Blerim Çela: Lidhjet e mia me Berishën, roli i tij në FRD, ndryshimet Berisha-Topi dhe zgjedhjet e 2013-s

468
Sigal

INTERVISTA/ Flet anëtari i Kryesisë së Partisë FRD dhe ish-Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Blerim Çela

Kur  e keni njohur dhe kur e keni takuar për herë të parë Sali Berishën?

 Z. Berisha e kam njohur për herë të parë në Dhjetor të vitit 1990 nëpërmjet televizorit, ndërsa takim personal me të kam bërë rreth datës 17 dhjetor në krahun perëndimor të xhamisë se Et’hem Beut, ku e pashë të shoqërohej nga Ismet Haxhia e Adem Berisha. E ndalova dhe i thashë se isha simpatizant i tij dhe i PD-së. Falemners shumë!- m’u përgjigj dhe më ftoi të shkoja në zyrat e PD-së. “Kam qenë,- i thashë,- por nuk po më aktivizojnë, atje impjantova kontabilitetin dhe çova libra llogarie e dokumentacion kontabël.”. “Eja sonte”-më tha.  Shkova tek PD-ja (ish- shtëpia e gjeneral Spiro Moisiut) dhe aty z. Berisha më futi në mbledhjen e komisionit nismëtar për themelimin e PD-së për degën e Tiranës. Më tej karriera ime në PD dihet.

Kur u shkëpute përfundimisht nga Berisha?

Prej tij jam shkëputur përfundimisht në fund të vitit 2009.

     Arsyet i kam radhitur gjerë e gjatë në librin tim. Kush ka interes, ta lexojë se me një intervistë nuk mund të jepen. Kryesorja ishte monopolizimi i partisë prej tij, eliminimi i demokracisë së brendshme në parti, mos funksionimi i strukturave drejtuese dhe mos respektimi i statutit të partisë, krijimi i një klani të vogël njerëzish që kishin e kanë pushtet absolut në parti e në shtet, koalicioni i pa natyrshëm me LSI-ne vetëm për ta mbajtur në pushtet atë dhe klanin e tij, pavarësisht se hodhi në rrugë mijëra militantë të PD-se për t’u liruar vendet anëtareve të LSI-së. Pushteti nuk merret për të zënë karriget një kryeministër e disa ministra, po për te zbatuar një program zhvillimor dhe demokratik se bashku me militantet e vet.

-A ka pasur ndikim tek ju në periudhën që ishit në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe cilat ishin këto ndikime?

Ai ka qenë President i Republikës dhe ka patur të drejtë kushtetuese të kërkonte prej meje kontrollin e ligjeve dhe zbatimin e tyre nga administrata shtetërore, prandaj ndikimin i tij ka qenë kushtetues dhe unë e kam respektuar dhe informuar për kontrolle të rëndësishme në mënyrë periodike. Mënyrën e funksionimit të KLSH-së e kam patur të pavarur dhe tek tuk kemi patur edhe përplasje, të cilat më shumë i quaj personale se sa institucionale, prandaj nuk e shoh të drejtë t’i përmend.

– Jeni penduar që keni qenë anëtar i PD-së dhe pse?

Jo vetëm që nuk jam penduar që kam qenë anëtar i Partisë Demokratike, por e kam për nder që isha pjesë e forcës politike më progresive të mbas Luftës Dytë Botërore që shembi regjimin komunist dhe hodhi themelet e ekonomisë së tregut të lirë dhe të institucioneve demokratike duke e futur Shqipërinë në bllokun Euro-Atlantik në harmoni të plotë me vokacionin perëndimor të popullit shqiptar.

