Sigal

Intervista e Deputetit të LSI-së, Endrit Braimllari për televizionin ABC NEWS

Së pari dua një koment si i  gjykon LSI lëvizjet e kabinetit të qeverisë?

E para është keqardhje për këtë kryeministër që drejton këtë  kabinet. Duket qartazi që është në presion, duket qartazi që lëvizjet e ministrave janë bërë thjesht që të mbrojnë kokën e  Edi Ramës. Sepse është ai  përgjegjësi kryesor që drejton qeverinë dhe për gjithë këto të këqija që po kalon vendi. Të cilat opozita i ka bërë publike prej kohësh. Sot kemi një kabinet më të rrënuar se kurrë, pra ka rënë qeveria. Sepse sot shqiptarët prisnin një reflektim nga ana e Edi Ramës. Në mos largimin e Edi Ramës si kryeministër, prisnin që Edi Rama të përgatiste një kabinet i cili me vërtet  do ti përgjigjet nesër halleve dhe problemeve që kanë qytetarët e vendit. Pra një kabinet me emra të fortë të cilët i japin zgjidhje problemeve që kanë shqiptarët. Dhe ne këtë e kemi thënë që brenda PS gjen elementë të mirë të cilët mund të kontribuonin në qeverisjen e vendit. Ashtu siç kanë kontribuar vite më parë. Por Edi Rama zgjodhi që të ketë një qeveri inekzistente për një arsye madhore që ky ta drejtojë plotësisht sipas interesave të veta të tij dhe një qeveri  e cila është e kapur nga krimi i organizuar dhe nga oligarkët.

Nuk mund te themi në këtë moment që Rama zgjodhi të fus gjak të ri në qeverisjen e vendit dhe një staf le të themi qeverisës pak më teknik sesa politik?

Politikisht qeveria ka nevojë për gjak të ri kur mendojmë se situata mund të jetë pozitive, kur qeveria ka kaluar disa reforma pra është në rrugën e duhur, kur sipas sondazheve del mirë, shoqëria nuk ka pakënaqësi, pra të kemi të bëjmë me një qeveri të mirë e cila të sjellë elementë të rinj për të rinovuar kabinetin. Por nuk kemi element të ri. Për shembull sot nuk njeh asnjë se kush është Ministri i Punëve të Jashtme. Ka të bëjë me ministrin e Jashtëm të vendit. Me një vend i cili aspiron të jetë nesër në  BE. Një vend ku Shqipëria duhet të luajë medoemos dhe duhet të marrë një rol stabiliteti për rajonin. Në një vend ku Shqipëria shpeshherë ka pasur dhe kundërvënie përsa i përket dhe fqinjëve. Pra kemi të bëjmë me një Ministër të Jashtëm që sot po lexoj që Kancelaritë e huaja po kërkojnë  CV  dhe nuk kanë ku e gjejnë se çfarë përmban ky ministër. Pra është një tallje që Edi Rama u bën shqiptarëve. E bën për një arsye për të shkëputur vëmendjen nga Edi Rama. Sepse sot të gjithë do merren me këto ministra. Sot të gjithë do merren me këtë kabinet por dhe nesër do merren me paaftësinë e këtyre ministrave. Dhe këtë e them me bindje të plotë sepse i kemi parë në studio televizive sesi janë prezantuar sepse shumica kanë qenë zv.ministra. Niveli i tyre ka qenë jo përfaqësues përsa i përket kabinetit. Dhe kjo është tallje me shqiptarët. Shqiptarët presin një qeveri të fortë që ti zgjidhi hallet. Shqiptarët nuk presin një qeveri të gruas së Edi Ramës.

A ishin këto dikasteret që çalonin, që ndryshoi Rama?

Problemi i këtij vendi është Edi Rama. Nuk e kuptoj se çfarë energjie të re mund të sjellin këto ministra, pozitivitet apo dhe reforma, ku truri i cili ka ideuar këtë platformë që po shkatërron vendin është Edi Rama. Sot duhet të iki Edi Rama. Kishte dy rrugë, ose Edi Rama të largohet dhe të lërë vendin të qetë me qëllim që reformat të vazhdojnë përpara ose Edi Rama ti paraqesë shqiptarëve një kabinet të fortë që premton, që ka përfaqësues të cilët janë të sprovuar për drejtimin dhe menaxhimin e vendit. Sot kemi një qeveri e cila është totalisht e dorëzuar, është e rënë.

