Bizneset e huaja regjistrohen në Shqipëri për të kryer evazion fiskal

631
Sigal

Numri i ndërmarrjeve të reja me pronarë të huaj është përgjysmuar në 2017-n, sipas të dhënave të INSTAT. Në 2017-n u regjistruan 594 ndërmarrje të reja të huaja, 50.7% më pak se një vit më parë.

Dyshimet që kryenin evazion

“Bum-i” i këtyre bizneseve me pak të punësuar dhe që operonin kryesisht në sektorin e shërbimeve apo konsulencës u shoqërua me dyshimin se bënin evazion. Shumë biznese, sa regjistrohen në Shqipëri, kalojnë në status pasiv 5 muajt e fundit dhe shumë prej tyre ishin biznese në pronësi të huaj, kryesisht italiane. Në përgjithësi, fusha e veprimtarisë së tyre ishte në konsulencë financiare apo ligjore. Tatimet bënë kalimin automatik në statusin pasiv, pasi këto subjekte nuk kishin deklaruar aktivitet për të paktën 12 muaj radhazi. Kontabilistët hodhën dyshime se një pjesë e madhe e subjekteve të çelura në Shqipëri shërbenin për të justifikuar të ardhurat e gjeneruara në shtetin fqinj.

Ja skema e evazionit fiskal

Një pjesë e madhe e subjekteve të çelura në Shqipëri shërbejnë për të justifikuar të ardhurat e gjeneruara në shtetin fqinj. Duke qenë se norma e tatimfitimit në vendin fqinj është e lartë, ato rrisin shpenzimet artificialisht, duke u faturuar nga subjektet që kanë hapur në Shqipëri. Skemë tjetër e paraqitur nga ekspertë të fushës, të cilët kërkuan që të mbeten anonimë, është sigurimi i dokumenteve justifikues të rremë, si fatura hotelesh, bileta udhëtimesh etj. Një individ me pagë të lartë në Itali, vjen në Shqipëri dhe çel një NIPT si person fizik, dhe duke përfituar nga normat e ulëta, ai i faturon shërbime biznesit në Itali. Nga rezultatet e sondazhit, pjesë dërrmuese e këtyre subjekteve që kishin kaluar në pasiv ishin në fushën e konsulencës financiare, fiskale dhe juridike. Një nga skemat e zbardhura është dhe blerja e aktiveve, p.sh., automjeteve, të cilat individët italianë, pasi nuk arrijnë të justifikojnë këto blerje me të ardhurat në Itali, i deklarojnë të blera me të ardhurat e gjeneruara nga bizneset në Shqipëri. Një taktikë tjetër që janë duke ndjekur disa nga qendrat telefonike të cilat operojnë në Shqipëri është me anë të hapjes së një NIPT-i për individë të cilët janë të punësuar si persona fizikë (biznes i vogël) dhe të faturojnë kompanitë ku ata punojnë. Për kompaninë e madhe rriten artificialisht shpenzimet deri në 5 milionë lekë dhe me rritjen e shpenzimeve, ulet fitimi i tatueshëm. Kjo skemë e shmangies së taksave po përdoret gjerësisht edhe nga individët të cilët marrin pagesa të larta në Shqipëri, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore. Evazioni fiskal që kryhet në Republikën e Shqipërisë nuk është vepër penale në Republikën e Italisë. Nëse, një sipërmarrës italian thotë p.sh., se ka fituar 50 mijë euro në Shqipëri, teorikisht evazioni është kryer në Shqipëri pasi nuk ka lëshuar faturë, por kjo nuk është vepër penale në Itali, çka e bën të vështirë ndjekjen nga organet tatimore të të të dy vendeve të këtyre skemave. Verifikimi do të mund të bëhej përmes kryqëzimit të faturave në vend dhe çështja i kalon sistemit gjyqësor shqiptar.