Bledar Çuçi:“Kuvendi rrëzon Kodin Zgjedhor”

495
Sigal

INTERVISTA/Bledar Çuçi, bashkëhartues i Reformës Zgjedhore: “Mandatet e deputetëve, sipas 2009-s, do të thotë që vota e një tiranasi vlen më pak se e kuksianit”

Bashkëhartuesi i reformës zgjedhore, Bledar Çuçi, në intervistën për “Telegraf”,  argumenton se, Kodi Zgjedhor, nuk i jep asnjë të drejtë ligjore sekretares së Përgjithshme të KQZ-së, që të përcjellë informim në Kuvend, dhe se vetëm KQZ-ja ka të drejtën që të marrë vendimmarrje për ndarjen e mandateve, në bazë të formulës që përcakton Kodi Zgjedhor, mbështetur në numrin e popullsisë në nëntor 2012. Kuvendi, sipas zotit Çuçi, duke i marrë KQZ-së kompetencat e ndarjes së mandateve, sillet si nusja, që për inat të mosdhënies së konsensusit nga minoranca e KQZ-së, shkon e fle me…mullixhiun.

– Zoti Çuçi, a ka kompetenca sekretarja e Përgjithshme e KQZ-së, të përcjellë në Kuvend  një shkresë informimi, për situatën në KQZ-zë, e paskëtaj, Kuvendi të fillojë procedurën e ndarjes së mandateve?

Në asnjë mënyrë jo. Në Kod, thuhet që marrëdhëniet me Kuvendin, i mban Kryetari i KQZ-së. Në këtë rast, të gjithë ne jemi përballë shkeljes flagrante të funksionimit të KQZ-së, ku sekretarja e përgjithshme, i çon një shkresë Kuvendit, që është shkelje e ligjit, për funksionimin e vetë Kuvendit. Tashmë, shkelja e ligjit bëhet nga Kuvendi, sepse Kuvendi nuk mund të vihet në lëvizje, e ca më shumë, për ndarjen e mandateve, nga çfarëdo letër, e kujtdo zyrtari të administratës së shtetit.

– Përcjelljen e shkresës së informimit nga sekretarja e Përgjithshme e KQZ-së, Kuvendit, me kë mund ta krahasoni, që ta kuptojmë më qartë?

– Nga pikëpamja juridike, ka të njëjtën vlerë me letrën, që mund t’i çojë shoferi i KQZ-së, Kuvendit të Shqipërisë. Kjo shkelje flagrante e ligjit për fillimin nga Kuvendi të ndarjes të mandateve, mbi bazën e shkresës së sekretares së Përgjithshme të KQZ-së, është skema e PD-së, për të miratuar ndarjen e mandateve sipas 2009-s, duke parë qartazi, që ndarja e mandateve sipas kritereve që parashikon Kodi Zgjedhor, e disfavorizon.

– Kodi Zgjedhor ka boshllëqe, që mund të interpretohen sipas dëshirave politike, sesi mund të ndahen mandatet?

– Kodi Zgjedhor e ka përcaktuar qartë se procedurën sesi përcakton mandatet dhe thotë, që institucioni propozues është KQZ-ja dhe institucioni miratues është Kuvendi. Ne jemi në momentin kur KQZ-ja akoma nuk e ka ezauruar procedurën për vendimmarrjen e saj, që është aplikimi i formulës në bazë të popullsisë për ndarjen e mandateve. Dhe, pasi merret ky vendim, atëherë i përcillet Kuvendit për miratim. Kuvendi, nuk priti të merrej vendimi, krijoi këtë artificë, nëpërmjet sekretares së Përgjithshme të KQZ-së. Është shkelje edhe e dinjitetit të Kuvendit, që të fillojë procedurën e ndarjes të mandateve nga një urdhër-shkresë e një nëpunëse të administratës së KQZ-së. – kur detyra e Kuvendit, është  të miratojë këtë ndarje mandatesh, në bazë të vendimmarrjes së KQZ-së, siç është vepruar në tërë zgjedhjet, që nga 1992-i e deri 2011-të! Kuvendi duhet të marrë vendimmarrjen nga të votuarit e tij në KQZ dhe jo nga të punësuarit e KQZ-së.

– Përse Kryetarja e KQZ-së ia la në dorë sekretares së Përgjithshme, për të përcjellë informimin Kuvendit?

– Këtu ka hile, sepse ndoshta, Kryetarja donte të shmangte nënkryetarin, ata e kaluan vendimin, që deshën, me firmën e sekretares.

Ju, si bashkëhartues i Kodit Zgjedhor, keni përcaktuar mundësitë e kapërcimit të ngërçeve në mosmarrjen e vendimeve konsensuale në KQZ?

Jo pa qëllim është vënë në Kod që disa vendimmarrje duhen të merren me konsensus dhe kjo, sepse KQZ-ja duhet të funksionojë në një klimë konsensusi. Sepse Kodi Zgjedhor duhet të zbatohen në mënyrë konsensuale dhe ky është arritja e marrëveshjes konsensuale të palëve politike.

Gjatë procesit të hartimit të Reformës Zgjedhore, në diskutimet e palëve politike, a janë parashikuar e diskutuar të gjitha mundësitë e mundshme, si këto ndodhi?

