Blushi: Palët kanë rënë dakord të shtyjnë reformën në drejtësi

540
Reforma në drejtësi është sjellë në fokus sot nga “rebeli” Ben Blushi, ndërsa nuk ka mbajtur anën e asnjë force politike gjatë fjalës së tij në Kuvend. 
Deputeti i Partisë Socialiste ka kritikuar dy palët politike, në lidhje me reformën në drejtësi. Deputeti socialist u shpreh se reforma në drejtësi do të bëhet, por po vonohet me qëllim. Duke u ndalur tek deputetët me rekorde kriminale në Parlament, ai nënvizoi se të thuash të kundërtën është njësoj si të thuash që nuk ka pyll pa derra. “T’u thuash shqiptarëve se në këtë Parlament nuk ka njerëz me precedent penal, është si t’i bindësh se nuk ka pyll pa derra. 
Ne do paguajmë shumë shtrenjtë shtyrjen e reformës në drejtësi”, u shpreh Blushi. 
“Nisur nga ngjarjet e javës së kaluar, ka shumë njerëz që pyesin sot përse është ky njerëz kaq banal. Përse nuk flitet për gjëra të pakuptueshme por grindemi shumica prej nesh për gjëra të pakuptueshme. Çfarë po ndodh? Reforma në drejtësi po bllokohet pa konsensus dhe po kërkohet shtyrja me konsensus. Loja që ka ndodhur në këtë parlament prej 25 vitesh. Secila palë i ka hedhur fajin palës tjetër por asgjë nuk është bërë. Edhe nëse bëhet kjo reformë, drejtësi nuk do ketë. Ky parlament prodhon fjalë por jo vendime. Ky parlament është me shqiptarë po në shumë pak raste është në dobi të shqiptarëve”, deklaroi Blushi.
Më tej ai theksoi: “U miratua ligji për dekriminalizimin, shumë kolegë thonë se janë bërë pishman. Çfarë ka këtu për t’u bërë pishman? Ata kriminelë duhet të dalin me ligj nga ky parlament. Kush është bërë pishman, ata që kanë ardhur në parlament me armë. Ata që kanë grabitur me dhunë apo imunitet parlamentar atë që nuk u takon. Ata që erdhën në zyrat e shtetit dhe morën një imunitet. T’u thuash shqiptarëve se në këtë parlament nuk ka kriminelë është si t’u thuash se ka pyll pa derra apo liqen pa ngjala. Ky parlament është pengesa e drejtësisë në Shqipëri. Ky parlament nuk e jep garancinë për drejtësinë. Shqiptarët nuk do jenë të barabartë para ligjit edhe nëse drejtësia ndryshon me ligj”, tha Blushi.
Sigal