Blushi “përleshet” me Ramën: Qaje për t’u bërë kryeministër

456
Replika dhe ofendime mes deputetëve socialistë dhe kryetarit të LIBRA-s. Pas kryeministrit hidhen në sulm edhe Nikolla, Braçe e Balla: Dembel dhe injorant 

Ben Blushi është përballur dje në Kuvend me Edi Ramën dhe ministrat e tij, në një seancë të tensionuar dhe të mbushur me akuza e ofendime. Kryetari i LIBRA-s ka kritikuar qeverinë, gjatë fjalës së tij, duke qortuar edhe mënyrën e arsyet e ndërrimit të ministrave. “Nuk u ndërrua ministri i Brendshëm që të shkojë në Kombinat të kërkojë vota, por sepse ministria e Brendshme ka rol të madh tek zgjedhjet”, u shpreh Blushi. Sipas tij, “Parlamenti duhet të jetë serioz, qoftë dhe me 1 deputet. “Votohet ministri i Brendshëm dhe priten zgjedhjet dhe lufta ndaj kanabisit. Ku e dimë ne, që shefat e policisë nuk janë për të blerë vota e për të trafikuar votat, problem që ka shqetësuar gjithmonë këtë vend”, tha deputeti.

Por pas fjalës së Blushit ka qenë i menjëhershëm, reagimi i kryeministrit Rama, i cili më parë kishte evituar të replikonte me ish-deputetin socialist. “E vërteta e vjetër që ne e dimë prej shumë kohësh është, që Beni vdes për pak ministër, aq shumë vdes për pak ministër, sa është gati të rilindë në lëkurën e një personazhi për t’u dukur si politikan i ri në librin e vjetër të politikës”, tha Rama.

Më pas ka ardhur një tjetër reagim i Blushit, duke u shprehur, se Rama qante përpara tij dhe Gramoz Ruçit për t’u bërë kryeministër. “Unë kam ndenjur me banditë? Po me Elvis Rroshin, unë e kam bërë kryebashkiak? Po shoku i Koço Kokëdhimës unë kam qenë? Ke ardhur duke qarë tek shtëpia, por unë nuk flas, sepse unë flas për politika, jo për çështje personale”, tha Blushi.

Sherrit mes Ramës dhe Blushit i është bashkuar edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila nuk i ka kursyer ofendimet ndaj ish-kolegut, duke kërkuar më pas ndjesë. “Mediokër, dembel, injorant ekzemplar. Ty duhet të të vëmë kufirin te thana”, tha Nikolla, ndërsa Blushi e akuzoi për korrupsion, duke përmendur se truproja i ministres merrte 3 mijë euro për një vend pune.

Në replika më pas janë përfshirë edhe deputetët socialistë Taulant Balla e Erion Braçe, si dhe deputetja e LIBRA-s, Mimoza Hafizi, ndërsa seance është drejtuar nga nënkryetarja Valentina Leskaj. 

Replikat
BEN BLUSHI: “Jemi një vend me ekonomi shumë të brishtë dhe mund të shkojë kollaj në tatëpjetë, jemi vend nga i cili duhet të ikin 200-300 mijë vetë në vit. Jemi në një vend ku vendet përreth janë në krizë. Shikoni Maqedoninë. Jemi vend që mund të rrokullisemi, nëse nuk negociojmë”. 

EDI RAMA: “Më vjen shumë keq, madje shumë për ca të rinj që ngatërrojnë derën e bibliotekës me të partisë së tij, mbi derë shkruhet libra, por brenda ka vetëm një shkrimtar. Ky është sot miku im Beni, të dashur shokë të tij, e kam dëgjuar vetë shpesh prej jush, se si është rropatur, duke recituar hartime të mbushur me mllefin e vet të pangushëllueshëm, të krijojë personazhin në sytë e atyre që s’e njohin, se janë shumë të rinj dhe e përdorin mandatin e tyre të pafajshëm për të bërë fajin banal të baltosjes, zi e më zi, Sali e më Sali, shto katran e shto bojë në këtë foltore. Edhe sot kështu, ti nuk meriton minuta dhe fjalë nga koha dhe puna jonë, shijoje dhe për pak kohë karrigen e deputetit socialist të Elbasanit që e ke zënë padrejtësisht dhe e ke shfrytëzuar për hesapet e tua personale.

