“Bombat” që do të plasin në politikën shqiptare

435
Sigal

Artur Zhejit

Të gjithë janë dakord se këto ditë gushti janë të një qetësie të rreme.
Njerëzit janë të hutuar mbas detit, mbas udhëtimeve, mbas seksit dhe mbas
ushqimit. Një kohë e përshtatshme për të përgatitur “bombat”, që do të plasin
në shtator

Bomba e parë lidhet me ligjin për mediat. Qeveria është gati për një
përplasje të fuqishme me mediat, që nuk i nënshtrohen. Dhe nuk ka “faj”.
Kryeministrat e Shqipërisë kanë shpenzuar në këto 25 vite qindra miliona
dollarë për të nënshtruar, blerë apo joshur mediat kryesore në vend gjithë këto
vite. Faktet tregojnë se pronarët e mediave në Shqipëri, janë bërë ndërtues të
suksesshëm pallatesh, biznesmenë të të gjitha fushave, falë llokmave që kanë
marrë ndër vite, për shërbimet e bëra. Mirëpo interneti popullor, kjo shpikje e
10 vjeçarit të fundit, ka sjellë lulëzimin e Portaleve dhe fillimin e
perëndimit të Televizioneve, funeralin e gazetave dhe kanë çelur një Erë të re
mediatike. Pluraliste, shpesh të pasaktë dhe rrugaçe, por mbi të gjitha mjaft
të Lirë dhe të Pakontrollueshme nga një pushtet i vetëm. Kjo “anomali” e kësaj ere
të re, do të jetë edhe objekti i ri, i luftës ligjore dhe jo vetëm që kryeministri
ka ndërmend të fillojë në shtator. Me projektligjin e ri, kundër shpifjes, që
në të vërtetë sjell një kufizim të guximit të mediave rebele të portaleve. Bomba
e dytë, lidhet me situatën ekonomike, që shqiptarët do të gjejnë kur të kthehen
xhepazbrazur nga pushimet. Një mungesë e theksuar e rritjes ekonomike, pakësim
të parasë në qarkullim, taksa të reja si ajo e blerjeve on line, çmime të rritura
dhe ulje të fuqisë blerëse të lekut. Bomba e tretë, do të jetë fillimi i ashpër
i luftës politike. Nga shtatori do të fillojë “beteja” e Vettingut, që do të
thotë beteja për bërjen konkrete të Reformës në Drejtësi. Do të fillojë nga
puna Byroja Kombëtare e Hetimit dhe do të kemi shkarkimet e para në sistemin e
Drejtësisë. Nëse ndërkohë ligji për median kalon, ato çka do të thotë komisioni
i Vettingut, të drejta apo të shtrembra, do të jenë të pakontestueshme. Sepse
gazetarët që do të shkruajnë për to, rrezikojnë 3 vite burg për shpifje. Dhe
gjykimet do t’i bëjnë gjyqtarët e rinj, që do të jenë të etur edhe ata, për të
vendosur autoritetin e tyre publik, me dënime të bujshme, nga bota politike dhe
nga ajo mediatike.