Brahimllari: Rama po pengon integrimin, protesta jo vetëm në Tiranë

562
Sigal

“Bashkëpunimi me PD”, Brahimllari: Opozita e bashkuar ka përgjegjësi për të përkrahur shqiptarët

IntervistoiLinda Noka

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Brahimllari në një intervistë për “Koha Jonë”, shprehet se opozita ka misionin të jetë në krah të qytetarëve për të zgjidhur problemet e tyre edhe me anë të protestave. Braimllari thotë se kjo qeveri e ka shpërdoruar besimin e qytetarëve dhe nuk meriton më të drejtojë vendin. “Qytetarët janë kudo në protesta sepse kjo qeveri nuk është alternativ, nuk mbron interesin e qytetareve. Kryeministri është përgjegjësi kryesor për shkatërrimin e vendit ,-thotë z. Brahimllari. Deputeti i Partisë Socialiste për Integrim, thekson se opozita nuk do rresht së protestuari ndaj qeverisë dhe kryeministrit.

Pas protestës së 26 majit, janë zhvilluar mbledhje mes grupit të PD-së dhe LSI-së. Çfarë po planifikon opozita, cilat janë lëvizjet e radhës? Do të vijojnë protestat e të rinjve tek Ministria e Brendshme?

Opozita është në përballje të drejtpërdrejtë me këtë qeveri e cila ka kriminalizuar dhe varfëruar vendin. Qytetarët janë kudo në protesta sepse kjo qeveri nuk është alternativ, nuk mbron interesin e qytetarëve. Kryeministri është përgjegjësi kryesor për shkatërrimin e vendit. Ndaj protesta e qytetarëve është legjitime dhe në të drejtën e tyre pasi vendi çdo ditë e më shume varfërohet, të rinjtë largohen nga vendi sepse kjo është shpresa e vetme që i ka lënë ky Kryeministër. Nuk ka mundësi punësimi në vend, taksat janë të larta nuk krijon mundësi për biznesin, por vetëm varfëron çdo ditë e më shumë shqiptarët. Ne jemi çdo ditë në protestë, jo vetëm në Tiranë, por në çdo bashki të vendit.

A rrezikojnë të dëmtojnë procesin e integrimit akuzat për lidhjen me krimin, denoncimet dhe paralajmërimet për protesta?

Kauza e opozitës nuk e pengon integrimin. LSI është e fokusuar tek procese integruese të vendit. Shqetësimet që ngrenë opozita janë shqetësime dhe të ndërkombëtarëve ndaj kjo nuk e pengon procesin, por e ndihmon atë sepse të gjithë kërkojnë një Shqipëri larg krimit të organizuar dhe trafikantëve të klaneve narkotike, një Shqipëri të sigurtë jo vetëm brenda territorit, por një Shqipëri e cila jep siguri për stabilitetin dhe të vendeve fqinje.

A jeni të kënaqur me bashkëpunimin me PD-së, dhe a janë protestat një lloj testi për të kuptuar që edhe në zgjedhjet e ardhshme që janë afër, do të jeni me ta?

Kjo nuk është çështje testi por përgjegjshmërie për të përkrahur shqiptarët për atë çka kjo qeveri i ka shkaktuar dhe opozita ka treguar një përgjegjshmëri në aksionin e saj opozitar. Ne jemi në front të bashkuar opozitar dhe sot bashkëpunojmë me çdo shqiptarë që është kundër varfërisë dhe krimit të organizuar.

Sa janë shanset që vendimmarrja e vendeve anëtare të BE-së pas dy javësh të jetë pozitive lidhur me çeljen e negociatave me Shqipërinë?

Ne shpresojmë dhe urojme që vendimmarrja të jetë pozitive sepse kjo përgjigje nuk është për politikën, por është për qytetarët e këtij vendi të cilët më shumë se kushdo meritojnë të jenë pjesë e BE-së.

Çfarë do të bëjë opozita pas 29 qershorit, nëse negociatat nuk jepen për Shqipërinë?

Ne do të presim vendimin dhe pastaj do të ketë një vendimmarrje të përbashkët me frontin e bashkuar opozitar. Por një gjë është e sigurtë, që ne nuk do rreshtim së protestuari për ketë Kryeministër i cili është përgjegjësi kryesor për këto pasoja të rënda që po kalon vendi, e ka futur Shqipërinë në një ditë të zezë duke e varfëruar dhe kriminalizuar vendin.