Sigal

Zëri i Amerikës analizon rapotin e DASH: Në Shqipëri vështirë për të bërë biznes, problem korrupsioni,politika përdor legjislacionin për të dëbuar investitorët e huaj, çështja e pronësisë. Flasin për “Telegraf”: Zamira Çavo, Klajda Gjosha, Edmond Spaho, Arian Starova

Jakup B. GJOÇA

Një raport i Departamentit të Shtetit citon investitorët e huaj, sipas të cilëve Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes. Në pjesën për Shqipërinë, raporti i DASH për klimën e investimeve 2018 thotë se investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme me të cilat vazhdon të përballet Shqipëria.

Investitorët e huaj: klima e investimeve është problematike

“Zbatimi i reformës gjyqësore është duke u zhvilluar, duke përfshirë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuri të pashpjeguar, por investitorët e huaj e perceptojnë klimën e investimeve si problematike dhe thonë se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes,” thuhet në raport.

Legjislacioni përdoret si mjet për të larguar investitorët

Investitorët, – thotë raporti, – ankohen se zyrtarët përdorin rregulloret e vështira për t’u interpretuar ose legjislacionin jo konsistent si mjete për t’i larguar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën. Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit, – thuhet aty, – ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime të mirëfillta me komunitetin e biznesit.

Presioni: Nënkontratoni biznese të lidhura me politikën

Investitorët e mëdhenj të huaj njoftojnë për presione për të punësuar nënkontraktorë të lidhur me politikanët dhe shprehin shqetësimin se gjatë veprimtarisë së tyre në Shqipëri, Akti kundër Praktikave Korruptive me Jashtë nuk gjen zbatim, thuhet në raport.

Gazeta “Telegraf” organizoi forumin mbi raportin e DASH për Shqipërinë, duke ftuar mendimin dhe opinionin e Ishminsitres së Integrimit Klajda Gjosha, të nënkryetarit të PD-së Edmond Spaho, të iashzëvendësministrit të Jashtëm Arian Starova dhe të politologes Prof. Dr. Zamira Çavo, të cilët, në përgjithësi kanë mendimin se në Shqipëri nuk vijnë investitorët e huaj, pikërisht nga mënyra e dhënies së koncensioneve, sepse ato dhe tenderat që janë dhënë nga qeveria e Rilindjes nuk kanë transparencë, janë dhënë edhe pa kërkesë, janë dhënë bizneseve klienteliste të qeverisë, dhe se PPP po vjedhin dhe plaçkisin të ardhmen e brezave që vijnë.

Qeveria mban përgjegjësinë, që në 2018-n nuk ka investime të huaja në Shqipëri

Klajda Gjosha, ish ministrja e Integrimit, deputete e LSI-së

Raporti i DASH është e vërteta më e madhe dhe më e hidhur, kur bëhet fjalë për klimën e biznesit dhe investimet në Shqipëri. Biznesi ngrihet aty ku qëndron besimi mes qëndruesërisë së të ardhurave dhe funksionimit te shtetit. Këtu asnjëra prejt tyre nuk qëndron. Korrupsioni është tejet i lartë duke përfshirë edhe kupolën e shtetit. Drejtësia është në kolaps dhe çdo ditë kolapsi përfshin të gjitha nivelet e gjykatave. Ekonomia është e rrënuar dhe fuqia blerëse shumë e dobët. Për të mos folur për çështjen e pronës që është një pasiguri e madhe për çdo investitor. E vërteta është se askush nga ne nuk priste që në 2018 Shqipëria të mos kishte asnjë investim të huaj dhe për këtë qeveria është drejtë për drejtë përgjegjëse!

