Blerja e votës në Shqipëri njihej, por nuk u-bë asgjë

439
Sigal

Deimel: Blerja e votës njihej në Shqipëri, por asgjë nuk u bë

Dr. Johanna Deimel, eksperte për Ballkanin, për vite me radhë ka qenë zëvendësdrejtoreshë e Shoqatës së Evropës Juglindore në Gjermani, në një intervistë për DW u shpreh se Shqipëria është në krizë politike. Por kursi konfrontues nuk është i ri, thotë ekspertja për Ballkanin, Johanna Deimel. Edhe akuzat për blerjen e votës u ngritën që pas zgjedhjeve 2017, por asgjë nuk u bë, vëren ajo. Johanna Deimel: Sigurisht demonstratat paqësore janë një e drejtë bazë demokratike. Për fat të keq në të kaluarën e afërt në Shqipëri demonstratat janë organizuar gjithmonë nga opozita e radhës, herë pas here ka pasur dhunë, ato janë keqpërdorur e kanë çuar në kriza të rënda politike. Akuzat përsëriten: Kur ishin socialistët në opozitë, akuzohej Partia Demokratike për korrupsion e lidhje me struktura kriminale. Tani është PD që akuzon Edi Ramën për lidhje të tilla. Për fat të keq kursi konfrontues e karakterizon për një kohë të gjatë Shqipërinë. Audiopërgjimet që u publikuan në fillim të shkurtit nga “Voice of America” donin të provonin blerjen e votave nga PS. Për fat të keq blerja e votës është një fenomen i njohur i zgjedhjeve të fundit parlamentare, edhe vëzhguesit e OSBE kanë raportuar për parregullsi përkatëse. Problemi është, se pas kësaj asgjë nuk ndodhi. Rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2017 e njohën të gjitha partitë politike, edhe ne ndërkombëtarët, e para së gjithash edhe BE. Pra, parimisht është e drejtë që nga ana e BE thuhet që çështja t’i jepet drejtësisë që të ndërmarrë hapat e duhur. Edhe nëse sistemi i drejtësisë ende nuk i përgjigjet kritereve evropiane të ligjshmërisë dhe ndodhet nën ndikimin e politikës. Por po ashtu ne të gjithë e dimë, se për këtë duhet të ketë qëndrime të qarta dhe në raste shkeljesh Brukseli dhe Uashingtoni duhet të tregojnë vijat e kuqe. Nocionin “stabilokraci” unë e kam përdorur për herë të parë në një analizë për Shqipërinë në tetor 2012. Ai përdoret sot gjerësisht mes ekspertëve, por unë kam dashur të përshkruaj një sistem gjithnjë e më autokratik, që tolerohet nga ana e ndërkombëtarëve, si dhe BE gabimisht në emër të një stabiliteti. Besoj, se zhvillimet e sotme në Shqipëri janë shkas për shqetësim të madh, sepse ky stabilitet nuk është i garantuar më. Duhet të ndryshojë diçka në mënyrë thelbësore. “Stabilokraci” Shqipëria nuk është më, më shumë “një destabilokraci”, për ta variuar termin tim. Me gjendjen e tanishme nuk ka për të pasur negociata anëtarësimi. Nëse do të kishte një gjuhë të përbashkët, do të kishim pasur prej kohësh reformën zgjedhore, edhe reforma në drejtësi do të kishte ecur më përpara. Do të kishte pasur procese gjyqësore të mbyllura edhe në nivele të larta që dyshohen për korrupsion apo lidhje me kriminalitetin, e jo vetëm kundër peshqve të vegjël. Do të kishim pasur edhe një Gjykatë Kushtetuese funksionuese, për shembull.