    Jo vetëm unë, por e gjithë FRD nga anëtari më i thjeshtë e deri tek kryetari, janë krenarë që kanë bërë pjesë në Partinë Demokratike dhe kanë respekt për anëtarët e saj. Ata janë shokët tanë të qendrës së djathtë, të cilën tashmë ne e përfaqësojmë përballë një partie që ka humbur identitetin e saj duke rrëshqitur majtas me mos kthimin e pronave e të tokës tek ish pronarët e ligjshëm dhe deri tek keqtrajtimi i të përndjekurve politikë, të cilët jo vetëm nuk po dëmshpërblehen për vuajtjet e tyre gjate sistemit komunist,por po ri-ndiqen përsëri politikisht vetëm se kërkojnë të drejtën e tyre te mohuar për t’u integruar në shoqëri.

Cilat janë gabimet më të mëdha të Berishës në krye të qeverisë 8 vitet e fundit?

Monopolizimi i të gjitha pushteteve në dorën e tij duke shembur çdo kriter demokratik të funksioneve të institucioneve të pavarura, pra ka prishur në mënyrë të ndërgjegjshme balancën e pushteteve duke e kthyer vendin tonë në një Republikë jo demokratike ku shtypi edhe mediat janë në pjesën dërmuese në dorën e tij. Ato retushojnë gabimet e fajet e qeverisë. Korrupsioni është bërë shqetësues, mjaft të përmendim rezultatet e KLSH-se për vitin 2012 me 130 milionë dollarë vjedhje, shpërdorime e abuzime me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Fajtorët as pushohen nga puna e as dënohen megjithë denoncimet e KLSH-së. Me kulturën e pandëshkueshmërisë korrupsioni jo vetëm nuk po luftohet, por po lulëzon. Janë ulur ndjeshëm ritmet e rritjes së PBB, është rritur borxhi publik  jo vetëm ai i deklaruar mbi 60 % të PBB, por edhe ai i fshehtë, që siç thotë Banka Botërore, është 2 % e PBB e përfaqësohet nga detyrimet e pashlyera biznesmenëve që kanë kryer punime e shërbime , por nuk janë paguar. Mos harrojmë se 2 % te PBB janë rreth 220 milion euro. Vetëm nga pagesa e interesave të borxhit publik, Shqipëria paguan rreh 400 milion euro në vit pa ulur principalin. Rritja ekonomike do të çonte në uljen relative të borxhit publik, por me këtë strukturë e sistem financiar që ai ka ndërtuar, me ketë administratë militante të pashkolluar ose me diploma të falsifikuara, nuk mund të stimulojë bizneset për të ulur ulur informalitetin që është sa 40 % e të ardhurave vjetore buxhetore. Bursa e letrave me vlerë dhe e kapitaleve megjithëse u premtua nuk u realizua, dhe pa një bursë vlerash nuk mund të ketë ekonomi tregu efektive dhe as mundësi të investimeve kapitale nga individët që janë ngulur tek bonot e thesarit për të cilat qeveria urdhëron Bankën e Shqipërisë të ulë normat e interesit që të blejë bono nga qytetarët me çmime të lira, pra në dëm të të ardhurave nga kursimet e qytetarëve. Nëse nuk është kështu, përse nuk ulen dhe normat e interesave të kredidhënies për bizneset nga bankat e nivelit të dytë, por i detyrojnë ata t’u rikthehen fajdeve si në 1997 ? Shqipëria ka qenë vend eksportues i prodhimeve bujqësore e blegtorale, sot importon rreth 1 miliard euro nga tregu rajonal se bujqësia merr fonde vetëm 0,44 % të PBB dhe nuk është në gjendje të kullojë, të vadisë , të financojë farërat e fidanët, të eliminojë monopolin në plehrat kimike që e mbytën fshatarin me çmimet e larta, të kontrollojë cilësinë e perimeve që po i shiten popullit me hormone e dëmtojnë shëndetin e tij. Erozioni nga shfrytëzimi pa kriter i lumenjve ka çuar në det mijëra hektarë tokë dhe nuk merren masa ndaj biznesmenëve shkatërrues të lumenjve,pa përmendur thellimin e Bunës, sistemimin e Gjanicës, shembjen e rrugëve nga ndërtimet jo standarde, cilësinë e dobët të karburanteve, pasigurinë e qytetareve nga vjedhjet në mes të ditës, nga vrasjet dhe dhunimet etj… etj…etj..

