Braho: Vendimi më të keq i Kushtetueses, Byroja do të ngrihet!

423
TIRANE – Mazhoranca është e vendosur të vë në funksion sa më shpejt Byronë Kombëtare të Hetimit, pavarësisht vendimit të Gjykatës për ta shpallur atë antikushtetues.
Pas ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati i cili tha se mazhoranca do të gjejë rrugën e duhur për të jetësuar Byronë, edhe kreu i Komisionit parlamentar të Sigurisë Spartak Braho dhe ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri kanë mbajtur këtë të martë të njëjtin qëndrim.
Për Brahon vendimi i Gjykatës Kushtetuese është më i keqi i që ka dhënë kjo gjykatë ndërsa për ministrin e Punëve të Brendshme Saimir Tahiri mazhoranca është në pritje të zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të reflektuar në kohë të shpejtë ndryshimet sipas sugjerimeve të Kushtetueses.
Në shqyrtim të animimit që Partia Demokratik bëri në tetorin e shkuar, Gjykata Kushtetuese vendosi të premten të shpallë të papajtueshëm me Kushtetutën projektin e mazhorancës për të ngritur Byronë Kombëtare të hetimit.
Sigal

Braho: Kushtetuesja vendimin më të keq, Byroja do të ngrihet

Kreu i Komisionit parlamentar të Sigurisë Spartak Braho shprehu vendosmërinë për gjetjen e mekanizmave që do të bëjnë të mundur vënien në funksion të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
“Byroja kombëtare e hetimit do të ngrihet. Është një sfidë, është vendimi më i keq që ka dhënë gjykata Kushtetuese nuk dua të bëj aludime, por është një kundërvënie e hapur në këtë proces për të luftuar krimin e organizuar. Nuk e di ku fle lepuri por është një vendim i dobët. Nuk ka marrë Ministria e Brendshme kompetenca të prokurorisë. Prokuroria do të jetë drejtueses e punës së Byrojsë së Hetimit, kështu e parashikon projekti. Nuk bëhet fjalë për struktura paralele por një strukturë të posaçme të Policisë së Shtetit”, tha Braho.

Tahiri: Byroja e Hetimit do ngrihet, reflektojmë sugjerimet e Kushtetueses

Edhe ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri tha se Byroja e Hetimit do të ngrihet, dhe se mazhoranca është në pritje të zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të reflektuar në kohë të shpejtë ndryshimet në projekt sipas sugjerimeve të Kushtetueses.
“Askush nga ne, përfaqësuesit e mazhorancës nuk i ka lejuar vetes komentimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetueses edhe në rastet kur ato janë përtej parashikimeve tona. Byroja Kombëtare e Hetimit është një institucion që do të ngrihet. Ne presim zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, reflektimin e sugjerimeve të bëra nga kushtetuesja dhe marrjen e masave qoftë nëpërmjet mendimit të ligjit, qoftë akteve nënligjore për të arritur standardet kushtetuese sipas parashikimeve që do të zbardhë Gjykata Kushtetuese. Byroja e Hetimit është e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, pasurive të pajustifikuara, jemi të vendosur të çojmë para përpjekjet tona. Në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetueses ne do të reflektojmë sugjerimet dhe do të marrim masat në një procedurë mjaft të përshpejtuar për të mos humbur asnjë ditë deri kur Byroja e Hetimit të ngrihet në këmbë për të filluar punë”, u shpreh ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri.
Sipas demokratëve, kjo strukturë merr kompetencat e Prokurorisë. Byroja Kombëtare e Hetimit kaloi në Parlament si pjesë e ligjit për “Policinë e Shtetit”. Byroja do të ngrihej si pjesë e Ministrisë së Brendshme me detyrën për të hetuar veprat penale në fushën e korrupsionit.
Në fillim të muajit prill, në vendin tonë mbërritën për këtë çështje edhe dy ekspertë të FBI-së, të cilët zhvilluan një takim me ministrin e Brendshëm për të dhënë ekspertizën e tyre për ngritjen efikase të strukturës së Byrosë së Hetimit, e deklaruar se do të luftonte korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend

Prononcimi i plotë i kreut të Komisionit të Sigurisë

Si e keni pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, do të thotë se mori fund kjo ide?

