Blushi në Kuvend: Ky parlament duhet t’i dorëzohet drejtësisë

431
Unë isha në Bruksel gjatë takimit të dy parlamenteve dhe dua të them dy fjalë: ajo që kuptova është se Evropa kërkon të na integrojë, por ne nuk duam. Në fakt e krijova këtë përshtypje, duke parë mënyrën sesi tolerojnë defektet e sistemit tonë, varfërinë ekonomike, korrupsionin, ineficencën e administratës shqiptare, padrejtësinë, tendencën për të ikur nga vendi, si dhe mungesën e gravitetit të plotë të shumicës së reformave që bëjmë. Edhe progres raporti i fundit ishte shkruar më mire se çdo ta shkruante çdo shqiptar që ikën në emigracion sot. Kur them këtë, jam i bindur se Evropa ka vendosur të na integrojë kështu si jemi, pa e humbur durimin. Dhe unë besoj se kjo është qasja më e drejtë. Më mirë një vend që integrohet kështu siç është në Evropë, sesa një popull, që për shkak të lodhjes, detyrohet të emigrojë në Europë, nga pak çdo ditë, derisa të zvogëlohet në pikën, kur bëhet i paqeverisshëm. Në të vërtetë, prej disa vitesh besoj se Evropa bën çdo përpjekje për të na afruar dhe ne bëjmë çdo përpjekje për t’u larguar. Kjo ndodhi edhe në Bruksel para dy ditësh. Duket sikur prej disa vitesh në parlamentin tonë ka dy palë: një palë që kërkon të bashkohet me Evropën dhe tjetra e e pengon. Në fakt, megjithëse të dyja palët ndryshojnë herë pas here, vendet është vetëm një palë që humb: është pala e tretë. Ajo e shqiptarëve. Për faj të truqeve që ky Kuvend, apo palët politike në këtë vend i ngrenë njëra- tjetrës me një fantazi që do ishte për t’u pasur zili nga çdo i çmendur, integrimi i shqiptarëve në Evropë shtyhet dhe shtyhet dhe nuk mbaron kurrë, por vetëm fillon dhe rifillon. Disa vite më parë ne shpikëm qarkun e Fierit, tani ka arsye të tjera, që lidhen, sa me procedurat e deri me ping pongun absurd, se kush duhet të kalojë më shpejt në kalendat greke të këtij parlamenti: ligji i dekrimininalizimit, apo reforma në drejtësi. Këtë dëgjova në Bruksel, edhe gjatë kësaj jave. Jam i bindur që europarlamentarët që flasin me ne ia bëjnë këtë pyetje vetes: A janë të gjitha palët në Shqipëri dakord për t’u integruar në Evropë? Unë them se janë, por secila me kushtet e veta. Por, meqë ky debat u zhvillua edhe në parlamentin Evropian, dua ta sjell edhe këtu. Kolegët e opozitës kushtëzuan reformën në drejtësi jo në thelb, por në procedurë. Sipas tyre, ky parlament i mbushur me kriminelë nuk ka të drejtë morale të miratojë reformën në drejtësi dhe më parë duhet të kryhet dekrimininalizmi, pra pastrimi i Kuvendit dhe pastaj të votohet reforma në drejtësi. Nuk është një qasje që duhet të hidhet poshtë detyrimisht, për sa kohë që është afërmendsh që kriminelët nuk mund të zgjedhin gjykatësit dhe prokurorët e tyre. Në të vërtetë ky është një perceptim popullor, që ne bëjmë ligje që i kapin të gjithë, përveç nesh. E megjithatë, unë vetë jam me opsionin e kundërt. Është e vërtetë se ky parlament nuk i ngjan asnjë parlamenti tjetër në Evropë sot .Ka aq shumë njerëz me të shkuar kriminale, saqë nganjëherë të duket vetja në kushte paraburgimi. Është në turpin e atyre që i futën, që i përdorin për të marre vota, duke e ditur se kush ishin dhe sigurisht në turpin e atyre, që i mbrojnë ende sot. Ky parlament do hyjë në analet e shtetit shqiptar si më qesharaku i të gjitha kohërave. Por, fatkeqësisht ai është legjitim. Populli shqiptar, që nuk ka një ofertë tjetër, përveç dy ofertave, i votoi pa parë emrat, por duke parë vetëm listat e partive. Pra çdo njeri këtu, megjithëse nuk është në vendin e vet, është i votuar. Pyetja ime është kjo: A do