Blushit i bashkohen nën “rrogoz” edhe 2 deputetë socialistë

496
Duket se fenomeni “Blushi”, apo dalja hapur e tij kundër Ramës, duke shpalosur bindshëm së fundi kandidimin për kryetar partie në kongresin e afërt të PS, ka krijuar situata që shumë shpejt do të japin efektet e tyre. Në Elbasan efekti “Blushi” ka nisur të japë reagimet e para, ku të paktën dy deputetë socialistë (një prej tyre femër) dhe katër drejtorë janë rreshtuar ende nën “rrogoz” në mbështetje të deputetit rrebel. Lagja Kala, lagja Br. 17 S, lagja Haxhias, lagja 5 Maj, lagja Visarion Xhuvani, dhe mjaft zona të tjera ku shtrihet influenca e deputetit socialist Ben Blushi, janë deklaruar përmes drejtuesve të organizatave të asaj partie, se “jemi me Blushin pavarsisht se kemi presione çdo ditë të mos e qasim dhe të mos e takojmë”. Ben Blushi ka një avantazh të madh në zonën e tij elektorale në Elbasan, kjo për faktin se nga nëna e tij është vajzë e shkrimtarit të madh Dhimitër Shuteriqi, dhe ai është nip në lagjen më të madhe të qytetit, në Kala. Kjo lagje deri në 2009, vazhdimisht ka qenë “thembra e Akilit” si për PD ashtu edhe PS, por ardhja e Ben Blushit, pinjollit të Shuteriqëve, ka rritur ndjeshëm votat atje, dhe vazhdimisht ka sjellë fitoren e socialistëve . Por rebelimit të Blushit në Elbasan i janë bashkuar qysh para 1 vitit edhe katër drejtorë të institucioneve shtetërore me peshë, që mbartin një numër të madh votuesish socialistë në vendet e punës. Ata dhe dy deputetët socialistë, kanë nisur prej 2 javësh takimet e përditshme “kokë më kokë” me bazën, organizatat socialiste, duke arritur të kthejnë pas vetes, militantët e zhgënjyer, militantët e përbuzur, militantët e lënë pas dere dhe të papunë, militantët e lënë pa ndihmën ekonomike, dhe ata që u burgosën pasi nuk kishin para të paguanin faturat e energjisë elektrike.

 Grupi i punës i Blushit në Elbasan, ka gjasa të krijojë një rrjedhje të madhe votash nga PS. Kjo për faktin se edhe dega e PS në këtë qytet gjendet në pikën e hallit pas shkarkimit të dy drejtuesve Astrit Halili dhe Luljeta Arapi nga vetë Rama qysh në muajin shtator 2015. Situata në të cilën gjendet dega e PS, baza dhe strukturat e kësaj partie në Elbasan, aktualisht janë në favorin e Blushit dhe disfavorin e Ramës. Afrimi i dy deputetëve socialistë dhe rreshtimi i tyre (edhe pse jo hapur) në krah të mbështetësve të Blushit në Elbasan, pritet të krijojë situata aspak të këndshme për kryesinë qendrore dhe kryetarin e PS Edi Rama. Pavarsisht se ky i fundit ka porositur që “të bllokohet çdo orvatje e Blushit për të ofruar njerëz në Elbasan”, duket se çdo tentativë e tillë ka dështuar. Janë të paktën 5 lagje që përbëjnë 5 organizata të fuqishme, të cilat kanë deklaruar mbështetjen ndaj Blushit, gjë e cila ka gjasa të zgjerohet deri në ditën e mbajtjes së kongresit. Pothuajse në të gjitha takimet e mbajtura, baza veç mbështetjes, kërkon divorcin nga PS, dhe krijimin e një partie të re socialiste nga Blushi dhe pasuesit e tij. Sipas militantëve socialistë, shumica e të cilëve kanë mbetur të zhgënjyer nga qeverisja dhe mungesa e mbështetjes “lufta brenda gjirit të PS me Ramën kryetar është betejë e humbur, ne duhet të bashkohemi rreth Blushit por duke krijuar një parti të re socialiste, të jetë më demokratike, më transparente, më e papërfolur, pasi çdo ditë mbështetja për platformën dhe kërkesat e Benit po rritet, dhe nuk ka kuptim të ketë një veprimtari dhe luftë politike nën trysni, pasi me Ramën kurrë nuk fitojmë asnjë të drejtë”.

Alma Jonuzi
Sigal