Sa mund të qëndrojë ideja ose argumenti që ata që u shkarkuan ditën e sotme, vlejnë më shumë për të kontribuar në përgatitjen e zgjedhjeve të 2019?

Edi Rama nuk i ka larguar ato ministra që ti vendosë si kuaj në kuptimin e parë që të tërheqin partinë përpara. Sepse ai ka vendosur si ministra kundërshtarët e tyre brenda partisë. Në kuptimin që këto ministra që sot kanë zëvendësuar këtë kabinet janë kundërshtarë brenda partisë në organizimin e strukturave. Mos të harrojmë që Niko Peleshi është deputet i qarkut të Korçës po kështu dhe z.Shalsi dhe znj.Spiropali. E dini ju që nuk bëhet ujësjellësi i Kolonjës sepse zihen grupet me njëri tjetrin, kush do marrë tenderin e Kolonjës. Shkoni pyesni në Kolonjë, e thonë të gjithë. Pra nuk është se Edi Rama e bën këtë për të çliruar PS në kuptimin që PS të ecë në rrugën e duhur sepse Edi Rama me këtë veprim ka shkatërruar socialistët e vërtetë. Kemi të bëjmë më një kryeministër i cili nuk është kolegjial në vendimmarrje. Kemi të bëjmë më një kryetar partie i cili i merr vendimet, zgjohet në mëngjes dhe thotë unë do ndryshoj këtë kabinet dhe nuk pyes farë për situatën e partisë., thjesht propozohen, votohen aty sipas interesit të tij e me radhë. Unë mendoj që një parti kryesore e cila qeveris vendin dhe një kryeministër i cili pretendon që është transparent, dhe që është në bashkëqeverisje me qytetarët, duhet të jetë dhe transparent në mënyrën sesi i zgjodhi këto. Por nuk i hyj farë historisë sepse këto janë punë të brendshme të kësaj partie. Mua më intereson një gjë. Që sot Niko Peleshi është larguar nga oligarkia, nga Zamir Mane, sot ministrat e tjerë janë vendosur ministra për shkak të lidhjeve që Rama ka pasur qoftë me bashkëshortet e tyre, qoftë me familjarët e tyre. Pra kemi një kabinet i cili është pjesë e Surrelit të Edi Ramës dhe është pjesë e familjes së tij. Deri në këtë histori është katandisur ky kryeministër dhe ky kabinet. Dhe këtë nuk e them unë por e thonë të gjithë qytetarët dhe e thonë të gjithë banorët e Shqipërisë.

Sipas gjykimit tuaj, pse Edi Rama vendosi të bënte këto ndryshime pikërisht në këtë moment?

E para Edi Rama e bëri për të ruajtur kokën e tij, në logjikën e tij.

Ku rrezikohej koka e Edi Ramës kur të paktën nga protestuesit askush nuk ka kërkuar dorëheqjen e tij?

E kanë kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës, kjo po artikulohet kudo në opinionin publik. Edi Rama vendosi të bëjë këto lëvizje për të tërhequr vëmendjen nga vetja e tij. Të mos harrojmë që vendos këto ministra, me qëllim që nesër përballja e qytetarëve dhe e opozitës të jetë drejtpërdrejtë me këto ministra dhe Edi Rama të marrë akoma oksigjen për të tentuar të çojë sa më shumë qeverisjen e tij. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që Edi Rama nuk i kap, në kuptimin e mirë të fjalës, zgjedhjet lokale si kryeministër i vendit.

Ka nuanca përkohësie ky kabinet i ri qeveritar? Gjithmonë nisur nga emrat e zgjedhur…

Sot kemi nj kabinet i cili nuk është kabinet. Këto nuk përbëjnë dot Qeverinë. Këto nuk drejtojnë dot Shqipërinë, me sfidat që ka Shqipëria. Sepse janë të gjithë  personat të cilët nuk kanë një profil, nuk po flas profil të lartë publik sepse nuk është e nevojshme të kesh një profil të lartë publik. Por nuk janë as profesionist të fushës përkatëse. Sepse ne i kemi ndjekur dhe i njohim. Sot emëron z. Shalsi ministër, që është i njohur për thënien e tij të famshme që do vjedhim, por jo kaq hapur sa të tjerët.

