Bogdani: “Premtimet Ramës për një ekonomi pa taksa, shashka elektorale”

483
Sigal

Deputetë të Partisë Demokratike kanë vijuar dje bashkëbisedimin me tregtarët dhe biznesmenët

Deputetë të Partisë Demokratike kanë vijuar dje bashkëbisedimin me tregtarët në rrugën “Myslym Shyri”, në Tiranë, për të diskutuar çështje në interes të tyre siç janë reformat fiskale, apo premtimet e shumta që vijnë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Drejtuesit e biznesit të vogël i kanë quajtur premtimet e kreut të PS-së Edi Rama për biznesin, si një nisëm pa sens dhe Ramën një politikan që nuk duhet besuar. Sipas tyre, “premtimi i Ramës për heqjen e taksave nxit vetëm korrupsion dhe informalitet”. “Ne e kemi modelin e tij të qeverisjes në 11 vjet. Abuzime, taksa të larta dhe informalitet”, thanë ata. Në këtë drejtim, deputeti i PD-së, Gert Bogdani theksoi, se sot lideri i opozitës shfaqet çuditshëm në premtimet e tij krejt të kundërta me modelin qeverisës që ofroi për 11 vjet në krye të Bashkisë së Tiranës. “Sot në krye të PS-së, Rama premton heqje taksash, ndërsa modeli i tij qeverisës dëshmon një politikë të taksave të larta”, tha ai. “Kemi dëgjuar deklarata absurde të Kryetarit të opozitës Edi Rama, për taksë zero të biznesit të vogël. Them absurde në disa plane, në planin ekonomik dhe në planin logjik. Sepse ekonomia e një shteti nuk mund të funksionojë në qoftë se taksa e biznesit të vogël është zero. Gjithashtu këto pretendime janë absurde edhe në sensin politik e logjik, sepse taksat e biznesit të vogël janë taksa që nuk vendosen nga qeveria qendrore, por nga pushteti lokal”, tha Bogdani. Sipas tij “Rama ka qenë për 11 vjet kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ka pasur mundësinë ta ulte barrën për biznesin e vogël, ose i ka ende mundësitë që ta bëjë këtë me bashkitë që janë nën qeverisjen e majtë, por nuk e bën një gjë të tillë, sepse i ka thjesht shashka politike elektorale”. “Përkundrazi, kur Rama ka qenë kryetarë Bashkie, ka pasur një nga barrat më të rënda të biznesit të vogël. Rama duhet të zbres me këmbë në tokë dhe të shohë realitetin shqiptar dhe jo nga optika e tij”, tha Bogdani.