ishte ky parlament, kaq i shëmtuar dhe i ndotur, nëse Shqipëria do kishte drejtësi? Sigurisht, që jo. Drejtësia do ishte dhe duhet të jetë pengesa kryesore e ndotjes politike. Një drejtësi e pavarur, e cila nuk barazon kriminelin me të drejtin, nuk fsheh krimet dhe nuk favorizon korrupsionin, është e vetmja mundësi për ta pastruar këtë parlament. Unë vetë nuk besoj me se dy palët politike dhe ata që marrin vendime në emër të tyre kanë fuqinë dhe aftësinë e duhur për të pastruar parlamentin. Ka vetëm dy mundësi që nuk janë konsumuar: E para, është populli shqiptar. Nëse ai merr vendime për të na nxjerrë të gjithëve jashtë, këtë nuk e ndalojmë dot. E dyta, është drejtësia. Nëse drejtësia funksionon, një pjesë e madhe e anëtareve të këtij Kuvendi nuk do shkelin më këtu. Për shkak se e kam këtë bindje prej kohësh unë besoj se reforma në drejtësi është reforma e reformave. Nëse ka një punë që nuk mund të ikim, është reformimi drejtësisë, jo vetëm si kusht i Bashkimit Evropian, por në radhë të parë si shpagim. Ky parlament mund të lajë llogaritë me zgjedhësit e vet vetëm duke reformuar drejtësinë. Ose më saktë, duke iu dorëzuar drejtësisë. Ky do ishte i vetmi akt moral, që ia vlen të mbahet mend prej nesh. Prandaj them se çdo truk procedurial për të kushtëzuar dekrimininalizmin me reformimin e drejtësisë është i pavend dhe i pagjetur si truk. Vetëm drejtësia mund ta përmirësojë politikën shqiptare. Vetëm një drejtësi e pavarur mund të na detyroje të kemi frikë nga ligji, të ndëshkohemi dhe të mbajmë përgjegjësi për aktet tona. Ka një debat të madh sot në vend se kush meriton të shkojë në burg dhe në fund të fundit për çfarë. Sot shkon në burg si shofer, për shkelje semafori, shkon në burg si student, se proteston, shkon në burg si konsumator se s’paguan energjinë, shkon në burg si fukara se ndërton çatinë e shembur të shtëpisë, shkon në burg si klient se nuk ke kupon, shkon në burg si biznesmen se nuk ke paguar gjithë taksat, shkon në burg si gazetar se mund të kesh thënë të vërtetën, apo ta kesh shtrembëruar atë. Po si politikan, a shkon në burg? Deri tani jo. Ka një ndryshim mes gjithë këtyre zanateve që përmenda. Ata janë të gjithë zgjedhës, edhe shoferët, edhe studentet, edhe klientët, edhe të varfrit, edhe biznesmenët. Janë zgjedhës. Ndërsa ne jemi të zgjedhur. Dhe unë kam një pyetje për të gjithë ne: Nëse shkon në burg si zgjedhës, po si i zgjedhur, a shkon në burg? Ne ende nuk kemi bërë asnjë reformë për të ndëshkuar veten. Edhe kur kjo është e detyrueshme në përdorim procedurën për të shmangur drejtësinë. Atëherë, a kanë të drejtë zgjedhësit, në këtë rast fukarenjtë, të varfrit, klientët, studentët, sipërmarrësit dhe gazetarët të na pyesin: Po ju a shkoni në burg dhe nëse shkoni, kur do shkoni? Ja marrim për shembull azilkërkuesit. 100 mijë këtë vit, sa një qytet sa Elbasani zhduket çdo vit. Marrim të rinjtë, sepse shkojnë në shkolla dhe nuk gjejnë punë, nuk ka asnjë vend që edukon më keq rininë se vendi jonë. 200 mijë shqiptarë kanë aplikuar për lotari amerikane, pse duan të ikin. Ne nuk mund të mos kemi një përgjigje për këta njerëz. Ata nuk po ikin vetëm se janë të varfër. Ata po ikin, sepse shohin se njerëzit që bëjnë më shumë dëme nuk ndëshkohen. Ndëshkimi i tyre për pandëshkueshmërinë tonë është braktisja. Ne jemi një klasë politike, të cilës po i ikin zgjedhësit e vet. Prandaj ka ardhur koha të ndëshkojmë veten tonë. Ka ardhur koha që në vend të shqiptarëve, të ikim ne. Ose, t’i dorëzohemi papunësisë, ose t’i dorëzohemi drejtësisë. Rrugë të tretë për ne nuk ka.
Somario
Sigal