Blerja e votës trondit Parlamentin Evropian

551
Europarlamentarët Kukan dhe Flekenshtajn, njëkohësisht raporterët për Shqipërinë pranë Parlamentit Europian, janë shprehur kategorikisht kundër kalimit të reformës në drejtësi me trafikim të votave në parlament. Në një prononcim për mediat, Kukan dhe Flekenshtajn thanë se blerja e votës është e papranueshme dhe theksuan se reforma në drejtësi duhet të kalojë me konsensus dhe jo me imponimin e njërës palë mbi tjetrën. Sipas europarlamentarëve, miratimi i reformës në drejtësi pa opozitën nuk shtrohet si çështje. “Çështja shtrohet nëse ata e kanë mazhorancën për çka kërkohet dhe në dijeninë time kjo bëhet me 2/3 e votave për të ndryshuar Kushtetutën. Nëse i kanë këto vota është në rregull, por pa i blerë ato, pasi nëse votat blihen kjo është e papranueshme për këdo”, u shprehën ato. Reagimi i europarlamentarit vjen në një kohë kur nga Partia Socialiste po tentohet të kalohet në mënyrë të njëanshme drafti i ndryshimeve kushtetuese lidhur me reformën në drejtësi, ndërsa Ambasadorët e akredituar në Tiranë janë shprehur se deputetët duhet të vendosin vetë mbi votën e tyre. 

“Blerja e votës nuk është një praktikë europiane dhe ne e refuzojmë kategorikisht atë në çdo shoqëri demokratike. Çdo përpjekje e tillë e ngjashme për të zgjidhur çështjen e një projekti kaq të rëndësishëm sikurse është reforma në drejtësi, nëpërmjet blerjes së votës, është thjeshtë e paimagjinueshme në Parlamentin Europian. Prandaj është e rëndësishme për të gjithë liderët politike të flasin dhe të gjejnë rrugët për të arritur një marrëveshje. Asnjë blerje vote dhe asnjë imponim i një pale mbi një tjetër nuk është rruga e duhur, por procesi duhet të ketë mbështetjen e të gjitha forcave politike, sepse vetëm atëherë mund të sjellë progresin e qëndrueshëm të një vendi”, u shpreh Eduard Kukan. Drafti për ndryshimet Kushtetuese është depozituar në Kuvend, ndërsa opozita insiston në respektimin e amendamentit 88 të Komisionit të Venecias. Sipas PD-së, përsa kohë Kryeministri Edi Rama nuk do të pranojë këtë amendament, deputetët e saj nuk do të mbështesin draftin e miratuar nga Komisioni për Reformën në Drejtësi vetëm me votat e mazhorancës. Çdo votim i draftit në Kuvend, pa siguruar 94 votat pro ndryshimeve kushtetuese, bën që për të paktën 1 vit Parlamenti të mos përfshijë në kalendarin e punimeve të tij të njëjtën çështje. 
Sigal