Duke perifrazuar një thënie “Po me urën ç’patën”, dua të them që është vendimi më i keq që ka dhënë Gjykata Kushtetuese. Siç dihet Qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme solli një projektligj për “Policinë e Shtetit” ku përfshihej të ndërtohej dhe një strukturë e posaçme në luftën kundër krimit, veçanërisht kundër korrupsionit që u nominua Byroja Kombëtare e Hetimit. Një strukturë e veçantë e cila do të jepte nxitje të fuqishme pikërisht asaj kërkese të shtruar jo vetëm nga ndërkombëtarët, por edhe nga opinioni për të qenë fenikas në luftën kundër krimit të organizuar.
Për çudinë më të madhe, ndonëse kjo iniciativë pati mbështetje të fortë dhe nga ndërkombëtarët, madje ka qenë e ripërsëritur kjo mbështetje edhe në bisedat që ka zhvilluar Ministri i Punëve të Jashtme, z. Bushati me Sekretarin e Shtetit Amerikan, z. Kerry, Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar. Padyshim nuk diskutohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, kjo është e saktë. Edhe kjo që po them unë është një opinion, por që nuk e ndal mazhorancën t’i shkojë deri në fund kësaj çështje, për ta ngritur, për ta ringritur, për të gjetur mënyrën për ta konstruktuar për t’i shkuar çuar deri në fund problemit të funksionimit me ligj, por në forma të tjera të parashikuara nga ligji të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Dhe si mund të bëhet?

Mendoj që shumë shpejt do ta vendosim

Z. Bushati tha se do të gjenden rrugët për ta ngritur këtë byro. A jeni ju në dijeni dhe a ka ndonjë gjë konkrete?

Jam plotësisht në dijeni për të konsumuar gjëra që mund të thuhen edhe më pas. Kaq mund t’ju them sot, që Byroja Kombëtare e Hetimit do të ngrihet.

A është kjo një sfidë ndaj Gjykatës Kushtetuese?

Padyshim që është një sfidë, është vendimi më i keq që ka dhënë Gjykata Kushtetuese. Nuk e di, nuk dua të bëj dhe aludime për këtë vendim të saj, por është një kundërvënie e hapur në këtë proces të nevojshëm që kërkohet për të luftuar krimin e organizuar. Nuk e di ku fle lepuri. Gjykoj që ka qenë thjesht një vendim teknokrat i dobët.

Në fakt nuk shikoni që Ministria e Brendshme i kishte marrë kompetenca Prokurorisë?

Nuk ka marrë Ministria e Brendshme dhe në këtë draft kompetenca të Prokurorisë. Prokuroria do të jetë drejtuese e punës e Byrosë së Hetimit. Kështu e parashikonte edhe projekti.

A nuk është kjo një strukturë paralele?

Nuk është kjo strukturë paralele. Nuk bëhet fjalë për strukturë paralele. Bëhet fjalë për një strukur të posaçëm të Policisë së Shtetit, që nën drejtimin e Prokurorisë të forcohet lufta kundër krimit të organizuar.

Ju do të prisni që të zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese pastaj do të shikoni për ndryshimet?

Këtë do të thosha që ne do të mendojmë që brenda arsyetimit që ka bërë Gjykata Kushtetuese e cila se ka zbardhur ende vendimin, të gjejmë modalitetit për ta ripërsëritur iniciativën.
Paloka: Rama do e bëjë Shqipërinë si Rusinë e Putinit
TIRANE – Deklaratat e ministrit Tahiri dhe kreut të Komisionit të Sigurisë Spartak Braho për Byronë e Hetimit, nuk i kanë shpëtuar komenteve të Partisë Demokratike. Kryetari i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka u shpreh se insistimi i mazhorancës për të ngritur Byronë Kombëtare të hetimit edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është në vijimësi të sulmeve nga institucioneve të pavarura siç janë gjykatat

“Nuk është hera parë që kjo mazhorancë sulmon gjykatat në përgjithësi, jo vetëm Gjykatën Kushtetuese, por të gjitha gjykatat për vendimet e tyre dhe sulmet verbale janë akti më i lehtë në fakt që ka bërë kjo mazhorancë pasi shpesh gjyqtarët e këtij vendi janë gjetur dhe gjenden sot e kësaj dite nën presionin direkt të kryeministrit për të marrë vendimet që i duhen kryeministrit të vendit flas për vendimet politike.. Pra nuk është ndonjë habi që kemi sulmin e radhës ndaj gjykatave sa për vendimin mendoj që është vendim mjaft i drejtë nuk mundet që Rama të vazhdoj me strategjin e e tij për ta rikthyer Shqipërinë në një vend të ngjashëm me Rusinë e Putinit. Ajo që bëri Rama me Byronë të ashtuquajtur byro nuk ka synim tjetër vetëm të vejë nën kontroll edhe institucionet e tjera te drejtësisë, të cilat nuk janë nën kontrollin e tij”, u shpreh Paloka.