Blushi: Rilindja ka ngordhur, gati për ta varrosur

50
Deputeti i LIBRA-s, Ben Blushi, tha dje në Kuvend se Edi Rama e mori peng Shqipërinë dhe se Rilindja vdiq. “Ose më saktë, ngordhi”, tha Blushi. “Rilindja është e ngordhur, pa frymë, gati për ta varrosur. Kafshët e pyllit kanë ardhur ta varrosin. Kjo ndodhi për shkak të një njeriu, të Edi Ramës që erdhi në pushtet nga socialistët dhe qeverisi me kriminelë, trafikantë, drogaxhinj, gjobaxhinj. “Rilindje” me shumë xhinde dhe asnjë poet. Ah, ka një piktor. Një piktor që s’di të vizatojë një njeri. A, po t’i thuash, vizato Mark Frrokun, e qan”, u shpreh Blushi në kritikat e tij ndaj ekzekutivit. 

Sipas Blushit, “Edi Rama i donte të gjitha edhe partinë, edhe drejtësinë, edhe prokurorinë, edhe maninë, edhe marrëzinë, edhe Shqipërinë”. “Por këtë të fundit s’mund t’ia japim e s’e lejojmë dot ta marrë”, deklaroi Blushi në Parlament. Më tej, drejtuesi i LIBRA-s e kritikoi opozitën, se nuk merr pjesë në zgjedhje.

“Ka rrezik që, nga Gruevski prej llamarine të kthehet në Erdogan prej çeliku. Po s’hyri PD-ja në zgjedhje, Rama merr 80 mandate. Po s’hyri LSI në zgjedhje, Edi Rama merr 100 mandate. Nëse LIBRA nuk hyn në zgjedhje, Rama merr 120 deputetë. Imagjinoni se çfarë Shqipëria do ketë”, deklaroi Blushi. Ai tha se “me sa duket Edi Rama ka pranuar shtyrjen e zgjedhjeve”. Ai kujtoi se dy vjet më parë shpalli Funeralin e Rilindjes, si një proces të pakthyeshëm natyral. “Ky funeral zgjati pak si shumë, por sidoqoftë dy vjet nuk janë shumë për të varrosur një të keqe. Më ndihmën tonë të pakursyer dhe, padyshim edhe timen, s’mund ta mohoj, dy shtyllat e Rilindjes, kanabistët dhe krenaristët e bënë vetë pjesën e mbetur. Disa nga pesha dhe frika e krimit u kapën, të tjerët, krenaristët kryesisht nga idiotësia ikën, u shpërndanë nëpër pyll duke e lënë Rilindjen vetëm. Sot ajo po ngordh është shtrirë pa frymë dhe është bërë gati ta varrosim”, tha Blushi. Ai shtoi se i vinte mirë që mori pjesë në gjahun e saj dhe nuk kishte asnjë vrasje ndërgjegje. “Asnjë keqardhje dhe asnjë emocion”, tha Blushi.

Pak ditë më parë, Blushi propozoi paraqitjen në Kuvend të një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë për të larguar kryeministrin Rama. Megjithatë kjo nisëm e deputetëve të LIBRA-s nuk është mbështetur deri më tani nga parti të tjera parlamentare. LSI ka propozuar krijimin e një qeverie të besimit për të shkuar në zgjedhjet parlamentare, ndërsa PDIU ka paraqitur një plan me 7 pika për ngritjen e një pakti kombëtar.