Blushi: Ministrat do ecnin më shpejt nëse ndryshon makina e qeverisjes

459
Deputeti socialist, Ben Blushi i ka quajtur të vonuara lëvizjet e fundit në qeveri. Në një prononcim pranë Kryesisë së Kuvendit, Blushi nuk u ndal tek emra të përveçëm por kritikoi mënyrën e qeverisjes që sipas tij, është në drejtimin e gabuar. “Ndryshimet i mora vesh nga mediat. Lëvizjet në qeveri të vonuara. Nuk kam arsye të komentoj emrat, problemi nuk janë emrat, por mënyra si qeveriset, më shumë se emrat. Shumë pak politika për të varfrit. Performanca e administratës fiskale shumë e dobët. Mënyra si po qeveriset nuk është drejtimi i duhur”, tha Blushi. Në këtë kontekst ai tha se duhen ‘politika më të arsyeshme, për të mbështetur të varfrit për të mos deleguar shërbimet publike tek privatët’. “Për të bërë politika pak më të arsyeshme dhe dashamirëse për të varfrit. 31% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5 mijë lekë në ditë. Nuk ka vend në Europë që i trajton më keq se Shqipëria të varfrit. Ka më pak njerëz që asistohen nga shteti. Ka 400 mijë njerëz që jetojnë me 400 lekë të reja në ditë. Nëse këta njerëz nuk ushqehen, nuk arsimohen kostoja për shoqërinë më e lartë”, deklaroi Blushi. Deputeti socialist tha se qeveria duhet të nxisë eksportet. “Çfarë prodhojmë ne? Edhe ato të mira që na ka dhënë Zoti nuk i shfrytëzojmë si duhet. Unë nuk dua tkomentoj emrat”, u shpreh Blushi
PËRGJIGJJA PËR RAMËN
Por deputeti socialist i ka kthyer përgjigje edhe kryeministrit Edi Rama pas deklaratave të tij me të cilat e përcaktoi ambicien e Ben Blushit për kreun e PS si një lodër. Rama tha se kohën që ka për lodra ia dedikon të birit, Zahos. Por Blushi i kujton atij se mbetet një njeri që e ka mendjen te lodrat, dhe si të tillë konsideron partinë, politikat qeverisëse, madje edhe ministrat. “Shqipëria ka akoma njerëz seriozë, në moshë të pjekur që dinë si të qeverisin që nuk shkojnë në shtëpi të luajnë. Nuk kam arsye të komentoj njerëzit. Ndryshimi është i vonuar. Por duhet një mënyrë tjetër qeverisje që është aleate me shtresën e varfër. Kur flas, flas për të mbrojtur parimet me të cilat erdhëm në pushter”, theksoi Blushi. Teksa iu përgjigj akuzave të kryeministrit Rama, Blushi theksoi se nuk komenton asnjë nga deklaratat të atyre që e kanë mendjen tek lodrat. Sipas Blushit, Rama e konsideron partinë dhe qeverinë si lodër.
“Këtë duhet të pyesni njeriun që e konsideron partinë dhe qeverinë si lodër. Ndërron një elefant, apo një qen me lesh me një ketër. Unë jam serioz e dua të flas për politikën. Të flasim për politikën që prodhon zbrazje demografike e varfëri.”, tha Blushi. Ndër të tjera, deputeti kontrovers Ben Blushi tha se nuk ka rëndësi të ndryshojnë emrat e ministrave, por vetëm metodën qeverisëse. “Duhet të ketë ndryshime në metodën qeverisëses. Nëse ata orientohen siç duhen, ata nëse hipën në ndonjë makinë tjetër pak më shpejt, do ecin. Por kjo qeveri ecën shumë ngadalë. Unë besoj se partia ka arsye të njihet dhe ndryshimet. Dje ishim në mbledhje grupi por këto ndryshime nuk u thanë.”, theksoi Blushi.
Sigal