Blushi-Opozitës: Hasanizmi, produkti juaj, ne e bëmë kapele

457
Deputeti socialist Ben Blushi kritikoi ashpër qeverisjen e majtë për nivelin e lartë të varfërisë në vend dhe kushtet e vështira ekonomike, duke thënë se 400 mijë veta në Shqipëri jetojnë me 400 lekë (të vjetra) në ditë.
Sigal

 Në fjalën e mbajtur pasditen e së enjtes në Kuvendin e Shqipërisë, Blushi kritikoi edhe opozitën duke thënë shkrimet e tij nuk kanë qenë për të dhe “Hasanizimi” është një produkt i së djathtës.

Fjala e plotë e Ben Blushit në Kuvendin e Shqipërisë:

Para se të them dy fjalë për atë që kam vendosur të flas sot, dua t’i them ja dy fjalë opozitës që ka ja dy javë që merret me mua dhe më citon.

Unë nuk shkruaj për ju zotëri. Duhet të jeni fare pa fantazi që vini këtu e merreni me argumentet e mia. Duhet të gjeni shkrues te tjerë dhe për fat të keq s’keni. Por meqë jeni marrë me atë punën e Hasanit… Se nuk e keni kuptuar siç duhet. Hasani është produkt i juaj në fakt. Është produkt i juaj dhe kjo punë e di si është? Ju e kishit pantofël dhe ne e bëmë kapele, por prap është produkt i juaj.

Mungesa e fantazisë suaj nuk mund të më tërheqi mua mbrapsht. Javën e kaluar një koleg këtu për të cilin unë kam shumë respekt dhe qëlloi që nuk është këtu në sallë, kolegu im Eduard Bejko, më shtroi një pyetje dhe unë kam detyrimin t’i përgjigjem atij si koleg. Ai më tha se ke disa kohë që kritikon Rilindjen, Qeverinë, pretendon se shumë gjëra nuk janë bërë siç duhet, por në fund të fundit çfarë alternative ke tij.

Sigurisht që unë nuk kam alternativë jashtë grupit politik që unë i përkas, por sigurisht që ca gjëra i mendoj. Ca gjëra që lidhen ekskluzivisht me dështimin e kësaj klase politike, pjesë e së cilës jam për ta luftuar varfërinë në këto 20 vjet. Unë besoj sinqerisht, që lufta e të gjitha palëve kundër varfërisë është e pamjaftueshme dhe besoj se ka gjëra që mund të bëhen jo për të pasuruar të varfërit, për ti sjellë në kushte dinjiteti, sepse besoj që nëse sot Shqipëria ka një rrezik dhe ky rrezik nuk është as epidemi, as luftë, as një ushtri e huaj, at Turqit, as Grekët, as Kinezët, Rusët apo Gjermanët, nuk ka kërcënojnë sot. Nëse kemi një kërcënim, ky kërcënim na vjen nga varfëria.

Prap duhet t’i kthehem argumentit, pyetjes që më bëri kolegu im Eduard Bejko. Do t’ju them një gjë, a e dini sot ju se në Shqipëri ka 400 mijë të varfër, 400 mijë njerëz që jetojnë me 2 mijë lekë në ditë, ose më pak se kaq. Imagjinoni pra një familje me 4 vetë që merr afërsisht 50 mijë lekë të vjetra në muaj, apo 40 dollarë, atij i bie që të çojë, të atit apo të ëmës, atij që merr ndihmën ekonomike nga shteti, nga taksat tona, i bie që të çojë në muaj për selicin nga katër anëtarët e familjes së vet, 12 mijë lekë. E dini sa i bie në ditë nëse ky ka 2 fëmijë? 400 lekë të vjetra, 400 lekë të vjetra në ditë paguajmë ne nga taksat për një të varfër. Unë mendoj se kjo është nën kufirin e dinjitetit. Nuk jam këtu për të thënë se duhet t’i pasurojmë këta njerëz me taksa, apo t’i ushqejmë pa bërë asnjë punë; nuk jam këto për të ushqyer parazitimin me taksa, por sigurisht jam këtu që ne si shoqëri kemi mundësinë për t’i nxjerrë këta nga kufiri minimal i dinjitetit.

