Bojkotohet” nga administrata e MPJ-së seminari për Frankofoninë

527
Sigal

Shfaqet publikisht rebelimi i punonjësve të ministrisë së Jashtme kundër ministrit Bushati

Ministria e Jashtme, në bashkëpunim edhe me Ambasadën Franceze zhvilloi një seminar për Frankofoninë dhe teknikat e negocimit evropian. Ndërsa pritej që të ishte një takim me fokus bashkëpunimin mes qeverisë shqiptare dhe asaj franceze, ajo që ra në sy ishte bojkotimi që pjesa më e madhe e administratës i bëri aktivitetit. Bojkot që tregon qartazi pakënaqësinë e administratës ndaj ministrit Bushati. Mungesa solli edhe reagimin e kreut të diplomacisë shqiptare Bushati. “Nuk mund ta fsheh faktin që unë prisja sot që të kishim një sallë shumë më shumë të mbushur, për vetë rëndësinë që i japim procesit të reformës në administratën publike dhe për mbështetjen që partnerët e rëndësishëm europianë apo amerikanë dhe në rastin konkret Franca i japin procesit të reformimit të administratës publike në Shqipëri. Sikundër i kërkoj zonjës Domi, të cilën e falënderoj dhe e mbështes publikisht për gjithë përpjekjet që ka bërë, që krahas buzëqeshjeve që më vijnë nga salla, të kemi dhe një raport të detajuar për secilin pjesëmarrës në seminar. Sepse besojmë që është shumë i rëndësishëm që çdo qindarkë që hedhin taksapaguesit europianë të shkojë aty ku duhet për një administratë publike, e cila jo vetëm njeh teknikat e negocimit, por di në radhë të parë se si ti shërbejë qytetarëve dhe di se si ti shërbejë interesave të vendit të vet”,- deklaroi Bushati. Nga ana e saj, ambasadorja franceze Moro tha se bashkëpunimi mes dy qeverive është shumë i mirë. Ndërkohë, nuk mungoi as një batutë e zonjës Moro për mungesën e administratës së Ministrisë së Jashtme në seminar. “Mjaft vende të BE-së janë anëtare të organizatës ndërkombëtare të Frankofonisë dhe nuk është një rastësi që vendet e reja anëtare që kanë aderuar në Bashkimin Europian në vitet 2000 janë ose anëtarë ose vëzhgues të organizatës ndërkombëtare të Frankofonisë. Ky seminar formues bashkon në veten e tij si gjuhën, ashtu edhe përmbajtjen. Juve në të njëjtën kohë do të përmirësoni si gjuhën frënge, nëpërmjet ushtrimeve praktike, por po ashtu edhe aftësitë tuaja profesionale përsa i përket teknikave të negocimit dhe çështjeve të Bashkimit Europian. Jam e kënaqur që shoh që pjesëmarrësit janë të shumtë, dhe jam gjithashtu e kënaqur që konstatoj që vijnë nga ministri të ndryshme shqiptare”,- deklaroi ambasadorja Moro.