Blushi: Si e takova Lul Berishën

501
Deputeti Ben Blushi ka reaguar pas lajmeve të publikuara se kishte bërë foto me Lulzim Berishën. Kreu i partisë LIBRA është shprehur se nuk e dinte, nëse shtetasi që ka bërë foto është Lul Berisha, një personazh i njohur në Durrës dhe i liruar nga burgu pak kohë më parë. “Isha në Durrës dhe siç më ndodh kudo ku shkoj pranova të bëj foto me dhjetëra qytetarë, të cilët afrohen dhe më takojnë pa i njohur. Pa mbërritur në Tiranë disa portale nxorën lajmin se paskam bërë një foto me Lul Berishën një njeri kundër lirimit të të cilit kam mbajtur nja tre fjalime në parlament. Unë nuk e di nëse ky që ka ardhur të bëjë foto me mua është apo jo Lulzim Berisha, por nëse është ai portalet duhet ta marrin në tel dhe ta pyesin pse erdhi të fotografohet me mua. Kush nuk e ka numrin le t’ia kërkojë Edi Ramës. Megjithatë shikoni videon më poshtë për të kuptuar se as e njoh këtë njeri që takova në bulevardin kryesor të Durrësit”, u shpreh Blushi. Disa herë Blushi e ka akuzuar publikisht kryeministrin Rama për lidhje me element kriminalë, ndërsa disa prej deputetëve socialistë u detyruan të lënë mandatin për shkak të prekjes nga ligji i dekriminalizimit.
Sigal