Ky është shpjegim nga ana jonë e imja, për ata që s’të njohin apo deshifrojnë dot nga larg, që ua ndjej për borxh t’u them, se personazhi yt më i ri kryetari i 2019 partive është një xhaketë jo vetëm e vjetër në gardërobën e politikës sonë, por e kthyer mbrapsht me 20 vjet me radhë. Po e jap përgjigjen edhe si borxh ndaj shokëve tanë e të tij, të cilëve u kishe rezervuar nga kjo foltore një nga bataretë e tij prej gojështhururi, një shpërthim shembullor. E vërteta e vjetër që ne e dimë prej shumë kohësh është që Beni vdes për pak ministër, aq shumë vdes për pak ministër sa është gati të rilindë në lëkurën e një personazhi për t’u dukur si politikan i ri në librin e vjetër të politikës. Jo t’i vdes të bëhesh pak ministër, por ke vdekje me tepri që të tjerë bëhen ministra e ti jo, Tahiri u bë, ti jo, Klosi u bë, ti jo, Beqaj u bë, ti jo, Çuçi u bë, e ti jo. Por mirë ore shpëtimtari i vendit, se me erdhi shumë zor kur më treguan si iu lëshove Blendi Klosit me fjalorin e një karrocieri të dehur, po si mund të ishe ti ministër ku në Elbasan more rezultatin më të dobët në 12 qarqe, kurse Klosi që udhëhoqi Durrësin e mori rezultatin më të mirë në 12 qarqe.

Po mirë ore strateg i paprovuar i vendit që si ish ministër dy herë në kohën e Fatosit bëre dy vrima të mëdha në ujë, që nga qeveria e Ilirit u shkarkove fluturimthi si zëvendësministër i jashtëm, sepse hape një gropë të madhe, që Beqaj ty të jep ujë në bisht të lugës, kur flitet për programin e reformës. Dhe ti e di fare mirë. Tani vazhdo bjeri legenit të çadrës, por të lutem na e kurse betimin që nuk ke lidhje me ulluqet e ujërave të zeza mediatike të çadrës”.

BEN BLUSHI: “Pse është kështu Shqipëria, se unë kam shkruar libra? Fole këtu me gjuhë banale. Pse unë i kam futur banditët në parlament? Unë kam ndenjur me banditë. Po me Elvis Rroshin unë e kam bërë kryebashkiak? Po shoku i Koço Kokëdhimës unë kam qenë? Ke ardhur duke qarë tek shtëpia, por unë nuk flas, sepse unë flas për politika jo për çështje personale. Gramoz Ruçi është dëshmitar. Unë nuk vij në parlament për gjëra personale. Ti ke inkurajuar drogën në Shqipëri, jo unë. Nuk kam parë kryeministër më banal. Unë vij nga biblioteka, sepse librat janë liria ime. Unë s’kam vrarë njeri. Kush i ka bërë këtij vendi më mirë, që njeri që lexon libra apo një njeri që e ka mbushur vendin me drogë. Je i degraduar si njeri, jo vetëm si kryeministër. Më ke shumë borxhe, por një po ta përmend. Ke ikur nga gara si frikacak, sepse nuk pranove të votohesh me mua. Nuk ka njeri që mund të ngrihet këtu e të flasë, kur ka ikur nga gara. Dolën 200 horra e pijanecë në Elbasan dhe çfarë bëre ti? U bëre me ata. Më sulmoi Elvis Rroshi? Çfarë bëre ti? U bëre me ata. Ti je bërë me gjithë horrat e Shqipërisë”.

EDI RAMA: “Për fat të mirë ka njerëz që na dëgjojnë dhe bëjnë dallimin e atyre që themi. Asgjë personale. Informova ata që nuk të njohin, për ata të rinj që të lexojnë librat dhe gjejnë një shkrimtar të ri dhe politikan të lodhur. S’kam asnjë replikë, detyrim ndaj shokëve ministra që ndihen sikur janë në oborrin e Saliut. Për ata që nuk e njihni po ju tregoj historinë e akrepit me bretkosën. Bretkosa i tha akrepit që hip ta kalojmë bashkë lumin. Dhe në mes të rrugës, akrepi i fut thumbin bretkosës. Çfarë bëre i thotë bretkosa, s’kam ç’bëj i tha është në natyrën time!”
BEN BLUSHI: “Badigardi jot merrte 3 mijë euro për një vend pune dhe ti i ndaje lekët me atë. Ti ministre arsimi, një injorante. Mati fjalët zonjë, se do merrem vetëm me ty, se injoranca jote është e padurueshme. Ti mund të jesh Ministre e Arsimit, por e ke shkatërruar atë”.

