Blushi: Rama duhet t’i meritojë 1 mijë euro për çdo bebe

458
Vazhdon beteja në rrjetet sociale mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të LIBRA-s, Ben Blushi. Pas postimit në “Facebook” të kryeministrit Rama, ku ironizonte Ben Blushin, ka reaguar ky i fundit. Në rrjetet sociale kreu i LIBRA-s ka thënë ,se edhe Rama do të marrë 1 mijë euro kur të sjellë në jetë një fëmijë. Ditën e djeshme kryeministri postoi një foto të tre meshkujve shtatzënë, për të ironizuar premtimin e Blushit, që çdo bebe që lind do të marrë 1 mijë euro. “Edi Rama dashka të përfitojë nga premtimi im 1000 euro për çdo bebe. Do t’ia jap pa dyshim, por duhet ta meritojë siç bëjnë të gjitha gratë e Shqipërisë. LIBRA i mban premtimet”, u shpreh Blushi. Në programin e LIBRA-s, parti e drejtuar nga Ben Blushi, është përfshirë premtimi për një pagesë 1 mijë euro për çdo bebe të lindur. Aktualisht kjo pagesë është vetëm 5 mijë lekë (rreth 35 euro). Blushi ka premtuar një rritje të ndjeshme të kësaj pagese për çdo fëmijë që vjen në jetë, me synim nxitjen e shtimit të popullsisë. Gjithashtu, Blushi ka deklaruar se do t’i japë fund efekteve juridike të ligjit 7501 përmes abuzimit me të cilin qindra njerëz u bënë pronarë padrejtësisht dhe mijëra të tjerë u zhveshën nga pronat e ligjshme. “LIBRA është shumë e ndjeshme për çështjen e pronësisë dhe do të hartojë një ligj të ri që kthen menjëherë tek i zoti pronat e njohura dhe kompenson shpejt pronarët e ligjshëm. LIBRA do të penalizojë të gjithë ata zyrtarë që kanë abuzuar me pronat e të tjerëve. Ju premtoj se në 25 qershor fillon Beteja e Pronës”, shprehet Blushi.
Sigal