Bozdo, “kurban” i parë i kompanisë turke “Kurum”

157
Prokuroria nis hetimet ndaj ish-zëvendësministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës dhe një nga drejtuesit kryesorë të PD, Eno Bozdo, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Burime nga organi i akuzës thanë se Prokuroria e Përgjithshme, ka deleguar hetimin ndaj zyrtarit të lartë në Prokurorinë e Tiranës. Ai po hetohet në lidhje me procedurat dhe tenderimin e shitjes së tre hidrocentraleve në favor të kompanisë turke “Kurum International”, në shkurt të vitit 2013, me vlerë rreth 110 milionë euro. Burimet shtuan se ky hetim, ka nisur pas kallëzimit të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku nga verifikimi i materialeve kallëzuese, mësohet se prokuroria ka konstatuar elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”. Si pasojë e së cilës, Prokuroria pretendon se i janë shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 3.4 milionë euro në shitjen e tre Hidrocentraleve kompanisë turke. Sipas prokurorisë, komisioni i vlerësimit të ofertave pranë ish-Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës i kryesuar nga ish-zv ministri Bozdo, në procedurat dhe kriteret e përcaktuara për shitjen e këtyre tre HEC-eve nuk ka parashikuar investimet e grantit zviceran për rehabilitimin e tyre. Në asnjë raport paraprakë, komisioni i vlerësimit të ofertave, thuhet nga Prokuroria, nuk ka parashikuar investimin e kryer në HEC-in e Ulzës dhe Shkopetit. Investim ky i financuar Korporata Energjetike e Shqipërisë në formën e grantit nga qeveria zvicerane me vlerë prej 3.4 milionë euro. Investim është bërë në kuadër të memorandumit mes qeverisë shqiptare dhe asaj zvicerane, në projektin e reduktimit të humbjeve të energjisë elektrike, si dhe rehabilitimin e disa HEC-eve, mes tyre Shkopetin dhe Ulzën. Ky investim nuk është evidentuar në asnjë raport, para shitjes së HEC-eve tek kompania “Kurum International”, pasi kjo shumë duhej shtuar te vlera e blerjes së tyre. Për këtë fakt, Prokuroria dyshon se mos evidentimi i kësaj shume si investim, ka pas për qëllim favorizimin e kompanisë turke “Kurum International”, e cila bleu 100 % të aksioneve të tre HEC-et, atë të Ulzës, Shkopetit dhe Bistrica 1 e Bistrica 2 me vlerë rreth 110 milionë euro. Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, kompania turke “Kurum International” i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, duke kërkuar të shpallë falimentimin e saj, për shkak të mospagimit të kredive të mëdha, që kompania ka marrë.
Raporti i KLSH: Dëmi 633 mijë euro, për pajisjet e hidrocentraleve
Nga kontrolli i zhvilluar ka rezultuar se për dy hidrocentrale të privatizuar është vijuar blerja dhe instalimi i pajisjeve nga buxheti i shtetit, duke bërë kështu që përftimi të shkojë për subjektin privat. Në mars 2013 (gjatë periudhës së implementimit të projektit), HEC-et e Ulzës dhe Shkopetit të ndërtuara në lumin Mat, u privatizuan, duke i kaluar një kompanie private 100% të aksioneve, të cilat më parë zotëroheshin nga METE. Nga auditimi i rregullshmërisë dhe ligjshmërisë së pagesave të bëra nga fondet e donatorëve, rezultoi se nga ana e NJZP-së, deri më datë 31.12.2014, ishin kryer një sërë pagesash për blerje pajisjesh dhe instalime në favor të HEC-it të Ulzës dhe Shkopetit, të cilat në vlerë totale shkonin në 85.396.083 lekë”, thuhet në njoftimin e KLSH-së. Nga shifrat e dhëna rezulton që konkretisht për hidrocentralin e Ulzës ishin investuar 67 milionë lekë, kurse për atë të Shkopetit 17 milionë lekë. Sipas audituesve të KLSH-së, edhe në rast se pas privatizimit do të vijohej me projektin, atëherë duhej të ishte bërë një negocim paraprak, në mënyrë që subjekti privat të paguante pjesën e mbetur dhe që i takonte. “Në lidhje me këtë shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit depozitoi, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzimin penal nr. 106/11, datë 30.06.2015 për M.Ç., me detyrë ish-drejtor i Njësisë së Zbatimit të Projektit në KESH sha, me akuzën e ‘Shpërdorimit të detyrës’, thekson KLSH-ja. 
Shkeljet e tjera të konstatuara nga KLSH
Audituesit e KLSH-së kanë hasur edhe në të tjera shkelje të kryera nga Njësia e Zbatimit të Projektit, të lidhura këto me rakordimin e të dhënave pranë Ministrisë së Financave. Sipas KLSH-së, nuk është bërë asnjë përputhje me udhëzimin në fuqi për pjesën e financimit dhe nuk është ngritur Komiteti Drejtues për programin e sigurisë së digave dhe as nuk është hartuar Raporti për Zbatimin e Projektit. Po kështu nuk janë paguar detyrimet për shumat e padisbursuara të kredisë. “Nuk ishin kryer pagesat për detyrimet për shumat e kredisë së padisbursuara (për periudhën qershor 2013-6 mujori i dytë 2014), për normën e interesit dhe tarifës së angazhimit, në shumën prej 170.629 euro, të cilat japin efekte negative financiare, duke rënduar koston e projektit. Në përbërje të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, për të gjitha procedurat e zhvilluara, nuk kishte asnjë anëtar nga departamentet teknike të KESH sha, dhe në disa raste fondet e vlerësuara për prokurime ishin rreth dy herë më të mëdha, sesa vlerat e ofruara dhe se shumat e kontratave të nënshkruara”, thuhet në raportin e KLSH-së.