Bllokohet komisioni hetimor për ish-ministrin Tahiri, deputetëve nuk u lëshohen certifikatat e sigurisë

518
Bllokohet Komisioni Parlamentar për hetimin e ish-ministrit Tahiri
Akuza e deputetit të PD-së: Nuk na pajisin me certifikatën e sigurisë
Kanë kaluar 6 javë që nuk u jepet certifikata e sigurisë deputetëve anëtarë të Komisionit Parlamentar Hetimor ndaj ish-ministrit Tahiri. Pa certifikatën e sigurisë, as deputetët nuk mund të informohen me dokumente sekrete, për të hetuar çështjen “Tahiri”. 
Akuza e deputetit Alibeaj


Deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj, anëtar i Komisionit Parlamentar Hetimor të çështjes “Tahiri”, thotë se puna për këtë proces ka ngecur, pasi sipas tij, prej 6 javësh deputetët e opozitës nuk pajisen me certifikatën e sigurisë. Deputeti Alibeaj ka denoncuar këtë situatë, duke shtuar se “Rama bllokon opozitën për hetimin në Komisionin “Tahiri”. Alibeaj thotë se pa certifikatën e sigurisë, anëtarë e Komisionit dhe kryetari, nuk mund të shohin dokumentet sekretë që kanë filluar të vijnë nga disa institucione.
6 javë, asnjë veprim hetimor
6 jave pas ngritjes së komisionit hetimor “Tahiri”, nuk është bërë asnjë veprim i rëndësishëm hetimor, sepse puna e anëtarëve, përshirë kryetarin, është bllokuar me urdhër të arkitektit dhe përfituesit kryesor të kanabizimit të vendit, kryeministrit Edi Rama. Me një urdhër të paligjshëm, Edi Rama ka urdhëruar Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), që të vonojë dhe bllokojë pajisjen me certifikatë sigurie të deputetëve të opozitës në Komision. Pa asnjë arsye ligjore, Drejtoria, nën varësinë direkt të Ramës, ka refuzuar zyrtarisht edhe pajisjen tonë me certifikatë provizore sigurie, pavarësisht se kjo është një praktikë normale punë e DSIK-së dhe që jepet brenda ditës‎. Pa certifikatën e sigurisë, ne nuk mund të shohim dokumentet sekretë që kanë filluar të vijnë nga disa institucione. Pengimi i punës se Komisionit Hetimor është një veprim kriminal, për të cilin Drejtori i DSIK do të mbajë përgjegjësi! Askush nuk mund të pengojë veprimtarinë e Komisionit Hetimor, edhe kur urdhërohet nga Edi Rama apo mbrohet prej tij. DSIK, nën varësinë e Edi Ramës, është i njëjti institucion që ka pajisur me certifikate sigurie brenda ditës Saimir Tahirin, i certifikuar ndërkombëtarisht për trafik ndërkombëtar droge. Me shumë gjasë, Saimir Tahiri duhet ta ketë akoma të vlefshme certifikatën e sigurisë dhe, po të ishte anëtar i komisionit, do të shihte dokumentet sekrete që provojnë se ai ka qenë në dijeni, ka ndihmuar, ka bashkëpunuar dhe ka përfituar nga trafiku i drogës, duke e shndërruar policinë në një organizatë kriminale. DSIK, që po bën kamikazin politik për Edi Ramën kundër opozitës, ka pajisur më certifikatë sigurie edhe drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, që sot janë në kërkim ndërkombëtar për të njëjtën vepër penale si Saimir Tahiri, trafik ndërkombëtar droge. Edi Rama nuk e shpëton dot Saimir Tahirin! Siç thotë sot gazeta gjermane “Die Welt”, “Tahiri është një nga ato raste që prishin dhe përcaktojnë imazhin e Shqipërisë në pjesën tjetër të Evropës.”
Sigal