Braçe: “Berisha po diskriminon prej vitesh Qarkun e Beratit”

408
Sigal

Deputeti socialist ka denoncuar dje diskriminimin që Kryeministri Berisha po i bën Qarkut të Beratit

Gjatë një konference për shtyp, në Berat, deputeti socialist Erjon Braçe ka akuzuar qeverinë se ka diskriminuar për 7-vjet me radhë Qarkun e Beratit dhe se ky diskriminim do të vazhdojë të thellohet edhe më shumë, gjë që tregon se, Berishës nuk i intereson Berati as për betejë e fushatë elektorale. Duke u ndalur në rrugën problematike Lushnjë-Berat, Braçe është shprehur se, Berisha po gënjen në lidhje me investimet që do të bëhen në këtë aks, pasi fondi i dhënë përfshin vetëm rikonstruksionin e Lotit të Parë të rrugës, ndërkohë, që të gjitha fondet e dhëna për rrugët në këtë qark nuk përmbushin as 20% të fondeve që kërkohen për përfundimin e projekteve që kanë filluar prej 2-3 vjetësh. Sipas Braçes, në buxhetin e vitit 2013 ka mungesë të theksuar investimesh për Beratin në të gjitha fushat dhe shihet një diskriminim total nga qeveria nëpërmjet mosdhënies së fondeve në ato njësi të qeverisjes vendore, që drejtohen nga socialistët. Braçja është ndalur edhe në grantin e pakushtëzuar, i cili është pakësuar në çdo bashki e komunë të qarkut të Beratit, për efekt të censusit, që,sipas Braçes, censusi ka qenë një proces që ka pasur parregullsi të rënda dhe shumë serioze. Erjon Braçe tha se gjendja në qarkun e Beratit, tashmë është në një gjendje të mjeruar në të gjitha sferat. “Berishës nuk i intereson më Berati, as për fushatë elektorale, ai është i bindur se në Berat është i humbur totalisht dhe nga kjo ai hakmerret duke mos investuar në këtë qark, i cili nuk ka as një rrugë të asfaltuar.  Berisha ka arritur deri aty, sa është hakmarrë edhe tek fondet e grantit, i cili ka kushtëzuar atë.