Blushi: Këtë javë mund të mbetemi pa qeveri

512
Mbaron sot afati i regjistrimit të partive, ndërsa KQZ mund ta shtyjë atë për 10 ditë. PD kundër: Oksigjen për Ramën
Deputeti i LIBRA-s, Ben Blushi, parashikon ditë të vështira politike dhe një të ardhme jo të mirë për Shqipërinë javën që nis sot. Sipas tij, Shqipëria mund të mos ketë qeveri, as Veting dhe as President, çka do ta rrëzonte komplet shtetin shqiptar. Blushi shkruan në rrjetet sociale se edhe vetë kriza ka hyrë në një krizë.

“Duke nisur nga kjo javë mund të kthehemi në një Republikë pa institucione. Mund të mos kemi Qeveri, mund të mos kemi Veting, mund të mos kemi President dhe mund të mos kemi Zgjedhje. Askush nuk po negocion dhe askush nuk do të negociojë. Shqipëria po shkon në rënie të lirë. Edhe vetë kriza po hyn në krizë”, shprehet Blushi.

Sot mbyllet afati i regjistrimit të partive në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa të martën është përcaktuar seanca e Kuvendit për ngritjen e komisioneve të vetingut, por opozita ndodhet ende në bojkot parlamentar. Mosvotimi nga opozita i anëtarëve të komisioneve të Vetingut mund ta bllokojë këtë proces, pas përzgjedhjes së kandidatëve nga Avokati i Popullit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Gjithashtu, Kuvendi ende nuk ka nisur procedurën e zgjedhjes së Presidentit të ri Republikës dhe për këtë ende nuk ka një datë të përcaktuar, ndonëse në fillim të majit deputetët do të shpërndahen për të nisur fushatën elektorale për zgjedhjet e 18 qershorit. Palët politike ende nuk kanë përcaktuar nëse do të ketë një dialog mes tyre për zgjidhjen e krizës politike në vend. 

PD: Jo shtyrjes së afatit të regjistrimit
Duke komentuar deklaratën e kreut të KQZ-së, Denar Biba sipas të cilit mund të shtyhej afati i regjistrimit të Partisë Demokratike, deputeti demokrat Luçiano Boçi tha se shtyrja është absurde. Ai deklaroi se ndërkohë që opozita flet për dinozaurët e krimit dhe të drogës, Rama nxjerr Bibën e KQZ-së. “Kjo zgjatja e dhënë nga kryetari duket pak absurde dhe i ngjan bombolës së oksigjenit që KQZ-ja ia vendosur Ramës, me qëllim që Rama të zgjasë agoninë e karriges së tij. Kërkon ta shtyjë në limite opozitën. Ne Ramës i flasim për dinozaurët e krimit dhe drogës dhe Rama na tregon Bibën e KQZ-së. Këtu ka një zhbalancim, sepse këtu është kryeministri që thotë unë nuk e shkel Kushtetutën dhe nxjerr KQZ-në, e cila shkel Kodin Zgjedhor që është Kushtetuta e zgjedhjeve. Afati i regjistrimit të partive politike është i përcaktuar shumë qartë dhe nuk mund t’i nxjerrë as Biba nga xhepi as Rama nga Facebook-u”, tha Boçi. Ai tha se skadimi i datës së regjistrimit është mbarimi i afatit të Edi Ramës, duke shtuar se shtyrja e zgjedhjeve nuk është kërkesë e PD-së.

“Pa qeveri teknike nuk ka regjistrim as të Partisë Demokratike dhe as të aleatëve të saj për të vazhduar procesin zgjedhor. Ajo që kërkojmë ne është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kjo është pjesë e betejës tonë, pa largimin e Ramës, pa qeveri teknike nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mbarimi i këtij afati për të mos u regjistruar, është mbarimi i afatit për Ramën. Urdhëron ushtarët e tij të shtyjnë të tilla data. Nuk është kërkesë e Partisë Demokratike shtyrja e datës së zgjedhjeve”, u shpreh deputeti demokrat.
Patozi: Rama i hodhi shanset në kosh
Deputeti i PD-së, Astrit Patozi, u shpreh se Rama është ai lloj politikani që shanset e arta që ka i hedh në “kosh”. Patozi madje bën analogji, si ish-gazetar, se Rama është si ata që e bëjnë lajmin m*t dhe jo anasjelltas. “Ekziston një anekdotë e vjetër, që veteranët e medias së pas viteve 90 në Shqipëri e mbajnë mend shumë mirë. Sipas të cilës ka vetë dy lloje reporterësh. Të parët, që e marrin m*tin dhe e bëjnë lajm. Ndërsa të dytët, që bëjnë të kundërtën, pra e marrin lajmin dhe e bëjnë m*t. Kërkoj ndjesë për zhargonin, por dua t’i qëndroj besnik origjinalit, sepse çdo përshtatje për shkaqe etike do t’ia zbehte kuptimin”, shprehet Patozi. Sipas tij, po të bënim analogji të thjeshtë me politikën, i bie që pa asnjë mëdyshje Edi Rama i përket racës së dytë. “Që do të thotë se është nga ata që edhe shansin e artë e hedhin në plehra, ndërkohë që ka të tjerë, të cilët edhe ditën e qametit mund ta kthejnë në favorin e tyre. Ndaj mos u habisni tek shikoni se si ka përfunduar sot “prijësi” i një milion votave, i cili është i vetmi politikan në botë, që mbështetjen popullore për partinë e tij e ka quajtur shuplakë për kundërshtarin”, u shpreh Patozi.

“Në këto kushte kam vetëm një urim për të, të cilin jam shumë i sigurt se do të ma dëgjojë. Zoti i shtoftë inatin dhe “frymëzimin”! Është aleati më i mirë që kemi pasur në këto 4 vjet”, nënvizoi deputeti demokrat. 
Sigal