Borisov: Pa marrëveshje, Kosova e Serbia nuk hyjnë në BE

605
Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, tha dje se nëse Kosova e Serbia nuk nënshkruajnë marrëveshje normalizimi ndërmjet tyre, asnjëra palë nuk do të integrohet në Bashkimin Evropian. Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në Prishtinë, ku është takuar me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Kryeministri bullgar tha se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë një zgjidhje. “E keni për detyrë të gjeni kompromisin e arsyeshëm që të mund të shkojmë përpara, të gjitha korridoret evropiane shërbejnë edhe për juve dhe tërë rajoni do të jetë i ndryshëm. Kryesorja është të mos shohim mbrapa por përpara, dhe në muajin maj në Samitin e Sofjes të mund t’u themi udhëheqësve evropian që të gjithë në Ballkan janë të vendosur”, tha ai. Kryeministri Borisov u bëri thirrje udhëheqësve të Ballkanit që t’i lënë anash siç tha egoizmat personale, pasi që sipas tij, egoizmi i njëri shtet mund të shkaktojë probleme për shtetet tjera ndërsa theksoi se Bashkimi Evropian nuk dëshiron që problemet historike dhe gjeografike të transferohen brenda saj. Në muajin maj në Sofje të Bullgarisë pritet të mbahet takimi i lartë ndërmjet udhëheqësve të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që synojnë integrimin. Por, prania e Kosovës në këtë samit ka ngjallur shumë reagime te disa vende që nuk e kanë njohur Kosovën. Kryeministri Borissov tha se ka ftuar presidentin e Kosovës Hashim Thaçi që më 16 dhe 17 maj të jetë i pranishëm në Sofje. “Kosova do të përfaqësohet ashtu siç e kanë njohur 116 shtete dhe në mes tyre edhe Bullgaria ndërsa për ato që nuk e kanë njohur, do të gjejmë një zgjidhje”, tha Borisov.
Sigal