Blushi: Nëse do ishin gjallë 4 të vrarët e 21 janarit do ngriheshin kundër Rilindjes

62
Jam i shokuar sot nga ajo çka dëgjova për 21 janarin dhe mendoj se si do të mbrohesha vetë nëse do më duhet të mbrohesha për një apo disa vrasje. Ajo që u tha sot ishte se pushteti nuk merret me dhunë dhe që pushteti mos merret me dhunë ai duhet mbrojtur me armë. Unë them se është ndryshe. Pushteti mbrohet me armë kur sulmohet me armë. Në 21 janar të vitit 2011 kjo nuk ndodhi. Pushteti nuk u sulmua me armë dhe nuk kish pse të mbrohej me armë. Megjithatë ata që mbrohen sot për 21 janarin thonë se pushteti mbrohet me armë. Po çështja është kush e thotë këtë? Kush thotë se pushteti nuk merret me armë? Janë ëngjëj që dolën nga librat e demokracisë së botës dhe zbritën në parlament për të na bërë moral? Janë pacifistë, budistë, gandistë, rugovistë, janë murgj kinezë apo priftërinj katolikë shqiptarë të dhunuar në shejtninë e tyre? Jo janë politikanë shqiptarë. Në 20 vitet e fundit më ka rastisur të shoh dy herë të shtëna armësh në bulevard. Herën e parë kam qenë brenda kryministrisë dhe herën e dytë jashtë kryministrisë. Hera e parë ishte 14 shtatori i vitit 1998 dhe hera ë dytë 21 janari i vitit 2011. Në shtator 1998 kryministria u sulmua me armë. Qeveria doli që andej për të mos vrarë ata që e qëllonin. Për fat të mirë në ndërgjegjien tonë, që ishim atë ditë aty, nuk rëndon asnjë vrasje. Me mirë zyrat bosh apo arkivolet bosh? Ne bëmë këtë zgjedhje dhe besoj se nuk e patëm gabim. Qeveria u zbraz dhe arkivolet nuk u mbushën. Ata që qëlluan donin të merrnin pushtetin me dhunë dhe për gati 10 orë e morën. Kryeministrinë dhe televizionin shtetëror, i pushtuan. Unë i pyes sot çfarë ishte kjo? Ishte një grusht shteti me armë me tanke dhe me kallashë. A u sulmua qeveria me armë në 14 shtator 1998? Nuk besoj se ka njerëz në PD që e kundërshtojnë këtë. Atëhere pyetja është me kë jeni ju me 21 janarin apo me 14 shtatorin? Sepse është e pamundur të jesh me të dyja. Është e pamundur të jesh edhe me armën edhe me viktimën, edhe me të zezën edhe me të bardhën, edhe me paqen edhe me luftën. Vjen një ditë kur duhet të zgjedhësh? Me kë jeni ju sot? Të dyja nuk mund të jenë të vërteta. Ose qëndron 14 shatori ose qëndron 21 janari. Unë them se pacifistët kanë të drejtë të jenë kundër jush edhe në 14 shator edhe në 21 janar. Pacifistët do kishin të drejtë në të dyja rastet, kurse ju e keni gabim në të dyja. Edhe në shtator 98 edhe në janar 2011. E dini pse? Sepse në të dyja raste armët ishin në dorën tuaj. Po si ka mundësi që gjithmonë armët janë në një dorë? Si ka mundësi që edhe kur jeni në pakicë edhe kur jeni në pushtet, ju reagoni me armë? Unë besoj se e kam një përgjigje. E keni ndërtuar normën politike jo mbi ligj, por mbi kanun. Në 21 janar ju vratë. Në 14 shtator tentuat të vrisnit. Nëse nuk ndaheni nga norma kanunore do vrisni prapë sepse askush ndër ju, dhe kjo me habit, nuk është ngritur të thotë që në 14 shtaor dhe në 21 janar, në të dyja rastet keni qenë në anën e gabuar të historisë. Ajo që më habit është se si nuk ka njeri ndër ju që ta bëjë këtë diferencë. Na kundershtoni ne për taksat, për koncesionet për arsimin, për korrupsion, për rendin dhe për shëndetësinë, por mos merrni armët për të na bindur se keni të drejtë. Atë ditë do jeni një parti e çliruar nga kanuni dhe e mbrojtur nga ligji. Kjo është çështja. Duke mos pranuar se i keni vrarë kur nuk duhej ju i keni vrarë dy herë, Ziverin, Hekuranin, Aleksin dhe Faikun. Por nuk është vetëm kaq dhe ky dëm që i keni bërë trupës reaguese në këtë vend është disa fish më i madh. Ju keni ngjallur dyshimi se në këtë vend qeveria të vret nëse e kundërshton. Këtë frikë nuk e ka sot një gjerman, nuk e ka një grek, nuk e ka një maqedon, nuk e ka një bullgar nuk e ka një turk, por sigurisht që e ka një shqiptar. Për shkak të 21 janarit. Ata të katër u vranë pa shkak, por e keni pyetur veten se çdo bënin në se do ishin gjallë? Unë mendoj se e di. Ata nuk janë më por arsyet se pse ata dolën në prostestë janë aty. Nëse nuk do iknin në emigracion, Ziveri, Faiku Aleksi dhe Hekurani mund të dilnin sërish në protestë kundër varfërisë, korrupsionit dhe koncesioneve. Nuk dalin dot se janë vrarë. Nese do ishin gjallë ata të katër mund të dilnin sërish në rrugë kundër korrupsionit dhe koncesioneve. Nuk dalin dot se janë vrarë. Ata mund të dilnin serish në protestë me fëmijët e tyre studentë kunder ligjit të arsimit të lartë. Nuk dalin dot se janë vrarë. Mund të dilnin në protestë se përmbyteshin cdo vit, se nuk merrnin shërbimet e duhura, se nuk ndërtonin dot, se nuk paguanin dot ilacet me pensionet dhe rrogat e tyre mirezabël, por ata nuk dalin dot. E dini pse? Se janë të vrare, të kallur dhe të mbytur në dhe. Ata nuk janë më. Dhe bashkë me ta edhe fryma protestuese e këtij vendi e cila nga 21 janari është e ndrydhur, e dobësuar, e lemerisur, e braktisur, e dhunuar dhe e lincuar. Ata të katër nuk janë më. Sepse ata janë vrarë. Shqipëria nuk humbi vetëm katër burra, ajo humbi forcën për të kundërshtuar dhe kjo është edhe më e rëndë se vrasja e katër burrave. Në këtë kuptim unë them se 21 janari nuk është vetëm kaq sa themi ne. Ai nuk është një vrasje. Më 21 janarin e vitit 2011 ne kemi shkurtuar numrin e kundërshtarëve të çdo qeverie, të çdo mjerimi dhe të çdo abuzimi. Duke i vrarë ju e keni kthyer 21 janarin në një datë aleate të çdo qeverie. Sepse në 21 janar kanë fituar qeveritë mbi popullin dhe prandaj mendoj se nuk do këtë drejtësi për 21 janarin fatkeqesisht. Sepse popujt nuk i fitojnë dot gjyqet me qeveritë. Te pakten në Shqiperi ende jo.