Boçi: Rama përgjegjës për përmbytjet dramatike, zhduku çdo vit miliona dollarë të kanalizimeve‏

524
Partia Demokratike ka akuzuar sërish kryeministrin Edi Rama duke e bërë përgjegjës për përmbytjet në vend. Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi tha se sot se Rama zhduku çdo vit miliona dollarë të kanalizimeve.
“Pas çdo toke të përmbytur, pas çdo prodhimi të çuar dëm, pas çdo shtëpie e pasurie të mbuluar nga uji, qëndron papërgjegjshmëria dhe politika korruptive e Edi Ramës.
Me dorën e tij, Edi Rama ka hequr çdo vit miliona dollarë fonde të destinuara për kanalizimet, për ti dërguar si pako dhurata për miqtë e klientët e tij, për luksin e tij dhe shpenzimet qeveritare”, tha Boçi. Ai ka ashpërsuar edhe më tej gjuhën ndaj kryeministrit, duke e cilësuar atë fatkeqësi.
“Çdo banor i Bregut të Matit, i Torovicës, i Ishmit, i Sukthit, i Shijakut, i Çermës, çdo banor i Rrogozhinës, fshatrave të Elbasanit, të Lushnjës, Fierit, Dibrës, çdo i përmbytur këto ditë nga Veriu në Jug, duhet ta dijë se fatkeqësia natyrore nuk do të ishte kaq dramatike nëse nuk do të ekzistonte fatkeqësia tjetër më e rëndë, që quhet Edi Rama”, u shpreh ai.
Sipas Boçit, “asnjë punim në kanalizime nuk është bërë, edhe pse përvoja e afërt tregon se shirat sjellin përmbytje, edhe pse dihet se sezoni i reshjeve ishte në prag”.
“Fondet për këto punime të domosdoshme në infrastrukturë janë dërguar nga Edi Rama në drejtim të interesave të tij klienteliste. Sapo erdhi në pushtet, Edi Rama hoqi 2.5 milionë dollarë për kanalizimet, ose 30 përqind të gjithë fondit. Në shtator të vitit 2014, pikërisht para sezonit të reshjeve, Edi Rama hoqi 4.9 milionë dollarë për kanalizimet, ose e shkurtoi fondin me 40 përqind. Në fund të vitit që kaloi, zhduku sërish 4.2 milionë dollarë që ishin të destinuara për kanalizimet. Ndërkohë që në fushatë, Edi Rama premtoi se asnjë pëllëmbë toke nuk do të përmbytej më dhe tha se do të investonte 160 milionë dollarë për kanalizimet”, deklaroi Boçi.
Në përfundim ai tha se me të gjitha aktet e tij, ka treguar se është bashkautor i përmbytjeve dramatike. “Dhe është shfaqur gjithnjë pasi ka dalë dielli, ose pasi është kthyer prej pushimeve luksoze. Kjo arrogancë e kjo pacipësi, kjo shpërfillje e poshtërim i shqiptarëve nuk thahet dot dhe nuk mbulohet dot, ajo meriton e do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët”, tha ai.
Sigal