Zëvendësohet sot Niko Peleshi me Bledi Çuçin për shkak të interesave të Edi Ramës, e thashë edhe njëherë që hyn në lojë oligarkia në këtë lëvizje.  Kjo është në ekstrem sepse Edi Rama e ka privatizuar dhe e ka bërë familjare totalisht këtë qeverisje. Ua thashë: sot shqiptarët do të ndiheshin më krenarë me këtë kryeministër, nëse ky do të kishte një mendje më shumë dhe do kishim një kabinet me njerëz të fortë, përfaqësues të fortë të cilët do të ishin shpresëdhënës për të çuar reformat përpara. Por ky nuk i vendos këto sepse e para ky nuk ka një strategji. Ky nuk ka reforma. Nuk ka si i shpëton ky trafikut të drogës. Nuk ka si i shpëton kompanive 18 milion euro në Unazën e Re që kanë shkuar për t’u pastruar në kompani offshore.

Sot Edi Rama lau duart me Damian Gjiknuri dhe me gjithë të tjerët, që nesër kur të jetë masa e arrestit të tyre, të mos arrestohen si ministra, por të arrestohen thjesht si përfaqësues të kësaj partie.

Po gjykoni se Rama i lëshoi bashkëpunëtorët e tij ditën e sotme? Fjalët që tha për ta ishin të mira…

Edi Rama thotë kanë punuar mirë dhe i lëviz. Se kuptoj pse duhet t’i lëvizë kur kanë punuar mirë, kur Edi Rama beson se këto mund të shkojnë përpara.

Sepse qeverisja në tërësi nuk ka qenë dhe aq e mirë tha ai…

Po sepse është Edi Rama problemi. Është shumë e qartë. Kur qeverisja në tërësi nuk është e mirë, nuk është problemi i ministrave, është problemi i Edi Ramës. Edi Rama nuk kërkonte në këtë kabinet një ministër si ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa po themi kishte një profil të lartë brenda Partisë Socialiste. dhe ishte një ministër që kishte dhënë një kontribut në PS. Pavarësisht historisë që doli mbrapa me vëllain e tij. Pra nuk vendosi figura të forta. E shkatërroi dhe atë pak Parti Socialiste që kishte mbetur. E ktheu tek oligarkia, e ktheu tek krimi i organizuar, tek interesi i tij personal, me qëllim që të centralizohet gjithmonë e më shumë vendimmarrja e Edi Ramës në Këshillin e Ministrave.

Edi Rama është ndoshta nga të rrallët kryeministra të vendit që nuk ka bërë lëvizje në kabinetin e tij qeveritar. Të paktën në gjithë këto vite, jo lëvizje në kushte normale sikurse kanë bërë kryeministra të tjerë. Ka një vlerësim pozitiv në momentin kur Rama gjithashtu për herë të parë si kryeministër pranon që është keq qeverisur, nuk ka raporte besimi, nevojitet frymë e re, nuk ka mandate të përjetshme…

Ka 5 vjet që e thotë këtë gjë. Minimumi që kur ka marrë drejtimin, po flas për partinë. Që kur ka marrë drejtimin e Partisë Socialiste këtë gjë thotë për Asamblenë, këtë gjë thotë për Kongresin, këtë gjë ka thënë edhe për Kryesinë. Ka 5 vjet që qeveris vendin. E kishte fajin Saliu në qeverisjen e parë, vazhdoi pastaj e ka fajin LSI-ja, vazhdoi tek e ka fajin populli, e tani e ka fajin partia. Po në fund fare është Edi Rama. Ai gjithmonë kërkon të gjejë gjithmonë një fajtor. Po të ndiqni edhe sot në fjalën e tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, tenton gjithmonë të shfajësohet. Është njeri i cili nuk mban përgjegjësi. Është ai përgjegjësi kryesor i kësaj traume që ka shkaktuar në vend. Sot është ai përgjegjësi kryesor i varfërisë që kalojnë shqiptarët.

