Braçe: “Unë dhe familja ime kërcënohemi me jetë nga Berisha”

148

TREGTIA E ARMËVE/ Deputeti socialist Erjon Braçe mesazh Kryeministrit: “Vetëm po më vrave do më ndalosh së thëni të vërtetën!”

Dje për herë të parë, ka folur edhe Kryeministri Berisha, pas kaq ditëve që deputeti i PS-së, Erjon Braçe ka publikuar vazhdimisht të dhëna mbi tregtimin e armëve  nga Ministria e Mbrojtjes, në mënyrë të kundraligjshme. Por, siç duket, deputeti i PS-së, Erjon Braçe ka ndjerë kërcënim në mënyrën se si Kryeministri iu përgjigj akuzave, ndaj Braçe, publikisht bën të ditur mesazhin që i ka dërguar ai Kryeministrit. Braçe, shprehet publikisht, se ato që tha Kryeministri ndaj tij janë kërcënim ndaj jetës së tij dhe familjes së Braçes. Dhe, duke vazhduar më tej, Braçe, i thotë Berishës, se vetëm po u vra nga ai, do të heshtë për korrupsionin e tij.

Mesazhi

Ja mesazhi i plotë që deputeti Braçe i çon Kryeministrit. “Sapo i çova këtë mesazh Sali Berishës: Kryeministër, jam Erjon Braçe! U bë e disata herë që ju personalisht merreni me mua dhe për fat të keq aludoni për lidhje kriminale të miat. Keni 8 vjet që hetoni në mënyrë të ligjshme, por më shumë të paligjshme për mua, deri në urdhërimin e hapjes së tre palë arkivave, nga ato të Sigurimit të Shtetit deri tek ato të Policisë Kriminale e më gjerë, nga koha e komunizmit deri në ditët e tua. S’ke gjetur gjë! Unë vetë i jam drejtuar Prokurorisë për akuzat e tua dhe tani disponoj vendime të Prokurorisë,  si dhe shkresa të zyrtarëve të policisë që t’i kontrollon, që referojnë pastërti absolute për mua. Po e përsëris, të zyrtarëve të tu! Meqë tani s’jam më 23 vjeç, moshë kur hyra në Kuvend, përmes rrahjes barbare të njerëzve të tu, por 41 vjeç, duke kaluar përmes një sërë veprimesh kriminale të pushtetit tënd ndaj meje, ka ardhur koha që ta ndalësh këtë fushatë të ndyrë! Atë, që sapo the, e mora për kërcënim të hapur ndaj jetës sime dhe familjes sime. Ti do të më burgosësh! Bëje! Unë këtu do të jem. Por mos shpif më! Është turp të shpifësh ulët! Unë kurrë nuk kam thënë që kam dokumente sekrete. Kam thënë me plot gojë që kam dokumente tregtare dhe urdhra publike. Asnjë, po asnjë farë nga ato që kam publikuar nuk ka sigël të tillë. Asnjë! Deklarimi yt kundër këtij fakti është i rëndë. Ti, ose s’di gjë, ose po falsifikon për të kërcënuar jetën time. Por më e rënda është që ti që deri sot po heshtje, tani po mbron veprime abuzive deri kriminale të Ministrit të Mbrojtjes. Është zgjedhja jote! Mua përballë më ke dhe nuk iki e nuk hesht! Vetëm po më vrave do më ndalosh së thëni të vërtetën! Kaq!”