Bojkotoni Blushin, ndryshe ju fluturuam nga detyra!

62

Ardhja në pushtet ka sjellë përçarje brenda PS-së, duke e reflektuar si në qendër dhe në bazë

Ministrat e kësaj qeverie, duket se pas urdhrit të marrë nga “lart”, kanë nisur presionet dhe diktatet ndaj drejtorëve të emëruar në Elbasan. Shkak ka qenë ardhja e shpeshtë e deputetit të PS-së, Ben Blushi, reputacioni që ai gëzon në këtë qark, si dhe kritikat e shpeshta në drejtim të qeverisjes dhe situatës, në të cilën gjendet sot vendi dhe shqiptarët. Në takimin më të fundit me drejtorët dhe shumë prej militantëve socialistë në Elbasan, me rastin e promovimit të librit “Hëna e Shqipërisë”, deputeti socialist, Blushi sërish ka shigjetuar punën e ministrave dhe të kësaj qeverie, e cila sipas tij “ po drejton vendin me paaftësi, duke thelluar kolapsin dhe problemet ekonomike të shumicës së shqiptarëve”. Por, kjo gjë nuk është kaluar në heshtje nga ministrat e qeverisë, të cilët natyrisht pas urdhrit nga “shefi”, kanë nisur si hapin e parë presionet ndaj drejtorëve, të cilët kanë qenë dhe mund të jenë në të ardhmen prezent në takimet me Blushin. Burime të sigurta nga mjaft drejtori dhe institucione në Elbasan i thanë “Telegraf” se: ”ndodhemi në një situatë skandaloze presionesh, na thuhet gati me urdhër, se nuk duhet të afroheni me Blushin, nuk duhet t’i bindeni, nuk duhet të punësoni njerëzit e tij, etj., etj., duke na e vështirësuar kryerjen e detyrës. Ben Blushi ka qenë dhe do të mbetet deputet në Elbasan, duan apo nuk duan rivalët dhe kundërshtarët e tij në grupin parlamentar socialist”. Mjaft drejtues shprehen të shqetësuar dhe të gjendur nën presionet e pakuptimta të drejtuesve të lartë, madje edhe të ndonjë deputeti tjetër në qarkun e Elbasanit, për të qenë indiferentë ndaj kërkesave të Blushit. Ardhja në pushtet duket se e ka sjellë përçarjen brenda PS-së, duke e reflektuar këtë fenomen si në qendër ashtu edhe në bazë. Çdo deputet socialist i qarkut të Elbasanit, çdo muaj vjen dhe merr “takim” me drejtorët, u ofron listat me emrat e mbështetësve , dhe nuk kanë munguar tu thonë atyre edhe “të largoni njerëzit e Blushit”. Por, realisht, pavarësisht tentativave të tilla, të pakuptimta sipas shumë socialistëve në bazën e Elbasanit, drejtorët duket se kanë zgjedhur pavarësinë institucionale, madje dikush shprehet se: “po bëhem gati të dorëzoj çelësat në qoftë se vazhdon kjo situatë, e cila po na depersonalizon”. Në dy muajt e fundit situata në bazën socialiste në disa rrethe duket e agravuar, dhe kjo si pasojë e durimit të sosur për të sistemuar në vende pune ata që bënë fushatën dhe siguruan votat për fitoren e 23 qershorit. Deri tani dy prej drejtorëve të emëruar, janë dorëhequr, dhe i janë rikthyer punës së dikurshme, duke mos duruar gjatë diktatin dhe presionet që tentonin t’i detyronin ata të ktheheshin në vegla qorre. Mjaft drejtues shprehen të habitur nga situata e krijuar, e cila sipas tyre “na kujton kohën kur PD erdhi në qeverisje dhe nisën sherret dhe ndarjet, ashtu siç po ndodh sot me ne”. Lufta brenda llojit, nuk po kursen asnjeri në qeverisjen lokale, e cila shtrihet në nivel drejtorësh, apo nëndrejtorësh e shefa kuadri. Çdo deputet po synon punësimin e të gjithë atyre që ka patur në stafin e fushatës, në komisionet e votimit, duke mos pyetur fare për kriteret profesionale. Kjo ka sjellë përplasjet me drejtorët, të cilët gjenden përballë dy zjarresh, nga deputetët dhe ministrat, kur dihet se propozimet për çdo vend pune vijnë nga degët e partive. Situata më e fundit, ka lindur nevojën e pranisë së Ramës në Elbasan, dhe sikur të mos mjaftonte kjo, edhe në Gramsh, ka nisur të ndodhë e njëjta situatë, madje atje edhe më e agravuar. PS në 23 qershor, ka fituar thellë në qarkun e Elbasanit, ndërkohë që vetëm 9 muaj pas ardhjes në pushtet, kjo parti po rrezikon shumë pas nisjes së luftës klanore, gjë e cila ka gjasa t’i ndëshkojë ata me vote në zgjedhjet e afërta lokale.