Blushi: Masakra mbi LIBRA-n, 71 kuti, minus 90 vota. KQZ duhej të rinumëronte Tiranën

487
Kryetari i partisë LIBRA, Ben Blushi ka denoncuar përmes një tabele të KQZ-së, vjedhjen e votës në kryeqytet. Ai shprehet i bindur, se vjedhja ka qenë masive dhe për këtë fakt, një përgjegjësi të madhe ka KQZ në fund të numërimit, e cila nuk mori parasysh denoncimet dhe të rinumëronte të gjitha kutitë e Tiranës. Sipas Blushit në kryeqytet është bërë masakër me votat e vjedhura. Ndërsa shton se partia e tij ka qenë me e dëmtuara. LIBRA-s i janë vjedhur me qindra vota, pasi ajo nuk ka pasur numërues. Kryetari i kësaj parie ka shkruar në rrjetin e tij social Facebook se KQZ nuk mund të mbulojë krimin elektoral me anë të një kallëzimi penal. Janë 76 komisionerë, të cilët u dërguar për hetim në Prokurorinë e Tiranës. Por Blushi është i bindur se, vota është vjedhur në të gjithë Shqipërinë dhe për këtë duhet të ketë përgjegjës të tjerë. Sipas tij, në krye të kësaj masakre në zgjedhjet e 25 qershorit kanë qenë liderët e forcave kryesore politike në vend. Në kryeqytet u hapën vetëm 64 kuti të kontestuara nga PDIU dhe Blushi thotë se u gjetën 90 vota të vjedhura Libra-s. Ai është i sigurt se nëse do të hapeshin kutitë në të gjithë vendin rezultati do të ishte fatal dhe partitë e mëdha do të dilnin shumë herë me më pak vota se sa ato të certifikuara tashmë nga KQZ. “KQZ pranoi se të paktën 76 numërues kanë vjedhur vota në Tiranë në vetëm 64 kuti. Tirana ka 1198 kuti dhe kaq duhet të mjaftonte, që gjithë qarku i Tiranës të rinumërohej. Në 64 kuti që rinumëroi KQZ mungojnë 50 vota për LIBRA-n, ndërsa në 7 kuti të tjera që u bënë publike mungonin 40 vota. Kjo do të thotë se vetëm në 71 kuti në Tiranë, LIBRA-s i kanë vjedhur 90 vota. Mjafton vetëm kaq që KQZ-ja ta rinumërojë gjithë Tiranën. KQZ do ishte bashkëpunëtore në grabitje, nëse nuk vendos të ndryshojë rezultatet, duke rihapur të gjitha kutitë. Edhe me kaq sa është njoftuar, del se LIBRA është partia më e grabitur në këto zgjedhje, çka është për turpin e atyre që e kanë bërë”, ky është postimi i plotë i Ben Blushit në faqen e tij Facebook.
Sigal