktisëm Fildezen në fatin e saj tragjik. Ajo u lut e tmerruar për ndihmë dhe shpresoi, por u shpërfill nga një shtet dhe shoqëri e cila ka humbur forcën për të reaguar ndaj krimit dhe të keqes. Jeta e humbur e Fildeze Hafizit është një tragjedi që nuk duhej të kishte ndodhur, por edhe një shuplakë zgjimi për të gjithë, për të reaguar kundër krimit. Në një shtet që amniston kriminelët dhe nuk mbron as njerëzit e drejtësisë, jeta e çdokujt është e pambrojtur. Ne duhet të gjejmë forcën që të paktën fëmijët e Fildezes dhe të gjithë shqiptarëve të kenë një jetë më të sigurt”.

Monika Kryemadhi (LSI): “Vrasja e paralajmëruar e një nëne, gruaje për më tepër gjyqtare është akti më i rëndë dhe katastrofik që mund t’i ndodhë një vendi që pretendon të jetë anëtar i BE. Me revoltën e një nëne, me forcën e një gruaje që ka përballuar shumë vështirësi në jetë dhe me kurajon e përfaqësimit të një force politike si LSI, sot ngre zërin tim fuqishëm kundër këtij sistemi që ende dhunon gratë e pafajshme. Të gjithë ne mbajmë përgjegjësitë tona për këtë situatë të rëndë, por më shumë duhet të ndihen përgjegjës ata që e lanë nënën e dy fëmijëve në dorën e një vrasësi që disa herë e kishte paralajmëruar aktin e tij të burracakërisë. Policia, gjykata, shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të grave, politika dhe e gjithë shoqëria shqiptare duhet të reagojë me forcë dhe efikasitet. Qaravitjet në rrjetet sociale apo emisione televizive nuk mund ta zgjidhin kurrë këtë situatë të rënduar të krimit në familje. Duhet që çdo gjë të nisë nga vetë ne”.

Mesila Doda (PDIU): “Ne jemi shoqëri që alarmohemi, ne nuk tronditemi… ne nuk kemi aftësinë të kthejmë në force dhe mbrojtje, mësimin qe del nga barbaria e rrugës. Vrasja e Fildez Hafizit është kronike e një vrasjeje të paralajmëruar. Nesër, pasnesër e kanë radhën te tjera gra, q7 me siguri kan7 denoncuar, kan7 tentuar t7 shp7tojn7, por shoq7ria jon7 ka humbur çdo shqis7 reagimi e mbrojtje… ndaj nuk do mbroj7 gruan, por do sillet si e çuditur dhe e alarmuar para vrasjes. Me dhjet7ra ligje, k7rkesa prokuror7ve, interpelanca, alarme e thirrje publike jan7 l7shuar, por rezultati p7rs7ri 7sht7 negativ. Kjo e jona me sa duket është një shoqëri e shurdhër e që ka mbyllur mendjen e zemrën për paqen, solidaritetin e drejtësinë”.

Mimoza Hafizi (LIBRA): “Fildes Hafizin e vranë pabesisht. Ishte vajzë e rrallë. E donte shumë jetën, adhuronte fëmijët e prindërit, admironte profesionin, respektonte dijen, i përkushtohej karrierës, përbuzte injorancën, përçmonte apatinë, sfidonte stërmundimin. U diplomua juriste, magjistrate, gjykatëse duke rritur dy fëmijë. E thuri me mund ëndrrën e vet. Që sot ia prenë egërsisht. Jam shumë larg e s’mund të shkoj t’i hedh një grusht dhé lamtumire. Me dhimbjen për vitet e pajetuara, me brengën e një vdekjeje që nuk e shmangëm dot, me jehonën e klithmave të saj për ndihmë, me revoltën ndaj sistemit që kemi ngritur. Por e di se buzëqeshja e saj e bukur do çajë murin e zi të vdekjes për t’iu bërë dritë dy prindërve të mjerë e dy fëmijëve të dashur. Se iu duhet, që t’ia shohin kuptimin jetës edhe pa sytë e Desit”.

