Biznesmeni Lulzim Hasballa kërcënon në Librazhd 2 gazetarë

1436
Sigal

Një rast tjetër, ku gazetarët kërcënohen në mes të qytetit të Librazhdit nga biznesmenë, madje edhe përpara policëve, të cilët tremben nga fuqia e biznesmenit dhe nuk veprojnë në bazë të ligjit. Gazetarët Agim Blloshmi dhe Ediola Terziu kallëzuan në polici biznesmenin Lulzim Hasballa për kërcënim me vrasje në qendër të qytetit, në prani të oficerëve të policisë, pasi më herët kishin bërë kërkime rreth disa tenderëve të fituar prej tij. Sipas kallëzimit në polici, Lulzim Hasballa ka ndaluar në mes të qytetit dhe më pas ka kërcënuar dhe ofenduar gazetarët Agim Blloshmi dhe Ediola Terziu. Gazetari Agim Blloshmi i tha se ka qenë në sheshin kryesor për të realizuar një kronikë për panairin e mjaltit, ndërsa Hasballa i shoqëruar nga persona të tjerë dhe në prani të një oficeri policie, që ndodhej aty pranë, e ka ofenduar dhe kërcënuar. “Na ofendoi dhe më tha: ‘Kush je ti që përmend emrin tim, unë të bëj copash, të vras!’,” tha Blloshmi. “Oficeri i policisë nuk ndërhyri”, shtoi ai. Blloshmi shpjegoi se arsyeja e kërcënimit ishte interesimi i tij pranë bashkisë dhe institucioneve lokale rreth tenderëve të fituar nga Hasballa dhe mohoi të kishte motive personale. Kallëzim në polici ndaj Hasballës ka bërë edhe gazetarja Ediola Terziu, ndërkohë që të dy gazetarët thonë se dëshmitarë të kërcënimit kanë qenë shumë njerëz. Hasballa mohoi të kishte kërcënuar me vrasje gazetarët, por pranoi se i kishte kërkuar llogari Blloshmit për disa shkrime në portale ku përmendej emri i tij. Kërcënimi i gazetarëve në Librazhd ndodh në kushtet e një klime të tensionuar në media, ku gazetarët kërcënohen dhe ende nuk ndëshkohen fajtorët.