Blushi: Mocion në Kuvend për shkarkimin e Edi Ramës

470
Pas deklaratës së Ilir Metës për ngritjen e një qeverie besimi, ka reaguar edhe kreu i LIBRA-s, Ben Blushi, i cili i ka propozuar kreut të LSI-së të çojë në mocion qeverinë “Rama”. Vetë Blushi ka premtuar edhe 2 votat e LIBRA-s në Kuvend pro rrëzimit të kryeministrit Rama.

“Kriza sot është më e thellë se dje dhe nesër do të jetë akoma më e rëndë se sot. Fatkeqësisht ne kemi pushtuar veten! Krimi, korrupsioni dhe padrejtësia janë armiq që duhen mundur. LIBRA do të hyjë në zgjedhje, por duket sikur zgjedhje nuk ka apo se mund të shtyhen. Kush i bën zgjedhjet në Shqipëri? Partitë e vjetra! Këto parti janë treguesit më të qartë të dështimit spektakolar për t’i dhënë të drejtën e votës shqiptarëve”, tha Blushi. Ai shtoi se, së fundmi partitë e vjetra janë duke sekuestruar të drejtën për t’u zgjedhur lirisht. 

“LIBRA beson se çdo përpjekje për të hequr nga kutitë krimin dhe korrupsionin është e vlefshme. Sot ka një debat për zgjedhjet. LIBRA nuk beson se vendi ka mundësi sot të përballojë një bashkëqeverisje të partive të vjetra, për t’i vënë shkelmin vendit. Bashkëqeverisje ka, mund të ndodhë, do të ishte një vjedhje në bashkëpunim. Ne nuk mund të marrim pjesë në shqyerjen në copa copa të vendit. Por, nëse do ta bëjnë këtë, të paktën ta bëjnë me kushtin që pas kësaj të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Blushi. 

Deputeti i LIBRA-s ftoi palët politike për një mocion kundër Ramës në Kuvend. “I them të gjithë atyre që kanë votat në Parlament, përfshi dhe LSI-në, që është gjysma e qeverisë, që nëse duan të bëjnë mocion për të rrëzuar qeverinë, ne do jemi me votat tona pro. Jemi gati për ta rrëzuar këtë qeveri çdo ditë, ashtu siç jemi gati me të gjitha palët politike për të dialoguar. Por ne nuk jemi gati për të zëvendësuar një qeveri të Edi Ramës, me atë të Sali Berishës. Të shkosh nga Rama tek Berisha është më keq të shkosh nga shiu në breshër”, tha Blushi.
Sigal