Braho: Nuk ka mosmarrëveshje për Byronë e Hetimit, duhet të jetë në varësi të Prokurorisë

454
Nuk ka asnjë mosmarrëveshje mes dy partive kryesore në koalicionin e mazhorancës lidhur me Byronë e Hetimit.
Në një intervistë për Ora News, kreu i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho tha se ngritja e Byrosë së Hetimit ka dakordësinë e të gjitha palëve dhe se PS-LSI nuk kanë asnjë mosmarrëveshje.
Braho: “Nuk ka mosmarrëveshje mes PS-LSI për këtë institucion. Pas rrëzimit nga Kushtetuesja nuk ka ardhur material për këtë ligj. Ngritja e kësaj strukture e domosdoshme”.
Braho tha më tej se Byroja e Hetimit duhet të jetë nën varësinë e Prokurorisë së Përgjithshme dhe se nuk i kupton vonesat në miratimin e kësaj strukture.
Një ditë më parë, kreu i PD Lulzim Basha rinxori në skenë çështjen e shumëdebatuar nga politika shqiptare, por të lënë gati në harresë nga të gjithë, që kur Gjykata Kushtetuese e shpalli ligjin e parë antikushtetues.
Basha akuzoi Kryeministrin Edi Ramën se po mbahet peng edhe pse PD dha dakordësinë për draftin e ekspertëve amerikanë.
Basha: “Ky zotëri që çiret nga mëngjesi deri në darkë për domosdoshmërinë e reformës në drejtësi, pse nuk e jep dakordësinë e tij? Çfarë e pengon? Kush e ka kapur prej xhakete? Kush ia mban dorën? Forcë e madhe duhet të jetë, derisa ka 4 muaj që refuzon partnerin tonë strategjik SHBA-në, në një objektiv po kaq strategjik siç është lufta kundër korrupsionit”.
Sigal