Ka njerëz këtu në sallë që atë që një njeri çon në shtëpi 10 mijë lekë për anëtar familje, e ka harxhuar tek kafja e Parlamentit. Ka sot kolegë që mund të kenë lënë 10 mijë lekë tek kafja e Parlamentit për t’u ushqyer, për të pirë kafe, për të pirë një limonatë. 10 mijë lekshin që ne harxhojmë në kafe, dikush e çon në muaj për të ushqyer fëmijët e vet. A është ky poshtërim? Çfarë do të bënte një baba, kush do prej nesh që çon 10 mijë lekë në shtëpi në muaj? Po çfarë do të bëhet me atë fëmijë që ushqehet me 400 lekë në ditë? E pra kjo është. A kemi ne mundësi t’i nxjerrim këta njerëz nga varfëria? Unë them që kemi sepse kjo është poshtëruese, është diskriminim klasorë që 400 mijë shqiptar jetojnë me 400 lekë në ditë. Unë këtë nuk e pranoj dhe ju bëj thirrje juve që mos ta pranoni.

Nuk besoj se varfëria u krijua në 2 vjet. Mendoj se varfëria u krijua në 20 vjet, por kjo nuk do të thotë që nuk kemi mundësi të dalim nga një krizë 20 vjeçare rraskapitëse.

E di që shumë njerëz nuk janë dakord me mua, përfshi edhe kolegun që më bëri pyetje para një jave, por nuk besoj se është kaq e pamundur sidomos për një shumicë që erdhi në pushtet për çdo arsye se nëse nuk kishte kaq shumë varfëri në Shqipëri, kaq shumë poshtëri, kaq shumë rrezik dinjiteti, kaq shumë korrupsion, kaq qeverisje të keqe, kaq shumë rrezik për integrimin, kaq shumë polarizim social, ne nuk do të kishim ardh në pushtet. Por sigurisht që nëse Shqipëria do të ishte një vend i pasur me shumë bollëk, resurset ekonomike dhe natyrore të ishin shfrytëzuar më mirë, do kishim ne mundësi për të ardhur në pushtet? Unë them që jo, por ne erdhëm në pushtet për këto arsye dhe për këto arsye duhet të kthehemi mbrapsht të shohim pse erdhëm në pushtet dhe ti ndryshojmë.

Kam pra besim që ka mundësi në Shqipëri, të mjerët në fakt se ai që jeton me 400 lekë të vjetra në ditë është i mjerë. Çfarë mund të bëj shteti për atë? Ka ca gjëra që mund t’i bëj. Padyshim që duhet t’ja dyfishojmë këtyre ndihmën ekonomike. Që 50 mijë lekë në muaj, apo 40, të bëhen 100. Dikush këtu më thotë që si ka mundësi, s’mund të bëhen 100 mijë lekë. Nga t’i gjejmë këto lekë? Ua them unë nga mund të dalin këto letë. Këto lek mund të dalin nga tremujori i fundit. E keni parë besoj. 50 milionë euro mungesë realizimi në tre muaj. Për çfarë, për performance të keqe, për abuzim, për mungesë parashikimi. Por po t’i kishim këto para në tremujorin e fundit në buxhetin e shtetit për arsye që edhe qeveria i pranon, kjo është gjysma e atyre duhet t’i shtojmë. Dhe kjo është më shumë se 100 mijë lekshi i mundshëm, plotësisht i mundshëm që ne mund t’i japim çdo familjeje që merr nga 30. 40, 50 mijë lekë. 
Kush do të më kundërshtojë le të më kundërshtojë, por besoj se e kemi këtë mundësi sa do qoftë një vend i varfër duhet të nxjerri të mjerët nga kufiri i dinjitetit. Çfarë mund të bëjmë ne më shumë për të varfërit? Mund t’i sigurojmë atyre libra falas, por kush më siguron mua që një fëmijë që jeton me 400 lekë në ditë jeton me librat e shkollës. Ai është i diskriminuar. A mund të jetë ai i barabartë me fëmijën e secilit prej nesh këtu? E pamundur. A mundet ne që t’i kërkojmë atij që të paguar energjinë elektrike? Unë them që jo. Ne kemi detyrimin që t’i garantojmë atyre familjeve që jetojnë me 50 mijë lekë në muaj, minimunin jetik për një llambe, gratis nga taksat tona. Televizorin, nuk po them që të ngrohen ata me kaloriferë, por jo, llampën dhe televizorin këtyre njerëzve duhet t’ja garantojmë. Nga taksat sigurisht.

Ilaçet falas, sigurisht. 400 mijë fëmijë, burra e gra me 400 lekë në ditë, s’kemi ne mundësi t’i blejmë atyre ilaçe. E dini që këta edhe pse mund të vaksinohen, nuk kurohen, për shoqërinë kjo është tre herë më e shtrenjtë. Kostoja e tyre për spitalet tona për sëmundje mediokre, nga gripi etj. se nuk po flas për sëmundje të tjera më të ndërlikuara, nëse ata i çojmë në spital se nuk vaksinohen dhe nuk marrin ilaçet e duhura, ne i paguajmë 2 fish, 3 fish, 4 fish, 10 fish spitalet tona. Çfarë mund t’i garantojmë tjetër? Ushqim. Kaloritë e mjaftueshme, por sigurisht kaloritë e mjaftueshme për t’u rritur sepse nëse cenohen në dinjitet, se varfëria cenon në dinjitet, edhe dinjiteti im, edhe dinjiteti i secilit prej nesh është i cenuar.