Majlinda Bregu (PD): “Ka dalë nga burgu me amnisti në 2016?! Është dënuar për dhunë në familje, ka tentuar ta vrasë në 2015 dhe lirohet në 2016 për ta vrarë nënën e tre fëmijëve në 2017?! Fillojeni Vetingun nga vendimet për krimin në familje! Urdhra mbrojtjeje të mohuara, të dhëna e të pa ekzekutuara, tentativa vrasjesh të amnistuara! Prokurorë pijanecë, gjyqtarë druvarë, ekspertë mashtrues! Bëni publik emrin e nisni hetimin për prokurorin që kanosjen me armë të atij që vrau nënën e fëmijëve sot e pa si armëmbajtje pa leje! Fillojeni Vetingun këtu! Për krimin më makabër që po shfaros gra e nëna përditë! Lëviz Etilda! Kërko të të japin llogari qysh ditën e parë, pa u zbardhur mirë dita, të gjithë gjykatat e drejtoritë e burgjeve për urdhrat e mbrojtjes, lirimet me kusht, kohën e apelimit, ekspertët pranë gjykatave!”.
Letra për ndihmë te Donald Lu
Gjyqtarja Fildes Hafizi, e ekzekutuar dje me dy plumba nga ish-bashkëshorti i saj, Fadil Kasemi, i ka dërguar një vit më parë një letër ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu, ku i kërkonte ndihmë. Referuar letrës së siguruar ekskluzivisht nga “Balkan7eb”, Hafizi shkruan ndër të tjera se ndihet e braktisur nga shteti përballë kërcënimeve të ish-burrit, ndaj i drejtohet Donald Lu-së. “Nuk kam më se kujt t’i drejtohem. Ju siguroj që shqetësimin tim e kam ndarë me krerët më të lartë të sistemit të drejtësisë, sigurisht duke u kujdesur gjithmonë që të mos influencoj në dhënien e drejtësisë, por mesa duket veshët janë të shurdhër. Për të ndarë këtë shqetësim timin do ju isha mirënjohëse, nëse do më kushtonit disa minuta nga koha juaj”, thuhet në letrën që që gjyqtarja Hafizi i ka dërguar ambasadorit Lu.
BE: Të tmerruar! Mbrojtja, detyrë e shtetit 
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka reaguar për ngjarjen e rëndë të vrasjes së një gjyqtareje në Tiranë. “Të tmerruar! Një tjetër viktimë e dhunës në familje në Shqipëri. Mbrojtja e grave nga dhuna e kërcënimi është qartësisht detyrë e shtetit. Kërkohet një përgjigje e koordinuar nga institucionet. Gratë nuk duhet të kenë frikë të jetojnë jetën që duan”, theksohet në deklaratën e misionit të Brukselit në Tiranë.
Majlinda Keta: Mike, ta vranë të drejtën për të jetuar
Pedagogia dhe intelektualja Majlinda Keta ka shkruar disa rrjeta lidhur me përjetimin që ka ndjerë kur mori lajmin e vrasjes se gjyqtares Fildes Hafizi. Majlinda Keta kujton takimin me gjyqtaren më 1 qershor.
“Edhe një grua e vrarë…..39 vjeç, nënë e 2 fëmijëve të mrekullueshëm. Edhe kjo me urdhra mbrojtje….. urdhra nga gjykata, institucioni prej ku jepte drejtësi për ne, gratë, përfshirë dhe Fildes gjykatësen. Po kush e vlerësoi, kush e konsideroi, kush e zbatoi??? Askush. Përkundrazi, një burrë edhe e ‘rivlerësoi’, e amnistoi dhunuesin tënd në vijueshmëri, bile edhe të fëmijëve të tij, ndërsa të dhunonte ty publikisht mikja ime. Amnistia e një dhunuesi….. na dhunoi te gjithave serish. Fildes nuk e besoj dot se ike, të vranë! !!Luftove për dinjitetin tënd femëror, luftove si profesioniste, luftove për familjen tënde……po nuk ja dole dot Fildes. 
Jam e tronditur dhe ende nuk e besoj dot se humba një mike, një grua luftëtare me fatin dhe këtë shoqëri ende në primitivizëm. 1 qershori ishte dita e fundit që të takova….ishe me 2 yjet e tua, atje në TEG. Më listove gjithë gjërat e bukura që po të ndodhnin me fëmijët e tu, karrierën tënde……folëm për reformën që pritej në drejtësi….kishe plane, shihje qartë të ardhmen tënde dhe të fëmijëve, besoje se do ja dilje jetës bashkë me dy fëmijët e tu të shkëlqyer……anashkaluam me delikatesë edhe historinë e keqe që të njihja….. këtë që të mori jetën. Të urova për shumë të mira….prisja lajme të bukura nga ty luftëtare e paepur për femrën dinjitoze në familje e drejtësi. Dezi bukuroshja…..ta vranë të drejtën për të jetuar, ndonëse ti luftove të ofroje drejtësi për shumë të drejta të bashkatdhetarëve të tu. Më trondite mikja ime, na trondite të gjithave që të njihnim qysh nga arsimi”.
Postimi prekës për fëmijët
Fëmijët ishin ngushëllimi dhe motivi i jetës për gjyqtaren shkodrane pas problemeve të shumta me bashkëshortin. Në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale nga gjyqtarja shkruhet, se fëmijët janë kapitulli më i bukur i jetës së saj. “Fëmijët e mi janë dhe do të mbeten kapitulli më i bukur në librin e jetës sime”, shkruhet në postim.
Sigal