“Boll me korrupsionin, do të shkoni në burg”

498
Ngjarja më e fundit që lidhet me arrestimin e drejtorit të Ujësjellësit të Elbasanit, ka alarmuar koordinatorin e PS për qarkun e Elbasanit deputetin ,Taulant Balla, i cili ka mbledhur me urgjencë të emëruarit e partisë. Dje paradite deputeti Balla, ka mbledhur drejtorët e qarkut dhe u ka folur ashpër atyre, lidhur me problemet që lidhen me korrupsionin, aferat e tjera të dyshimta, emërimet e paligjshme etj.

Deputeti Balla paralajmëron drejtorët e korruptuar: Boll!
“Do të shkoni në burg, ndaj mos u korruptoni dhe mos u përzieni në afera korruptive”. Kjo ishte deklarata, e cila gjatë gjithë takimit ishte edhe refreni zakonshëm mes koordinatorit të PS për qarkun e Elbasanit Taulant Balla me drejtorët, ku një pjesë e tyre realisht mbeten të përfolur në opinion dhe media. Situata, pas arrestimit të drejtorit të Ujësjellësit , shoferit të tij dhe një zyrtari të asaj ndërmarrje, duket se ka futur në siklet edhe kolegët e tij, të cilët jo vetëm nuk i bënë kundërshti deklaratës të deputetit Balla, por qëndruan gjatë gjithë takimit të strukur, duke mos thënë asnjë fjalë. Arrestimi i drejtorit kishte në fakt lidhje, veç një tenderi klientelist, edhe me korrupsionin me pedagogët e universitetit. Deputeti Balla ka kërkuar nga drejtorët e pranishëm në takim “përjashtimin e çdo lidhjeje që nuk kishte të bënte me detyrën e tyre ligjore, përjashtimin e lidhjeve me aferat korruptive të provimeve në fakultete, pasi asnjë zyrtar, militant apo kushdo qoftë nuk do të tolerohet”. 

Korrik-gusht janë bërë 205 denoncime për afere korruptive të drejtorëve
Krimi Ekonomik në Elbasan prej disa muajsh ka vënë nën përgjim telefonat e 95 pedagogëve, dhe pothuajse gjysmës së drejtorëve të qarkut, pasi siç shprehet një burim nga kjo strukturë “kemi pothuajse çdo ditë denoncime studentësh, familjarësh, punonjësish, zyrtarësh, të cilët kallëzojnë tek ne aferat e pista, lekët e marra nën dorë, lidhjet me sekserët etj”. Fakti është se, fenomeni korrupsionit në ndërmarrjet dhe institucionet e shtetit në Elbasan mbetet flagrant, pasi Prokuroria vetëm gjatë muajve korrik-gusht 2015 ka regjistruar mbi 205 denoncime që lidhen me aferat korruptive të drejtorëve, zyrtarëve dhe sekserëve të tyre. Shumica prej tyre kanë hyrë në rrugën e hetimit dhe ndoshta është çështje ditësh thirrja, apo edhe arrestimi i radhës. Përgojimi dhe denoncimi i aferave korruptive tek shumica e të emëruarve, ka larguar ndjeshëm edhe militantët e “thekur”, ata që kanë mbajtur barrën e fushatave elektorale dhe që sot janë ende të papunë. 

Tkurret PS në Elbasan, rritet LSI
Faktet tregojnë se të pakënaqurit e socialistëve, po i “thith” si me manget LSI, e cila duhet thënë se është fuqizuar së tepërmi muajt e fundit, dhe pothuajse e ka të fituar garën e ardhshme elektorale. Zbulimi i rasteve më të fundit të aferave korruptive dhe abuzimeve me tendera dhe para provimesh, e rendit Elbasanin ndoshta në vendin e parë për numër rekord denoncimesh, gjurmimesh, kallëzimesh dhe hetimesh, për sa i përket kryesisht zyrtarëve dhe drejtuesve të emëruar pas 23 qershorit 2013. Por sikur të mos ishte vetëm ky fakt, një tjetër argument skandaloz mbetet edhe ai ardhur nga Auditi i Kryeministrisë dhe KLSH, mbi abuzimin dhe përvetësimin e miliona lekëve nga ata që sot akoma mbajnë dhe mbrojnë me fanatizëm faktin se “jam socialist prej 25 vitesh, nuk më luan njeri nga posti, e kam fituar me kontributet e mia, e kam blerë këtë vend”, pavarësisht se ka 2 dosje penale në Prokurori për “shpërdorim detyre, abuzime, vjedhje të parave të arkës shtetit”. Gjithsesi, deputeti Balla ka premtuar rishikim të vendeve të punës për disa prej drejtorët e përfolur, pas publikimit të informacioneve edhe nga Krimi Ekonomik për abuzimet e tyre. 
Sigal