Dhe kjo është arsyeja që unë flas. Flas jo duke bërë fushatë, por sepse mendoj se ka arsye për t’u korrektuar për mënyrën se si i mbledhim dhe i shpërndajmë taksat.

Po t’i hyjmë debatit për taksat, ky është një debat shumë i madh në Shqipëri dhe në fakt ky duhet të jetë debati në këtë Parlament. Kryetari i grupit tonë këshilltar citoi një sondazh. Unë i besoj atij sondazhi. Një sondazh i bërë nga një OJQ e pavarur nga palët e cila thotë se në Parlament i vetmi debat që bëhet, debati themelorë që na ndan nga të djathtë dhe të majtë. Ne besojmë se mund të shpërndajmë më shumë se këta dhe Shqipëria ka nevojë të mbledhë pak më shumë dhe të shpërndajë pak më shumë. Nëse kemi humbur për një muaj 50 milionë dollarë për shkak të keqqeverisjes, për shkak të abuzimit, për shkak se nuk kemi çuar njerëzit e duhur aty ku mblidhen para, në katër tremujorë janë 200 milionë. Po nëse këto 200 milion shpërndahen, pra nuk humbin, e dini ju që jo vetëm ndihma ekonomike dyfishohet, edhe pensionet mund të bëhen më të mira, edhe paga minimale mund të rritet. Se nëse ka një emergjencë kombëtare për veç ndihmës ekonomike, është dyfishimi i pagës minimale. Kemi pagën minimale më të varfër në Evropë. Lexoja para dy ditës se një shqiptar paguhej 2 dollarë në ditë. Më e ulëta.

Dikush thoshte me krenari, që meqë pagat i kemi më të ulëta dhe i paguajmë më pak nga gjithë Evropa për orë pune, ne jemi konkurrent dhe konkurrojmë më treg sepse investimet e huaja vijnë në Shqipëri meqë krahu i punës të lirë. Kjo nuk është provuar. Në dy vjet jemi vendi që kemi thithur më pak investime më të ulëta. Është e domosdoshme kolegë që nuk mund të mos jem dakord që paga minimale në Shqipëri minimalisht mund të dyfishohet. Dhe pse është kjo kaq e vështirë, që njerëzit të marrin ndihmë ekonomike më të lartë, paga më të larta, pensione më të larta. Kjo do të thotë jo vetëm më shumë dinjitet, por më shumë konsum. Kushdo të që do të marri ndihmë ekonomike dhe pension më të lartë, nga tepricat e këtij buxheti që nuk mblidhet, ai do të konsumojë më shumë. Ekonomia do të përfitojë më shumë. Duke thënë këto edhe njëherë i adresohem kolegut tim Eduard Bejko, duhet të them që duhet të bëjmë më shumë jo vetëm për shtresën e varfër, por edhe për shtesën e mesme.

