Biznesmeni padit deputetin: “Më kërkon 100 mijë euro”

540
Një biznesmen i njohur në Elbasan ka paditur në 4 korrik 2016 në organin e Prokurorisë së qarkut, një deputet të shumicës qeverisëse, duke e akuzuar atë për “presione, kërcënime për shkak të detyrës”. Kjo, pasi sipas një burimi të besueshëm nga organi akuzës “ligjvënësi prej afro 1 viti i ka kërkuar atij ortakëri në biznesin e tij fitimprurës dhe së fundi i ka vënë atij një gjobë prej 100 mijë euro, duke i dhënë afat kohor deri në 25 korrik 2016”. Organi hetimor u shpreh se “nga ky biznesmen i njohur në Elbasan, ne kishim edhe më parë sinjalizime të tërthorta për presione psikologjike nga deputeti dhe shpura e tij, por për ta vërtetuar informacionin e tij, ne vendosëm persona, të cilët kanë disa muaj që ndjekin aktivitetin e të dyve dhe kemi arritur t’i fotografojmë ata tek darkojnë, drekojnë, festojnë dhe duke u takuar edhe në publik”. Grupi hetimor ka nisur verifikimet e duhura, ndërkohë që ka prej datës 4 korrik 2016, që ka regjistruar dhe ka protokolluar padinë e biznesmenit. Gjithashtu mësohet se nga hetimet paraprake ka rezultuar se “deputeti i ka legalizuar biznesmenit të njohur 8 objekte pa leje, ka ndërhyrë gjithashtu për t’i dhënë leje ndërtimi, tendera dhe natyrisht që do të kërkonte edhe ortakërinë në biznesin e tij. 

Por duket se deputeti i pangopur, veç parave që ka marrë gjatë këtyre viteve dhe ortakërisë, ka kërkuar së fundi edhe 100 mijë euro, gjë të cilën biznesmeni nuk e ka pranuar. Mësohet se biznesmeni ka qenë i preferuari i qeverisjes së PD dhe ka marrë jo pak tendera dhe ka përfituar jo pak investime në 8 vitet e qeverisjes së kaluar. Por duket se ndryshimi politik dhe ardhja e socialistëve, e ka detyruar atë të “lidhet” edhe me ligjvënës të majtë. Dhe fakti është se në këto 3 vjet e gjysëm, ai ka përfituar tendera në Elbasan dhe mjaft qytete të tjera, falë gjithmonë ndërhyrjeve nga ligjvënësi shumicës, i cili ndoshta me të drejtë kërkon më shumë nga ai. Situata ka agravuar dhe tashmë është organi akuzës që ka marrë në dorë situatën. Por gjithmonë nga burimet e Prokurorisë Elbasan “çështja mund të kthehet edhe kundër biznesmenit të njohur, pasi ai në këto vite ka punuar me deputetin, janë faktuar se kanë qenë miq të pandarë bashkë, kanë ndarë milionat bashkë, kanë udhëtuar bashkë në Europë dhe më gjerë, dhe kanë korruptuar bashkë zyrtarë, komisione tenderash dhe njerëz të drejtësisë. Prishja e pazareve duket se ka prishur edhe “miqësinë” e tyre, e cila duket se do të ndahet hollë në dyert e organit të akuzës dhe gjykatë.

 Por pavarësisht faktit se një deputet lidhet me një biznesmen, ndihmon një biznesmen, të marrë tendera, investime, leje ndërtimi, të legalizojë objekte pa leje, problemi ndoshta qëndron në faktin se në Elbasan dhe kudo në këtë vend, po krijohen rrjete shumë të rrezikshme, të cilat po bëjnë bashkë biznesin e (pa) ligjshëm dhe ligjvënësin e ligjshëm, duke shfrytëzuar dhe mbushur xhepat me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Një tjetër rrezik serioz mbetet edhe kthimi i ligjvënësve në gjobëvënës të rëndomtë, duke ndotur imazhin e një deputeti, një zyrtari të këtij vendi, një njeriu që nesër do të dale sërish në krahun e kreut të partisë, duke kërkuar vota nga elektorati. Këta njerëz nuk duhet t’u afrohen më kurrë partive politike, por më e pakta duhet të përgjigjen para ligjit për krim të kryer nën petkun e mandatit të deputetit. Prokuroria duhet ta marrë çështjen seriozisht dhe të mos ndikohet nga miqësia e dikurshme e biznesmenit me deputetin, por të ndëshkojë maksimalisht një ligjvënës të votuar nga populli për t’i shërbyer atij. Raste të tilla duhet të bëhen shembull nga organi i hetimit, por ndoshta sërish në lojë do të duhet të hyjë politika, tarafi dhe së fundi çështja mbyllet për “mungesë provash”, kur dihet se dosja është e mbushur qysh ditët e para të hetimit.
Sigal