Më falni çfarë do bëjë ministrja e re e financës me varfërinë në vend, me hapjen e vendeve të reja të punës ku politika e Edi Ramës është një politikë klienteliste e bazuar në 4-5 oligarkë, ku koncesionet e Edi Ramës kanë dalë hapur që janë vjedhje dhe rrjepje e qytetarëve. Nuk ka çfarë bën ministri, sepse është filozofia e Edi Ramës, vizioni që ka ai, që e çon Shqipërinë në këtë gjendje. Çfarë do bëjë sot Ministri i Bujqësisë për sa i përket investimeve në vend, ku e dinë të gjithë shqiptarët tashmë që investimet në bujqësi kanë shkuar në dorë të oligarkisë dhe i menaxhon oligarkia. Ministri ka thjesht një rol administrativ, firmos ca shkresa dhe ka i ka mbetur sepse Edi Rama në këtë mënyrë e ndërton kabinetin.

Pra Edi Rama nuk paraqiti sot një kabinet të fortë, në analizë që nesër të çonte përpara disa sfida që ka vendi. Sepse Edi Rama nuk është për zbatimin e reformave, kërkon thjesht një kabinet që ta ketë ai në kontroll dhe oligarkët e tij, me qëllim që nesër të mos ketë zëra kundër për sa i përket kësaj qeverisje.

Brenda logjikës suaj pse do t’i interesonte Edi Ramës përpara zgjedhjes së pushtetit vendor të dobësojë kabinetin e tij qeveritar? Ndërkohë që duket realisht që u ka kushtuar shumë vëmendje këtyre zgjedhjeve dhe ndërkohë që sot ka folur për domosdoshmërinë e marrjes së një mandati të tretë…

Sepse Edi Rama është në grahmën e tij të fundit. Kërkon oksigjen, kërkon kohë dhe lëvizja e sotme është lëvizje për t’i dhënë kohë Edi Ramës në qeverisjen e vendit. Ai është i vetëdijshëm që qeverisja e tij po kufizohet. Pra ai është i vetëdijshëm që do të largohet nga drejtimi i vendit. Dhe kërkon kohë. Veprimi që Edi Rama bëri është për t’i dhënë kohë atij në qëndrimin e qeverisjes së vendit. Sepse protesta e studentëve, protesta e banorëve të Astirit, Bulevardit të Ri, Shkozës, por edhe protesta anembanë vendit, protesta të paralajmëruara nga diaspora, por edhe aksioni opozitar që ka ndodhur këto ditë janë aksione të cilat e kanë detyruar që ai të jetë në grahmën e tij të fundit për shkak të gabimeve, shkeljes së ligjit, papërgjegjshmërisë dhe arrogancës. Nuk ta fal opinioni publik arrogancën.

Gjithmonë nëse mbetemi në fjalët tuaja që Rama ka një kabinet të dobët dhe jo të fortë qeveritar. Si përfiton opozita?

Opozita është e qartë në filozofinë e vet. Ne punojmë përditë dhe kërkojmë përditë largimin e Edi Ramës, sepse ai është fatkeqësia e këtij vendi. Sot largoi Lindita Nikollën nga ministre e Arsimit. Kë solli? Solli zëvendësen e Linditës, që ka bërë të njëjtën reformë, që ka bërë të njëjtën politikë.

Nuk e largoi për ta ndëshkuar. Ishte shumë i kënaqur me Lindita Nikollën.

Ai është i kënaqur me të gjithë .

Ai i hoqi me argumentin se kanë 5 vjet.

Më fatkeqja është zonja Qato që kishte vetëm 1 vit, prandaj bie poshtë edhe ky argument i Ramës. Rama është krejtësisht i çoroditur. Këtë e ka kuptuar çdo shqiptar. Është në makthin e vetmisë, ka mbetur vetëm. Nuk ka më aleatë, është i vetëm në qeverisjen e vendit. Edhe brenda grupit të tij parlamentar ai është i vetëm, sepse struktura e Partisë Socialiste nuk do të pranojë që një kryeministër të shkatërrojë dhe të marrë në qafë gjithë partinë, atë parti që ka mbetur sepse tani po dominon rilindja në atë parti.

