Bllokohet caktimi i komisionit ad-hock

525
Seancë e jashtëzakonshme për caktimin e antarëve të komisionit ad-hock

Dy ditë më parë Kreu i Kuvendit Ilir Meta njoftoi, se të hënën më datë 6 në orën 17:00, Parlamenti do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për ngritjen e Komisionit ad-hock, që miraton anëtarët e institucioneve të Vettingut, të cilët do të dalin nga lista e dorëzuar nga Avokati i Popullit Igli Totozani e që më pas u kontrolluan nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Seanca e sotme vjen në kuadër të afateve kohore të përcaktuara nga Kushtetuta, për ngritjen e komisioneve ad-hoc. Ligji themeltar i shtetit, i miratuar me konsensus në mesnatën e 21 dhe 22 korrikut, përcakton në nenin ‘c’ të saj:

Kushtetuta:
“Brenda tre ditëve nga marrja e listës së kandidatëve, të cilët i plotësojnë kriteret formale, listës së kandidatëve, të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale dhe listës së rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Kuvendi krijon një komision ad-hoc me gjashtë anëtarë të ndarë në mënyrë të barabartë midis shumicës dhe pakicës parlamentare”.

Por në kushtet e bojkotit të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, ky proçes duket se do të bllokohet, ndaj dhe Kryeministri Rama i ka bërë ftesë demokratëve të ulen në një tryezë dialogu për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull, Vettingun reformën në drejtësi si dhe reformën zgjedhore. Ndërkohë që demokratët kanë paralajmëruar, se nuk do të jenë në seancën plenare të ditës së sotme.

Pak orë para seancës plenare për Vetting-un/ Rama takon Metën, Vasilin, Xhafën dhe Ruçin
Pak orë para nisjes së seancës së jashtëzakonshme plenare, krerët e koalicionit qeverisës kanë zhvilluar një takim 60-minutësh tek ‘Vila 30’.Në takim merrnin pjesë kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa si dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi. Krerët e maxhorancës gjatë takimit të nisur në orën 14:25 kanë diskutuar për seancën e sotme parlamentare, ku opozita ka shprehur qëndrimin e saj hapur se nuk do të marrë pjesë. Burime pranë takimit bëjnë me dije se krerët janë konsultuar për të gjetur konsensus, nëse do të vendoset sot votimi për zgjedhjen e emrave të kandidatëve të komisioneve të vettingut, për të cilin palët janë konsultuar edhe me ndërkombëtarët. Në përfundim të takimit, Gramoz Ruçi u pyet se “cilët janë 3 emrat që propozon mazhoranca?”. Por përgjigjja e tij ishte e prerë, “për emrat ndiqni seancën e sotme plenare”Ashtu siç u paralajmërua ditën e premte, Kuvendi mblidhet sot në një seancë të jashtëzakonshme për ngritjen e komisioneve ad hoc për Vettingun. Ditën e sotme do të mblidhet dhe Konferenca e Kryetarëve, ku do të diskutohet rreth çështjes së rendit të ditës në Parlament.

Apeli – Meta letër partive: Brenda orës 16:00 dorëzoni emrat për komisionet e Vettingut
Kreu i Kuvendit Ilir Meta u është drejtuar me një letër krerëve të grupeve parlamentare, përmes së cilës kërkon të dorëzohen propozimet për emrat e komisioneve të Vettingut. Afati për dorëzimin e tyre është ora 16 00 e ditës së sotme, dy orë para nisjes së seancës së jashtëzakonshme parlamentare. Parlamenti mblidhet në orën 18 00 për të votuar dy projektvendime.

I pari : “Për procedurat parlamentare për funksionimin e komisioneve ad hoc dhe realizimin e procesit të votimit sipas ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”
I dyti: Projektvendimin “Për krijimin dhe përbërjen e komisionit ad hoc për verifikimin e kandidatëve për institucionet e rivlerësimit sipas ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve” Të dy vendimet kërkojnë shumicë të thjeshtë.