Patjetër, që i kishim parashikuar, i kemi diskutuar dhe kemi rënë bashkërisht dakort, derisa edhe Kodi është miratuar me konsensus, një kategori e caktuar vendimesh ka qenë e domosdoshme të merren me 5 vota. Kanë rënë dakord edhe ligjvënësit në Kuvend. Ky konsensus duhet të mbartet edhe në implementimin e tij.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, zoti Rusmajli, në seancën dëgjimore të Kryetarit e Nënkryetarit të KQZ-së, vendosi  se KQZ-ja tashmë nuk ka më kompetenca të rimarrë vendim për ndarjen e mandateve. A ka nen në Kod që të mbështetet ky vendim?

Unë nuk e gjej dot këtë nen që të mbështesë atë vendim të Rusmajlit, i cili nuk përmendi asnjë nen të Kodit, që ta mbështesë vendimin që mori. Përkundrazi, Kodi i ka dhënë kohë, deri në 7 mars, për miratimin e mandateve të 23 qershorit. Dhe KQZ-ja ka gjithë kohën e mjaftueshme që ta rimarrë çështjen, pasi ka mbetur pezull vendimmarrja dhe, paskëtaj, ta përcjellë, sipas Kodit, në Kuvend. Dhe, fatkeqësisht, pamë shfaqjen e radhës, ku në KQZ iu mohua kërkesa e 3 anëtarëve të KQZ-së, për ta futur në rend dite vendimmarrjen për ndarjen e mandateve.

Po, mosmarrja parasysh e kërkesës së 3 anëtarëve të KQZ-së, për të futur në rend dite një çështje, është e përligjur?

Nuk është e bazuar në ligj, prandaj edhe ne u shqetësuam. I gjithë ky proces është duke u gatuar jashtë Kodit Zgjedhor. Kjo paligjshmëri mund të bëhet shkak edhe për anulimin  e vetë procesit zgjedhor dhe zgjedhjet në vetvete.

Çfarë do të ndryshonte, në qoftë se KQZ-ja do ta rishqyrtonte edhe një herë ndarjen e mandateve, derisa pranoni të dhënat  e popullsisë të  Ministrisë së Brendshme?

Por, tani maxhoranca kërkon që mandatet të jenë po ato të 2009-s… Ata nuk duan ta futin më në diskutim, që ndarja e deputetëve të mos bëhet sipas formulës që parashikon Kodi Zgjedhor, në bazë të popullsisë së regjistruar në 2012-n.

– Domethënë rrëzohet projekti që u paraqit fillimisht, në bazë të ndryshimeve të popullsisë në qarqe, në 2012-n dhe mbetet ndarja e mandateve siç ishte në 2009-n?

– Prandaj, tani PD-ja, nuk do që KQZ-ja të rishqyrtojë ndarjen e mandateve, sepse KQZ-ja është e detyruar që të aplikojë  formulën që përcakton Kodi në bazë të popullsisë faktike në nëntor 2012, por, i leverdis që të mbetet ndarja e mandateve, sikurse ishte edhe në 2009-n, sepse PD-ja, mendon që del e zbuluar, sepse ka humbur shumë terren në qarqe të mëdha, sikurse është Durrësi e Tirana, në krahasim me 2009-n. Kuvendi, për inat pse minoranca nuk i jep konsensusin projektit të PD-së për ndarjen e mandateve, sillet si nusja, që shkon e fle me mullixhinë.

– Atëherë, a nuk bie barazia e votës, për të cilën garantohet Kodi Zgjedhor, derisa ndarja e mandateve nuk bëhet mbi numrin e popullsisë faktike në qarqe, por me vendimet e 2009-?

Padiskutim dhe kjo është shumë e qartë. Po qe se Kuvendi vendos që zgjedhjet e 23 Qershorit të bëhen me mandatet e 2009-s, kjo do të thotë pesha e votës së një tiranasi e durrsaku, është disa herë më e vogël se sa pesha e votës së një kuksiani. Kjo, krijon disbalancim të votës në qarqe të ndryshme.

– Derisa KQZ-së i hiqen e drejta të ndajë mandatet dhe ZAZ-et, çfarë roli i mbetet të luajë në procesin zgjedhor? Të përcaktojë dhomat e votimit e bojërat që do të përdoren?

– Maxhoranca, do të ishte më e ndershme që KQZ-në t’ja kalonte sekretares së Përgjithshme dhe të ndjekë anëtarët që i votoi Kuvendi, sepse i heq një nga të drejtat, ku koncetrohet gjithë konsensusi politik i procesit zgjedhor, siç është ndarja e mandateve.

Gjykata Kushtetuese mund të anulojë rezultatin e 23 Qershorit

Çfarë mund të ndodhë, po të ankohet një subjekt politik për ndarjen e mandateve jo sipas numrit të popullsisë të 2012-s, por të vendimit të KQZ-së të 2009-s?

– Në qoftë se një subjekt zgjedhor i interesuar dhe i pakënaqur nga rezultati i zgjedhjeve të 23 Qershorit, mund të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe të kërkojë pavlefshmërinë e rezultateve, pikërisht me pretekstin që ndarja e mandateve është jo kushtetuese. Dhe Gjykata Kushtetuese, mund të marrë vendimin që ndarja e mandateve është jo kushtetues dhe hedh poshtë edhe vetë rezultatin e zgjedhjeve. Ky është një skenar shumë i rrezikshëm, që mund të përdoret nga çdo palë humbëse.

– Faleminderit!