Të jeni të bindur që Edi Rama lau duart me këta ministra që largoi dhe i hapi dyert e qelisë së burgut, me qëllim që nesër të thotë, po unë bëra lëvizjen. Janë faktorë të ndryshëm që ndikojnë në këtë lëvizje. Ju e patë dhe letrën e fundit të Sindikatës së Policisë, ku 80% e punonjësve të Policisë kanë plotësuar Lotarinë Amerikane. Ka që në 2014 që u thotë do iu rris pagat dhe nuk ua rrit pagat. Më thoni një ministër të Ramës që të flasë për vende të reja pune. Sepse duhet të iki Edi Rama. Ai është problemi i qeverisjes.

Një pjesë të konsiderueshme të fjalimit të Edi Ramës në Asamble ditën e sotme e zunë studentët, protesta e tyre. Këtë lloj qasje të Edi Ramës për këto protesta, si e komentoni?  Është krejtësisht ndryshe nga çdo njeri që është në shënjestër të protestave.

Kjo nuk është punë FRESSH-i, nuk është punë partish. Protesta e studentëve është çështje ekonomie, është varfëria që ka shkuar aty ku nuk i mban më shqiptarëve. Edi Rama ka një filozofi shumë të gabuar që po e dominon kudo, që kërkon të kapë çdo gjë. Kërkon të kapë gjithë shoqërinë shqiptare, kërkon të kapë të gjitha mediat, kërkon të kapë opozitën, kërkon të kapi edhe protestat. Filozofia e tij e tregon këtë gjë.

Është e qartë që protesta e studentëve është goditja më e rëndë që Edi Rama ka marrë. Nuk është një shuplakë, është një grusht shumë shumë i rëndë dhe Edi Rama do të marri në fillim të janarit goditjen më të rëndë dhe përfundimtare. Bazohem te ato që ne shikojmë përditë në këtë shoqëri. Varfëria ekstreme, mungesa e vendeve të punës, arroganca qeveritare, largimi i të rinjve nga vendi. Nuk ta falin shqiptarët këtë arrogancë. Pse more ç’faj kanë shqiptarët e shkretë, ç’faj ka ky popull që ka vuajtur në këto 28 vite, të kenë një kryeministër dhe një qeveri arrogante?

Mos mendoni që ndryshimi i kabinetit do të sjelli një frymë të re, apo do të ketë një qasje tjetër me qytetarët, sepse ministri merr fytyrën e kryeministrit, se është ai që e drejton normalisht nëse ky sillet arrogant me ata dhe ata do të sillen arrogantë me qytetarët. Rrjedhimisht dhe kryeministri sillet arrogant me qytetarët. Sepse Edi Rama është shkëputur nga realiteti. Ai bën bashkëqeverisje me partinë e tij dhe jo me qytetarët. E ka me regji! Edhe kur shikojmë ato takimet që del në bashkëqeverisje me qytetarët për problemet që ka, ka mbledhur punonjësit e administratës, ka mbledhur partinë e tij, ka 5-6 aktorë që ngrejnë shqetësimet dhe ky bën ndonjë batutë dhe njerëzit thonë që ky po bashkëqeveris. Ndërkohë që kjo e ka shkëputur nga realiteti, sepse është i papërgjegjshëm, është arrogant, është shkëputur nga realiteti dhe ka 5-6 njerëz që e kanë rrethuar që janë oligarkët, krimi i organizuar që e mbajnë peng.

Në orën 17:00 një tjetër protestë zhvillohet ditën e sotme, ajo e emigrantëve apo e “Diasporës”, sikurse është pagëzuar pa lejen e policisë, sepse mesa duket nuk kanë arritur ta marrin një gjë të tillë. Meqenëse studentët nuk donin politizim të protestës, opozita sot do të jetë përkrah emigrantëve në këtë protestë?

Unë personalisht do të jem si qytetar. Kjo është e diasporës dhe diaspora i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve. Nuk ka një vendim që ne si parti politike të njoftojmë strukturat tona që të shkojnë atje. Kjo është e diasporës, i bashkangjitem kësaj proteste, sigurisht që unë nuk kam të drejtën e marrjes së fjalës, por do jem prezent.

Përsa i përket lejes së policisë, është provokim i hapur i Edi Ramës, i cili tregon dhe njëherë frikën që e ka kapur nga protestat. Kjo lëvizje e sotme dhe në janar është fundi i Edi Ramës. Ai ka larguar dhe siguresën e tij të fundit.