Braçe: Paratë e pista mund të deformojnë çmimet

482
Kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, gjatë seancës së djeshme në Komision, ku po diskutohej për taksën e pronës, solli në vëmendje deformimin e çmimeve që mund të sjellin në tregun e pasurive të paluajtshme nga paratë e pista. Sipas tij, mund të ketë raste kur individë të caktuar mund të blejnë me një çmim më të lartë sesa çmimi mesatar i tregut, thjesht me synimin e pastrimit të parave dhe kjo mund të rezultojë në një çmim më të lartë, që automatikisht rrit taksën mbi ndërtesën. Po kështu ai nënvizoi faktin që taksa e pronës, e cila do të paguhet çdo tre muaj në faturën e energjisë elektrike, mund të japë ndikim tek arkëtimet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), pasi vlera e faturës do të rezultojë dukshëm më e lartë se mesatarja që paguan një familje.

Në fund të vitit të kaluar u konstatua në tregun e pasurive të paluajtshme një rritje e çmimeve të apartamenteve në kryeqytet me rreth 10%. Sipas aktorëve të tregut, kjo erdhi pasi u konstatua një rritje e kërkesës dhe blerje e apartamenteve me para në dorë. Më pas çmimet ranë sërish për shkak të shtimit të ofertës, teksa shumë pallate të reja nisën të ngriheshin nëpër Tiranë. Aktualisht tregu është stabilizuar dhe në zonat e asaj që quhet Unaza e qytetit, ku çmimet variojnë mes 1000-2500 euro për metër katror, ndërsa në periferi kanë shënuar një rritje me 10-15% së fundmi, dhe luhaten midis 500-650 euro për metër katror. Ndërsa blerja e apartamenteve me para në dorë është kufizuar për momentin për shkak të presionit të shtuar nga organet tatimore.
Sigal