Braho në prokurori me aktorin Bes Kallaku: Solla një të penduar. Videoja ime? Pjesë e sekretit hetimor

662
Sigal

Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, nuk ka pranuar të japë informacion se çfarë ka deklaruar në Prokurori mbi çështjen “Doshi”, duke deklaruar se gjithçka është pjesë e sekretit hetimor. I pyetur nga gazetarët nëse vizita e tij në Gjermani ka lidhje me Fation Skënderin, personin e akuzuar nga Tom Doshi si ndërmjetësi i vrasjes, Braho tha se edhe Basha ka qenë në Strasburg, a e keni pyetur se përse ishte.  “Edhe Basha ishte në Strasburg e keni pyetur përse ishte? Prokuroria vijon me intensitet punën e saj. Nuk kam thënë komplot, ka sajesa ka trillime. Është pjesë e sekretit nëse kam dorëzuar video. Ato që dëshmova janë të gjitha sekrete hetimore”, deklaroi Braho. Edhe para se të hynte në Prokurori në orën 18:30, Braho është treguar diskret dhe nuk ka dhënë informacione por i është përgjigjur me ironi interesit të gazetarëve. “E patë më kë erdha?- pyeti ai gazetarët duke treguar makinën e tij.  Me një të penduar tjetër! Ai i ka marrë të tëra videot,” – tha Braho, duke u treguar gazetarëve aktorin e humorit, Besart Kallakun ose Gjinin. Kallaku ka shpërndarë dje një video, ku luan rolin e një të penduari, që kishte planifikuar të vriste deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, e kishte vendosur dhe çmime për kokat e tyre.

Paloka: Era mafie. I akuzuari kryesor u soll nga Gjermania për të dëshmuar nga një deputet i LSI-së

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së Edi Paloka ka dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dje, rreth orës 18:25, lidhur me akuzat e deputetit Tom Doshi ndaj kreut të Kuvendit. Dëshmia e Palokës, si person që kishte dijeni për çështjen, zgjati një orë dhe sapo doli, ai deklaroi për mediet. “Atë që thashë në Prokurori do t’ua lemë prokurorëve nëse duan ta bëjnë publike në momentin e duhur, pasi është sekret hetimi, por ajo që dua të them dhe që ju e shihni përditë, është se kjo çështje, sa vjen e më shumë, po vjen erë e keqe. Erë e keqe që del vetëm nga mazhoranca. Përpjekje të hapura dhe të dukshme për ta fshehur. Ne i kemi kërkuar Ilir Metës, ditën e parë, dorëheqjen, pikërisht për t’i dhënë mundësi drejtësisë që të funksionojë lirshëm dhe në mënyrë të pavarur, pa qenë nën presionin e pushtetit të Kryetarit të Kuvendit, gjë që nuk ka ndodhur. Ka ndodhur e kundërta. Kemi parë dëshmitarë që zhduken, dëshmitarë që vijnë, dëshmitarë që ndërrojnë dëshmitë e tyre, nën presion apo jo. Së fundmi, pamë edhe që ai që është një ndër të akuzuarit kryesorë, shkoi dhe u mor në Gjermani nga një deputet i LSI-së dhe u soll të dëshmojë në Shqipëri. Pra, edhe njëherë e them, duket se të gjitha ngjarjet tregojnë se kjo histori po vjen era mafia.

 “I penduari” , aktori i humorit, Bes Kallaku: Edi Rama është porosia e Merkel, për Kokëdhimën janë paguar 65 mln euro