-Mendoni se keni gjetur vetveten  në partinë e re FRD? Cilat janë të veçantat e Bamir Topit dhe ku dallohet ai nga Berisha?

Me duket se po. Kjo është një parti, ku ligjin nuk e bën njëshi, por strukturat e saj. Kryetari nuk do të jetë i përjetshëm , por do të zgjidhet vetëm 2 mandate. Kështu do të veprohet edhe për postet e larta në qeveri e administratë. FRD-ja ka hartuar një program modern falë bashkëpunimit me intelektualë cilësorë brenda radhëve të saj, por edhe me intelektualë të pavarur që e shohin me simpati këtë parti që ka udhëheqës që nuk bërtasin, nuk shajnë , nuk përlyejnë,nuk shpifin, por argumentojnë me tone të qeta si qytetarë normal. FRD-ja është shpresa e ardhme e qendrës së djathtë, prandaj besoj që shokët tanë PD-istë të vinë në partinë e tyre të vërtetë që ëndrrat dhe puna të mos u shkojë dëm. Puno PD-isti e fito LSI-isti. Berisha _Topi, të dy janë të shkolluar, por njeri është i pangopur me pushtet dhe tjetri lufton për të bërë shtet, njeri ulurit e akuzon në parlament kundërshtarët politike pa argumente, tjetri përdor fjalor qytetar , njeri flet shumë  për antikorrupsion , tjetri premton ta luftojë me një sistem funksional demokratik ku të mos ketë vend  nepotizmi, klientelizmi, uzurpimi i përjetshëm i posteve partiake e shtetërore, njeri kërcënon , ndërsa tjetri i drejtohet ligjit, njeri nxitohet dhe thotë edhe fjalën e fundit, tjetri matet përpara se ta nxjerrë fjalën dhe premtimin nga goja, njeri nxit konfliktin, tjetri nuk do konflikt, por konkurrencë të ndershme politike etj…

-A mendoni se Berisha do të marrë sërishmi pushtetin? A ka aleatë të jashtëm aktualisht Berisha?

Jo! Këtë më mirë se kushdo e di ai vetë. Thotë ”Do Fitoj” që të marrë sa më shumë deputetë për të mbrojtur veten në opozitë. Koha nuk punon për të. Jo! Berisha nuk ka më aleatë seriozë jashtë shtetit. Këtë e pamë edhe me zotin Fyle javën që shkoi.

-Cilat janë armët më të forta të FRD-së në këto zgjedhje dhe sa do ndikojnë ato në të ardhmen?

Zbatimi i demokracisë se brendshme në parti, mosmbajtja e posteve partiake e shtetërore me shumë se dy mandate, komunikimi me popullin dhe mbajtja e premtimeve të dhëna, ndershmëria, thithja e mendimit të njerëzve dhe zgjidhja e problemeve të tyre brenda mundësive që ka shteti, përpjekja për të ndërtuar një shtet funksional sipas meritokracisë, zhvillimi i arsimit cilësor , kulturës, biznesit, bujqësisë, turizmit, industrisë etj… me masa konkrete e në bashkëpunim me ta si partnerë të barabartë me qeverinë e jo si lopë për t’u mjelë. Mbi të gjitha kthimi i pronave, integrimi e dëmshpërblimi i të përndjekurve politike në një kohë të shkurtër.   Këto zgjedhje janë të parat, por edhe të fundit nëse FRD-ja nuk përfaqësohet në parlament. Unë merrem me organizimin, dhe me çfarë kam parë në terren, FRD-ja do të përfaqësohet denjësisht në parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 23 Qershorit me aq deputetë sa do të çuditet i madh e i vogël. Numrin nuk e them dot se nuk jam profet.