Braçe: Imami, tregti armësh me Slobodan Tesiç

51

Partia Socialiste ka vijuar me denoncimin e skandalit, të tregtimit të armëve ushtarake, duke kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, si dhe hetim të kontratave me shtetasin serb Slobodan Tesiç, i cili rezulton i skeduar në listën e zezë të OKB-së. Në një dalje publike për mediat, deputeti socialist Erjon Braçe akuzoi ministrin Imami për lidhje të ngushta me shtetas serbë dhe shitje armësh pa u konsultuar me partnerët ndërkombëtarë. “Ky që shihni është një set i ri dokumentesh të paklasifikuara përtej raketave që folëm dje. Bëhet fjalë për Shitjen ne Jemën të 21 mijë predhave dhe mortajave dhe 4 milion fishekëve. Për periudhën fund 2009,fund 2010 dhe fillimi i vitit 2011. Kjo është periudha e nisjes së konfliktit civil në Jemen. Sipas dokumenteve rezulton se në dhjetor të 2010, Meico ka kërkuar për herë të dytë shtyrjen e afatit të eksportit për 3 muaj, transaksioni është kryer duke përdorur Malin e Zi si tranzit”,- deklaroi Braçe. Brace kërkoi që ministri Imami të mbajë përgjegjësinë politike që i takon, ndërkohë kërkoi sqarime se pse në 90% të kontratave shtetas serbë janë pjesë e tyre. “Nisur nga sa më sipër dua te pyes Ministrin e Mbrojtjes Arben Imami: Përse gjithnjë, në 90% të kontratave të mëdha e të rëndësishme, partnerët e tu janë shtetasit serbë?;Përse në rastin e kompanisë Moon Storm, për pronarin real të saj nuk është konsultuar lista e zezë e OKB?;Përse në të njëjtin rast nuk janë konsultuar partnerët tanë dhe posaçërisht shërbimet e tyre?; Përse SHIU nuk e ka hetuar këtë transaksion tregtar kaq problematik? Përse AKSHE ka dhënë licenca për këtë kompani, ka shtyre afatin e tyre me këmbëngulje pa verifikuar pronësinë e saj dhe pa hetuar për të vërtetën që ajo fsheh? Njolla që ka marrë Shqipëria është e zezë. Përgjegjësia është e rëndë. Politikisht ministri duhet të dorëhiqet. Administrativisht drejtori i SHIU-t duhet të shkarkohet dhe të ndiqet penalisht”,- deklaroi Brace.