Boçi: Qeveria bën gati spastrimin e ri në shkolla, kërkon bindjet politike të mësuesve

52
Partia Demokratike akuzon qeverinë Rama se po “përgatit” largimin nga shkollat të mësuesve në varësi të bindjeve politike. Në një deklaratë për mediat, deputeti demokrat Luciano Boçi tha se “nga Drejtoria Rajonale të Tiranës, u është dërguar një email drejtuesve të shkollave, ku u kërkohet të bëjnë raport të plotë për punonjësit e tyre dhe për bindjet e tyre politike”. Sipas Boçit kjo bëhet me qëllim për të larguar nga puna ata mësues që kanë bindje të ndryshme politike.
JA DEKLARATA E PLOTE
Politikat e vërteta të Edi Ramës në Arsim nuk janë ato që deklarohen me fjalë e propagandë.
Shihni se si menaxhohet në fakt arsimi, në Drejtorinë Rajonale të Tiranës. Ky email që po ju tregojmë në ekran u ka shkuar të paktën 76 shkollave të kryeqytetit, ku shefat e arsimit u kërkojnë drejtuesve të shkollave, të bëjnë raport të plotë për punonjësit e tyre dhe për bindjet e tyre politike. Më 27 korrrik, ka mbërritur në shkollat e Tiranës një porosi urgjente, ku i kërkohet drejtorëve që deri të nesërmen në orën 11, duhet të dërgojnë listën e stafit dhe përbri, thotë urdhri, bindjen politike për secilin. Ky skandal paralajmëron fshesën e re që ka ndërmend të bëjë qeveria me mësuesit përpara fillimit të vitit të ri arsimor.
Edi Rama kërkon të kapë kështu çdo segment të arsimit në vend, për ta mbushur me militantë. Ai i sheh shkollat si organizata të partisë ku meritojnë të jenë në punë vetëm militantët e tij. Kjo është një goditje fatale që i jepet shkollave dhe mësimdhënies në vend, duke larguar mësues me përvojë e profesionistë dhe duke i zëvendësuar ata me vëzhgues, komisionerë e numërues të Partisë Socialiste. Edi Rama dhe mercenarët e tij në arsim, do të mbajnë përgjegjësi për këtë dëm që po i sjellin shkollës dhe edukimit të fëmijëve tanë.