EDI RAMA: “Këto ulërima janë të turpshme për dikë që i thotë vetes Libër. Vjen këtu akuzon si Saliu, i bën jehonë qytetarit dixhital të Saliut. Lindita është një ministre që reformën në arsim mund ta bëjë dhe e bëri. Nga kërcënimet dhe fjalor vulgar që nuk e di ku e ke parë. Sot, mos fol më, mblidhe veten se u çorodite. Sali o Sali zi e zi e bën për vete, se për ne se; janë 1, se janë 2 ose më shumë, nuk ka problem. Të isha si ty do vija t’i kërkoja falje Saliut, që e quajte karroceri i dehur. Bën personazhin e vetvetes dhe vjen këtu për t’i treguar për të vërteta. Turp të të vijë që iu drejtove kështu Lindita Nikollës”.

BEN BLUSHI: “Unë nuk iki asgjëkund, edhe kur mos të jeni, po ju torturon të gjithëve një i marrë, unë këtu do jem, prapë do them kush ishte injorant. Kam 27 vjet, kam qenë student, ky që vjen këtu e bën gjyq publik, injorancës asnjë falje nuk i kërkoj, ai që po torturon studentët të kërkojë falje. Po ju tregoj një rast, isha në Lushnjë, takova një zonjë, me leucemi, djali ishte ekselent. Për shkak se e ëma nuk kurohej nuk kishte mundësi, djali la shkollën, se e ëma nuk kishte 500 mijë lekë tarifë, që e ka caktuar kjo zonja, e la shkollën për kaq lekë, kaq lekë i vjedh badigardi i kësaj, kjo është Shqipëria që keni ju. Shkoni takoheni, humbi jetën se kjo zonja me bodigardin i kërkon 3 mijë euro që të shkojë në shkollë. Para që do i marrë kjo dhe do t’i bëjë vëth e unaza, ja kjo është Shqipëria e degraduar, do e luftoj çdo ditë deri në fund.”

LINDITA NIKOLLA: “Mediokër, dembel, injorant ekzemplar. Ty duhet të të vëmë kufirin te thana. Ti nuk ke bërë asgjë, veçse i ke thurur vetes tënde lavde. Të njohim mirë. Edhe për çmimin tënd edhe për ato që ke pasur pranë se si i përçmon mendja jote e ndritur. Do t’i shkojmë deri në fund këtij mashtrimi ordiner. Jo vetëm që nuk ke qenë në Lushnjë, por dhe mashtron. Nuk ka lidhje fare tarifa 500 mijë lekëshe që thua. Jepe emrin këtu”.
Blushi zbulon “macen” e gjëegjëzës
Kreu i LIBRA-s, Ben Blushi, ka zgjidhur në Kuvend edhe gjëegjëzën me macen, tre javë pasi ia kërkoi një gjë të tillë Erion Braçes. Nga foltorja e Kuvendit, Blushi tha se “macja” është kryeministri Edi Rama, të cilin, siç deklaroi ai, e solli në PS në vitin 1998 dhe sot ka kafshuar gjithë PS-në. 

“Disa javë më parë i dhashë një gjëegjëzë Erion Braçes për ta zgjidhur: Unë kam një mace, ia jap Erion Braçes, ajo kafshon Taulant Ballën, kush e ka fajin? Ka nga ata që më pyesin edhe sot. Ka nga ata që më pyesin se ku e ka kafshuar macja Ballën. Macja që iu dha është ky (drejtohet me gisht nga Edi Rama), që ua dhashë në ‘97-ën apo ‘98-ën, ajo iu ka kafshuar të gjithëve. Prandaj, ika se s’mund të lejoja kafshimin e maces”, deklaroi Blushi. 
Sigal