Bozdo inspekton Lumin e Tiranës: Rama ndërpreu fondet e projekteve

440
Sigal

TIRANE – Fushata elektorale duket se ka nisur dhe kjo është e dukshme duke parë akuzat e ndërsjellta qeveri-bashki. Bashkia e Tiranës ka vijuar sot me akuzat e saj kundër qeverisë. Nënkryetari i bashkisë Enno Bozdo ka akuzuar qeverinë për bllokimin e fondeve dhe të projekteve që ka bashkia për Lumin e Tiranës. Sipas Bozdos punimet në Lumin e Tiranës, të realizuar me fondet e firmës se ndërtimit kanë shmangur përmbytjet, ndërsa Rama e bllokoi financimin duke rrezikuar jetën e banorëve. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, inspektoi sot gjendjen përgjatë lumit të Tiranës, i cili për shkak të reshjeve ka rritur nivelin e prurjeve dhe ka dalë nga shtrati. Por për herë të parë, nuk janë shënuar përmbytje dhe kjo si pasojë. Sipas Bashkisë së Tiranës në zbatim të projektit për rehabilitimin e lumit, kostot dhe punimet e kryera deri tani janë përballuar nga firma. Sipas Bozdos ndërprerja e punimeve në projektin e Bulevardit dhe atë të Lumit të Tiranës rrezikon që si pasojë e shirave që kanë rënë të përmbysë dhjetëra shtëpipërgjatë bregut të lumit.

Më poshtë deklarata e plotë e Enno Bozdo
 
“Kemi ardhur këtu për të inspektuar gjendjen në Lumin e Tiranës, pas reshjeve të shumta të ditëve të kaluara. Konstatojmë me shumë kënaqësi që për shkak të punimeve të kryera, që në fakt janë vetëm gjysma e punimeve, për herë të parë këtë vit ne nuk do të kemi përmbytje të qindra e qindra shtëpive, siç ka ndodhur zakonisht kur Lumi i Tiranës dilte nga shtrati. Theksoj faktin për herë të parë këtë vit, sepse kjo është në saj të projektit dhe punës së bërë nga Bashkia e Tiranës bashkë me firmën përkatëse, e cila deri më sot ka investuar 7 milion euro nga paratë e veta për të ngritur argjinaturat, për të bërë me bondura mbrojtjen e parë, pastaj mbrojtjen e dytë, për të shmangur një katastrofë njerëzore. Nëse nuk do të ishin këto punime, ne sot do të flisnim për qindra, në mos mijëra shtëpi, të përmbytura, e ndoshta dhe jetë në rrezik.
Për fat të keq puna e kompanisë dhe ky projekt i Bashkisë së Tiranës, ashtu si edhe projekti i Bulevardit është lënë përgjysmë. Kjo sepse, ministri i Financave, zoti Cani, me urdhrin politik që ka marrë për të bllokuar Bashkinë e Tiranës në çdo mënyrë, ende nuk ka depozituar firmat pranë fondit Abu Dabi, në mënyrë që të bëhet shlyerja dhe pagesa e punimeve. Firma përkatëse këtu, por edhe ajo kompani që punon tek Bulevardi i Tiranës, kanë lënë punën e tyre përgjysmë, duke lënë pa punë 2 mijë punëtorë ose ndryshe 2 mijë familje shqiptare”,- deklaroi nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.

Nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, i ka bërë sërish thirrje kryeministrit Edi Rama të zhbllokojë punimet në investimet strategjike të Bashkisë së Tiranës, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe në sigurinë e jetës së tyre, dhe nga ana tjetër ka apeluar prokurorinë te përshpejtojë shqyrtimin e kallëzimit penal qe Bashkia i ka bërë ministrit të Financave Shkëlqim Cani për Bllokimin e Bulevardit të ri dhe Lumit të Tiranës.

“I bëj thirrje prokurorisë që të përshpejtojë dhe të marrë një vendim të rëndësishëm përsa i përket kallëzimit penal për shpërdorim detyre që Bashkia e Tiranës ka bërë për zotin Cani dhe për sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Financave. Ligji duhet të vendoset në vend dhe zyrtarët që abuzojnë me pozicionin e tyre për të bllokuar projekte, në të mirë të qytetarëve dhe në të mirë të Tiranës, duhet të marrin përgjegjësinë e tyre sipas ligjit.”