Bllokadë makinave me origjinë nga Amerika dhe Kanadaja

3828
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Qeveria jonë i bën bllokadë SHBA dhe Kanadasë

DPSHTRR: Ndërpritet shërbimi për regjistrimi i mjetet e importuara nga SHBA dhe Kanada

Para disa javësh qeveria miratoi VKM që të ndalojë nga 1 janari 2019 futjen në Shqipëri dhe regjistrimin e të gjitha makinave që janë të prodhuara mbi 10 vite. Këtë vendim drastik qeveria e justifikoi si masë mbrojtëse për të mbrojtur mjedisin nga ndotjet, ndërkohë, që qeveria nuk merr asnjë masë për të monitoruar, kontrolluar cilësinë e karburantit që përdorin makinat në Shqipëri, ku shumë herë janë denoncuar fakte që në pikat e shitjes të karburanteve shitet edhe mazut i përzier me naftën. Në fakt, ky vendim i qeverisë është shërbesë që u bëhet monopoleve të makinave, që kanë importuar në Shqipëri makinat dhe i kanë stoqe, sepse nuk u shiten, ngaqë kanë vendosur çmime shumë të larta. Qeveria nuk e bazon VKM-së e ndalimit të makinave në bazë të moshës së tyre, në cilësitë dhe kushtet teknike që ka makina, apo në perimetrat, sipas standardeve evropiane të lejueshme të gazrave që çliron makina gjatë djegies së karburantit, sepse mund të ketë makina që janë prodhuar në vitet e fundit, mirëpo mund të kenë përshkuar qindra mijëra kilometra dhe mund të ndotin mjedisin më shumë, sesa një makinë me moshë më të madhe, por me shumë pak kilometra të bëra dhe me kushte teknike shumë të mira.

Shqipëria bllokadë ndaj SHBA dhe Kanadasë

Sikur të mos mjaftonte kjo VKM e qeverisë për ndalimin e importit të makinave në bazë të vitit të tyre të prodhimit, qeveria përgatit që të vendosë bllokadë edhe ndaj SHBA dhe Kanadasë, për të ndaluar importin e makinave, të çdo lloj marke dhe pa përcaktuar as vitin e prodhimit. Edhe kjo bllokadë ndaj SHBA dhe Kanadasë për ndalimin e importit të makinave bëhet për t’u shërbyer monopoleve vendase, që shqiptarët të mos kenë asnjë mundësi zgjedhëse për të blerë makina, veçse të shkojnë e të blejnë stoqet e monopoleve të atyre që kanë makinat këtu dhe që kanë edhe çmimet e shtrenjta. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor njofton se, pas datës 12 nëntor 2018 do të ndërpritet shërbimi për disa mjete me dokument shoqërues teknik origjine nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose Kanadasë. Sipas DPSHTRR-së, kjo vjen pas problematikave të përcjella nga Drejtoritë Rajonale dhe ankesat e qytetarëve në portalin qeveritar e-Albania për disa mjete që importohen nga këto dy vende. “Nisur nga problematikat e përcjella nga Drejtoritë Rajonale po ashtu edhe ankesat e qytetarëve në portalin qeveritar e-Albania, për disa mjete që importohen nga USA ose Canada, me dokumentet shoqërues me treguesit teknik nga origjina, me përshkrimet “Destruction” (shkatërrim) ose “Parts only” (pjesë këmbimi) ose “Not to be registered” (nuk mund të regjistrohet) ose “Junk” (mbeturinë) ose shënime të tjera të ngjashme ju njoftojmë që: Bazuar në VKM nr. 153, datë 07.04.2000 “Për miratimin e Rregullores në zbatim të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë” e ndryshuar, konkretisht neni 237, pika 1, germa b dhe Udhëzimi nr. 1, datë 18.01.2012 “Për dokumentacionin e qarkullimit dhe regjistrimit të mjeteve me motor dhe rimorkiove të tyre” i ndryshuar, konkretisht neni 3, pika 3 dhe 5, për mjetet që importohen nga USA ose Canada, nëse dokumentet shoqëruese me treguesit teknik nga origjina, përveç të tjerave janë me përshkrimet “Destruction” (shkatërrim) ose “Parts only” (pjesë këmbimi) ose “Not to be registered” (nuk mund të regjistrohet) ose shënime të tjera të ngjashme, shërbimi për regjistrim në DPSHTRR do të refuzohet pas datës 12.11.2018, pavarësisht faktit që këto mjete kanë kryer formalitetet doganore duke u klasifikuar si automjete”, thuhet në njoftimin zyrtar të DPSHTRR.