Bllokmenët nën kupolën e qeverisë së Berishës

464
Sigal

Akuzat më të rënda që i bëhen opozitës dhe Partisë Socialiste nga maxhoranca janë padyshim ato që kanë të bëjnë me trashëgiminë e të kaluarës komuniste. Në të vërtetë këto akuza ngjisin dhe besohen, pasi PS ka në gjirin e saj përgjithësisht ish-kontigjentin e anëtarëve të ish-Partisë së Punës. Mirëpo duket një abuzim i pastër po të akuzosh vetëm PS-në, sepse në të vërtetë bllokmenët dhe trashëgimtarët e bllokmenëve janë edhe në koalicionin qeverisës të Berishës. Nuk është e vështirë t’i konstatosh ata në rangje të ndryshme të qeverisë aktuale dhe në shërbimin diplomatik të kësaj qeverie. Emrat e tyre janë shumë të njohur dhe lakohen vazhdimisht nëpër faqet e shtypit dhe në media, duke bërë të zhvlerësohen akuzat që selia blu lëshon herë pas here në drejtim të kampit kundërshtar në opozitë. Për shembull, zëvendëskryeministri dhe ministri i METE-s, Edmond Haxhinasto është një nga pinjollët e denjë të ish-diktaturës. Nëna e tij ka qenë një nëpunëse mjaft e besuar në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së. Mirëpo, me përmbysjen e diktaturës, ish-studenti Edmond Haxhinasto e gjeti mënyrën të bëjë karrierë, të futet në formacionet politike, derisa në koalicionin aktual arriti të mbajë një nga postet kyç: atë të zëvendëskryeministrit, ndërsa ka mbajtur postin e ministrit të Jashtëm dhe tani është ministër i METE-s. Kryeministri e di fare mirë se njeriu që mban në krah rrjedh nga familjet e privilegjuara të diktaturës, të cilën ai e anatemon orë e çast. Arsyetimi se Haxhinasto i përket LSI-së që është një formacion i majtë dhe fraksion i PS-së, nuk qëndron. Sepse LSI prej afro katër vjetësh është bërë pjesë e koalicionit të djathtë qeverisës.  Dhe pot ë arsyetosh më tej, do të na dalë se ish-funksionarë të njohur të diktaturës dhe ish-komunistë të devotshëm i shërbejnë me të njëjtin devocion edhe qeverisë së sotme. Natyrisht, duke gëzuar të gjitha privilegjet që pasojnë funksionet e larta.