Bozdo padit në Prokurori minsitrin Cani: Bllokoi fondet e bulevardit

530
Sigal

Bashkia e Tiranës ka paditur në Prokurorinë e Tiranës, ministrin e Financave Shkëlqim Cani dhe sekretaren e kësaj ministrie. Ka qënë nënkryetari i Bashkisë se Tiranes, Enno Bozdo që ka depozituar në prokurori këtë padi. Bozdo ka thënë për mediat se padia ndaj ministrit Cani është për bllokimin e fondeve për bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës.
 

“Në emër të Bashkisë Tiranë dhe në emër të interesave të qytetarëve të Tiranës, kam depozituar në Prokurorinë e rrethit Tiranë kallëzimin penal për shpërdorim flagrant të detyrës të Ministrisë së Financave dhe sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Financave. Të dy në bashkëveprim me njëri-tjetrin, në kundërshtim flagrant të ligjit por duke zbatuar një urdhër politik, kanë bllokuar që prej një viti pagesat ndaj dy kompanive të cilat operojnë dhe ndërtojnë dy vepra madhore të qytetit të Tiranës: bulevardin e Tiranës dhe lumin e Tiranës”, deklaroi Bozdo.

Nënkryetari i Bashkisë se Tiranës tha se buxheti është bllokuar me urdhër politik, madje sipas tij  porosia është dhënë nga kryeministri Edi Rama.
 
“Ndalimi me urdhër politik i këtyre pagesave, pavarësisht kërkesave të shumta, të njëpasnjëshme të Bashkisë Tiranë për zhbllokim ka sjellë dëme ekonomike, penalitete të parashikuara në kontratë për Bashkinë e Tiranës, ka dëmtuar rëndë interesin ekonomik të qytetarëve të Tiranës të cilët do të përfitonin nga ndërtimi i këtyre veprave dhe nga ana tjetër kanë lënë pa punë dy mijë punëtorë të cilët ishin të punësuar direkt në ndërtimin e këtyre dy veprave të mëdha, pra me një urdhër politik i cili i mbivendoset në mënyrë të turpshme ligjit, dy mijë familje shqiptare lihen pa bukë.Është ky një shembull për fat të keq i pastër i “kamikazllëkut” politik, i një situate kur porosia politike e kryeministrit vlen më shumë se ligji, vlen më shumë se interesi i qytetarëve, vlen më shumë se gjithçka tjetër. E pra, më vjen keq të them se kjo Shqipëri e errët të cilën ne e verifikojmë sot, e kemi lënë pas 24 vite më parë”, deklaroi Bozdo.


Pas nisjes së punemeve për Bulevardin e Ri të Tiranës aktualisht ato mbeten të bllokuara, ndërsa Bashkia ka akuzuar për bllokim mazhorancën aktuale.

Ndërtimi i Bulevardit të Ri, i cili do të zgjaste atë ekzistuesin deri në hyrje të Paskuqanit ,  shoqërua dhe me spostimin e të vetmit stacion treni të kryeqytetit, duke e spostuar atë në Vorë.

Cani: Jo kredi për vepra që s’dihet ku shkojnë lekët

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka reaguar pas padisë së dorrëzuar në Prokurori  nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo. Nga Komisioni i Ekonomisë ai tha se padia nuk është e panjuhur për të.

“Dua të konfirmoj se Ministria e Financave nuk do të aprovojë kredi që s’dihet ku do të shkojnë. Duhet të plotësohen kushtet teknike. Ne do të bëjmë punën tonë edhe me bashkitë e majta dhe të djathta. Ne do të jemi pengesë qoftë dhe e ministrive”, deklaroi Caci.