Pak para seancës plenare për Vettingun, Rama qëndron 90 minuta në zyrën e Metës
Dy orë pas takimit në “Vilën 30”, kryeministri Rama i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit për t’u takuar sërish me kryeparlamentarin Ilir Meta. Takimi i nisur në orën 17:10, ka zgjatur plot 90 minuta. Ky takim pritet të sjellë edhe ndryshime në diskutimet e parashikuara për mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve dhe seancës së jashtëzakonshme plenare të parashikuar për të filluar në orën 18:00.

Rreth orës 15:00, kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit Meta kanë zhvilluar një takim ku të pranishëm ishin edhe ministri Vasili e deputeti Ruçi.
Partia Socialiste nuk do të paraqesë ende propozimet e saj për komisionin e Posaçëm Parlamentar për ngritjen e trupave të Vettingut.
Socialistët kanë vendosur të presin qëndrimin e Partisë Demokratike, e cila nga ana e saj ka paralajmëruar bojkot të seancës parlamentare.
Kështu në Kuvend në seancën e sotme nuk do të ketë votim për emra anëtarësh.

Palët politike kishin afat deri në orën 16:00 për të paraqitur propozimet e tyre, për të kaluar më pas në seancën e orës 18:00. Shanset për të ngritur organet e vettingut janë të pakta sepse që të ndodhë kjo duhet të jetë e pranishme edhe opozita.

Gjatë seancës pritet që socialistët të votojnë projektvendimet e rendit të ditës dhe të presin për seancën e radhës qëndrimin e opozitës për të marrë pjesë në këtë komision.

Dështon seanca për Vettingun, maxhoranca tërhiqet
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për miratimin e anëtarëve të komisionit ad hoc për vettingun duket se ka dështuar. Nga të dhënat e fundit mësohet, se Kuvendi do të mblidhet një ditë tjetër. Shkak për shtyrjen është bërë edhe mungesa e opozitës. Gjatë ditës Rama u takua dy herë me kreun e Kuvendit, Ilir Meta, ku në fokus ka qenë pikërisht çështjen e Vettingut. Opozita duket e vendosur në qëndrimin e saj për të mos u bërë pjesë e këtij procesi pa qeveri teknike.

Vettingu, dosjet kthehen tek Totozani. Edhe një javë aplikime
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në seancën e jashtëzakonshme të kësaj të hëne kthimin e dosjeve të kandidatëve për komisionet e Vettingut tek Avokati i Popullit për rishqyrtim. Vendimi është miratuar me 81 vota pro, ato të mazhorancës, ndërkohë që deputetët e opozitës së djathtë nuk kanë qenë të pranishëm në sallë. Votimi vjen pas dy takimeve të bërë më herët gjatë ditës nga krerët e koalicionit qeverisës, kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit Meta, të shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tyre, përkatësisht Gramoz Ruçi dhe ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili. Në seancë plenare, Ruçi ka akuzuar presidentin e Republikës, se nuk ushtroi kompetencat e tij për reformën në drejtësi. Siç e kërkon ligji, duhen 27 anëtarë për të plotësuar vendet vakante të organeve të Vettingut, ndërkohë që Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka përzgjedhur si kandidatë 21 nga ata që plotësojnë kriteret formale. Por ONM-ja ka dhe një listë tjetër dhe sipas saj janë 79 anëtarë nga ata që Avokati i Popullit i kishte klasifikuar në listën e atyre që nuk plotësonin kushtet formale, të cilët mund të kualifikohen, nëse u jepet një shans tjetër. Pikërisht kthimi i procesit tek Avokati i Popullit, që këtyre 79 kandidatëve t’u kërkohet dokumenti që u mungon, ishte zgjidhja e arritur në takimin e partnerëve të koalicionit. Avokatit të Popullit do t’i lihet një javë kohë për të vendosur, se cilët do të jenë kandidatët përfundimtarë për anëtarët e komisioneve dhe më vonë do të dalë lista me të paktën 3 emrat e mazhorancës, që do të kontrollojnë punën e Avokatit të Popullit. 
Sigal