Në kohën kur gjithë politika është bërë “lëmsh” për shkak të akuzave të deputetit Tom Doshi dhe videos së dëshmitarit Durim Bami, në të cilën ky i fundit tregon për porosinë që ka marrë për të vrarë Doshin dhe Fufin, ka edhe nga ata që e kthejnë në parodi për të çdramatizuar situatën. Aktori i humorit Besart Kallaku ka publikuar së fundmi një video, ku në rolin e Durim Bamit rrëfen “porositë” që ka marrë për të vrarë personazhe të shumta të jetës politike në vend. Besi thotë se për të vrarë Petrit Vasilin ka marrë porosi nga Ilir Beqaj, pasi ai është kundër testimit të mjekëve. Për kryeministrin Edi Rama thotë se është porosi e Angela Merkel, ndërsa për Koço Kokëdhimën thotë se kanë paguar nga 1 mln euro të gjithë deputetët socialistë vetëm për tua hequr qafe. Videoja “Bes Kallaku; Dëshmia e një të penduari (Parodia e videos së Tom Doshit) ka marrë mijëra klikime në pak kohë. Madje videon e ka shpërndarë edhe kryeministri Edi Rama, i cili është një prej emrave të përmendur nga i penduari

Ja transkripti:

-Nga po vjen?

-Isha në plazh.

-Tani më thuaj pak për Petrit Vasilin ke marrë porosi?

– Petrit Vasili është porosi e Ilir Beqjas, don me e vra ngaqë është kundra testimit të mjekëve.

– Për Aldo Bumçin ke porosi?

– Jo, nuk marr porosi kshu për femra, nuk kam marrë ndonjëherë

– Po për Erion Veliajn?

– Erion Veliaj mbaron me e vra Edi Rama, vetëm t’më vrasë ai thotë, se e shtyp vetë butonin.

– Për Dashamir Shehin ka porosi?

– Dash Shehi është porosia e Arben Ristanit.

– Pse?

– Don me e vra Ben Ristani ngaqë i kishte pi teken e rakisë te lokali pa leje, prandaj.

– Po për Ilir Beqajn ke?

– Ilir Beqajn don me e vra Edmond Panariti.

– Pse?

– Ngaqë është falas.

– Po për Arben Ahmetajn ke porosi?

– Arben Ahmetaj më çmendi në telefon, thotë or vëlla a ka naj kërkesë me më vra kush mua, i them jo, pse mor më thotë kaq i parëndësishëm jam unë që s’don me më vra kush thotë.

– Po Ylli Manjanin?

– Manjani është porosi e Grida Dumës.

– Pse?

– Çështje konkurence se kush fol ma bukur.

– Për Nasip Naçon ka porosi?

– Nasip Naço është porosia e Elvis Cefës.

– Pse?

– Don me e vra Elvis Cefa se e ka heq nga puna nga KLD prandaj. Më ka dhan 200 mijë euro për atë punë.

– Po për Ditmir Bushatin ka porosi?

– Ditmir Bushatin don me e vra Arta Dade.

– Pse?

– Po i hangri shpirtin mor burrë, tha po se vrave t’i do ta vras unë.

– Po për Damian Gjiknurin ka?

– Damian Gjinkuri është porosia e Saimir Tahirit. Edhe Saimir Tahiri është porosia e Damian Gjinkurit.

– Si do ja bësh?

– Varet kush jep ma shumë.

– Për Lefter Kokën ke porosi?

– Jo s’më lë ‘Nari’ për këtë, me e kap këtë tender e kam kap vetë thotë.

– Nard Ndoka të ka bërë porosi?

– Nard Ndoka më ka bërë porosi për Sali Berishën.

– Pse?

– Du me e heq qafe thotë se du më i zënë vendin.

– Sa janë paguar për Koço Kokëdhimën?

– Për Koço Kokëdhimën janë paguar 65 milionë euro.

– Pse kaq shumë?

– Kanë shti të gjithë deputetët e PS nga 1 milionë euro veç na e hiq qafe, kanë thënë.

– Po për Taulant Ballën ka porosi?

– Taulant Balla mesa kam marrë vesh nuk më kanë thënë gjë mu, po n.q. s’ka ndryshime në qeveri ka për të vrarë veten.

– Po për “Baba Takun” merr porosi ti?

– Mos mar burrë…

– Pse?

– Unë i kam frikë vetë atij, jo më për tjerët.

– Po për Edi Ramën ke porosi?

– Edi Rama është porosia e Angela Merkel.

– Pse?

– Për motive të dobëta.

– Po për Sali Berishën merr porosi ti?

– N’botë. I kam hangër bukën atij robi.