Unë nuk jam kundër të pasurve. Unë besoj se të pasurit do të bëhen më të pasur ditën që të varfëri do të jetojnë më mirë. Sepse çfarë bëjnë të varfërit, konsumojnë dhe blejnë më shumtë tek të pasurit. Nëse ka më shumë të varfër, ka më pak të pasur. Nëse ka më pak të varfër, ka më shumë të pasur dhe ky është thelbi. Si garantojmë më shumë zhvillim edhe më shumë harmoni sociale që ai që është i mjerë të jetojë pak më mirë, sepse nëse ai jeton pak më mirë, edhe ai që është i pasur jeton pak më mirë, ka më shumë bollëk. Po ju marr një tjetër rast për taksat. Gjithmonë për shtresën e mesme se nuk i kemi përkrahur kur kemi ardhur në pushtet. A e dini sot ju që një ekspert që punon me një bankë, taksohet më shumë se pronari i bankës? Është e vërtetë. E dini që një djalë apo një vajzë që administron një kompani, taksohet më shumë se pronari i kompanisë. A e dini që një ekspert, një nëpunës, taksohet më shumë se një biznesmen? Kush nuk bë beson, ia them. Për fat të keq duke deformuar të famshmen taksë progresive, të cilën e mbroj deri në fund, ne deformuam në mënyrë progresive taksën progresive, dhe ua them përse në rastin e shtresës së mesme të paktën. Ne taksojmë më shumë punën se kapitalin. 
Dhe kjo është diferenca e majtë që duhet të kemi me këta. Këta janë të djathtë në thonjëza se nuk janë farë të djathtë, por supozohet se kanë një model të djathtë që s’e aplikuan për tetë vjet, por ne nuk mund të shkojmë tek modeli i këtyre që taksojmë më shumë atë që punon se atë që bën biznes. E dini ju që kush fiton 1 mijë euro në Shqipëri taksohet më shumë se ai që fiton 1 milion euro. Ai që fiton 1 mijë euro në Shqipëri, taksohet 23 për qind dhe ai që fiton 1 milion euro taksohet 15 për qind. Dhe ky është një model që duhet ta ndjekim duke demoralizuar dhe poshtëruar 10 apo 20, apo 30 mijë mendje në Shqipëri, se nuk po flasim për biznesmenë, por flasim për mendje dhe kjo është diferenca në parim. Nuk mund të mos rri pa e thënë këtë gjë. Kë taksojmë ne, pasurinë apo mendjen? Çfarë na mungon ne në Shqipëri? S’na mungon neve as uji, as deti, as nafta, as mineralet, as dielli, as toka, as mali, as era, se këto janë pasuritë që ka një vend. E dini çfarë na mungon neve? Mendja. Sepse ne shkojmë e taksojmë më shumë mendjen. Ata 20 apo 30 mijë mendje të ndritura të këtij vendi, ekspertë, ekonomistë, inxhinierë, bankierë, vajza e djem që kanë studiuar në Shqipëri, janë kthyer se besojnë se këtu është e ardhmja. Ne u themi atyre jo, 23 për qind taksë do të paguani. Po pse duhet të paguaj një nëpunës i një bake 23 për qind taksë kur pronari i një banke paguan 15 për qind. Unë them që kjo korrektohet. Kjo shkallë e taksimit duhet të korrektohet për të stimuluar më shumë mendjen se mëndja na mungon. Dhe për të taksuar aq sa e meriton, aq sa ishte, apo aq sa është, apo diçka më shumë, kapitalin, apo pronën, apo pasurinë, diçka që nuk e bëjmë. E pra, unë dua që të taksohet mëndja më pak se pasuria dhe këtë s’mund të mos e them.

Duke përfunduar, jam i bindur që ka edhe kemi akoma mundësi për t’i dhënë pak më shumë harmoni Shqipërisë. për të garantuar një shoqëri më harmonike e cila nuk ka qa polarizim mes të pasurve dhe të varfërve, mes nesh dhe atyre që na shohin në televizor, mes atyre që jetojnë me 400 lekë ne ditë. Dhe mendoni se neve kemi arsye të mburremi në këto 20 vjet kapitalizëm? Unë nuk mburrem, më vjen turp. Më vjen turp që nuk kam bërë më shumë për aq sa kam pasur mundësi. Por sidomos kjo shumicë ka më shumë mundësi të nxjerrë 400 mijë veta nga tortura e 400 lekëve në vit. Sepse do të dalim tek ajo që ambasadori gjerman tha para dy ditësh. 600 mijë shqiptar në një ditë kërkojnë azil politik në Gjermani, ja pra, janë këta që jetojnë me 400 lekë në ditë. Dhe mund të pranojmë ne që Evropa i trajton të varfërit dhe të mjerët e Shqipërisë më mirë se ne. Proporcionalisht them dhe duhet të shpërndajmë më shumë se çmundemi dhe më shumë se ç’duhet për 400 mijë njerëz që jetojnë me 400 lekë në ditë.

Mendoj se shoqëria jonë ka vetëm një rrugë, ose të pranojë e të mësojë të paguajë çmimin e bashkëjetesës me të varfërit, ndryshe falimenton. Kjo shoqëri ka për të falimentuar nëse nuk mësohet se si të bashkëjetojë me 400 mijë apo me 500 mijë të varfër të cilët nuk po pakësohen, për fat të keq janë po ata që ishin edhe kur ishin këta në pushtet se nuk ka rrugë tjetër.

Në fund duhet ta mbyll duke i bërë të njëjtën pyetje mikut dhe kolegut tim Eduard që po ti çfarë mendon. Ja pra këtë mendoj. Mendoj që duhet të bëjmë një zgjedhje Eduard dhe zgjedhja është vetëm kjo: Të shkojmë dhe të mbështesim ata që kanë nevojë. Unë për vetë e kam bërë zgjedhjen time pa asnjë kompromis. Do jem gjithmonë dhe vetëm e vetëm me ata që na sollën në pushtet, por sidomos me ata që kanë më shumë nevojë për ne sot dhe kjo është shumë e thjesht për t’u bërë.

Ju ftoj të gjithëve për t’u bërë pjesë e kësaj.

Falëminderit, zoti Dule.