Edmond Spaho, nënkryetari i PD-së: Abuzimi i qeverisë me PPP, ku me propozime te pakërkuara jep me qindra milionë euro koncensione publike

Raporti i DASH tregon gjendjen e vërtetë të klimës së të bërit biznes dhe investimeve në Shqipëri. Ai tregon se sa larg janë realiteti virtual i Qeverisë dhe Ministrisë së Financave me atë që ndeshin veçanërisht investitorët e huaj, të cilët shprehen që është shumë e vështirë të bësh biznes në Shqipëri. Vështirësitë janë të panumurta dhe fillojnë me nivelin e lartë të korrupsionit, ku në çdo hap duhet të paguash. Shqipëria konsiderohet jo vetëm nga DASH, por edhe nga raporte të tjera ndërkombëtare si vendi me nivelin më të madh të korrupsionit, i cili efektin e drejtëpërdrejtë e jep në përkeqësimin e klimës së investimeve, pasi korrupsioni është në nivelet më të larta të qeverisjes.

Problemi i dytë është mungesa e plotë e transparencës në prokurimet publike. Që të marrësh një tender është e pamundur, pasi qeveria ja jep ato vetëm klientelës së saj, një numri të kufizuar kompanish, të cilët fitojnë me çmime ngjitur me kufirin limit.  Edhe në rastin kur fiton një kontratë qeveria të bën presion për të marrë nënkontraktorët e saj, të cilët janë të lidhur politikisht.  Paralelisht qeveria Rama po abuzon me PPP, ku me propozime te pakërkuara po jep me qindra milionë euro koncensione publike. Vetëm në tre rrugë së fundi janë dhënë 720 milionë euro investime miqve dhe klientelës së qeverisë. PPP në Shqipëri janë shembulli klasik i eleminimit të konkurencës dhe i largimit të investitorëve të huaj. 200 kontrata të tilla janë dhënë gjatë vitit 2017. Kjo praktikë po nxit abuzimet financiare, pasi projektet nuk kanë asnjë studim mbi përfitimet, që ka ekonomia shqiptare për koston e madhe që po paguan sot dhe në vitet e ardhshme. Raporti i DASH evidenton edhe një sërë problemesh të tjera, që ndeshin investitorët e huaj si ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit, interpretimi subjektiv i tij, moszbatimi i kontratave, çështjet e pronës, gjyqësori i njëanshëm dhe i korruptuar.  Nuk është vetëm raporti i DASH që diagnostikon gjendjen alarmante të ekonomisë shqiptare, gjykata europiane e auditit së fundi publikoi se 1/3 e kontratave të fondeve publike  në Shqipëri jepen pa garë. Këto raporte janë shumë shqetësuese, pasi tregojnë qorrsokakun, ku qeveria na ka drejtuar. Praktikat e mësipërme kanë bërë që në Shqipëri të mos ketë punë, pasi nuk ka investime të huaja, që njerëzit largohen masivisht në emigracion për të siguruar jetesën për vehte dhe fëmijet. I vetmi shpëtim nga kjo gjendje është rrëzimi i kësaj qeverie, e cila nuk punon për popullin, por për Ramën dhe klikën rreth tij.

Arian Starova, ish zëvendësministër i Jashtëm: Qeveria e Rilindjes ka shkelmuar parimet e ekonomisë së tregut të lirë

Fjalët e Raportit  të DASH mbi klimën e investimeve në Shqipëri janë shumë të rënda dhe domethënëse për politikën shqiptare. Ato duhen vështruar si këmbanë alarmi per shpëtimin e demokracisë shqiptare.  Ndërkohë, që zëdhënësit e Rilindjes flasin për reformë në drejtësi në 5 vjet kanë shkelmuar parimet e ekonomisë së tregut të lirë, duke krijuar monopole të klaneve pranë pushtetit te tyre, por edhe duke u treguar të gjithë shqiptarëve se të gjithë artikulimet e tyre për drejtësinë janë të rreme dhe demogogjike. Po vjen koha për të mos i lejuar më të shpërdorojnë pushtetin në emër të klaneve të vjetër të rilindur. Por këtë mund ta bëjë vetëm një opozitë e besueshme dhe e gjithëbashkuar, jo sipas trilleve të këtij, apo atij politikani të rëndësishëm të së djathtës.

Prof. Dr. Zamira Çavo: Politikat PPP dhe koncesionet janë vjedhja e të ardhmes së fëmijëve tanë

Nuk kishte pse të prisnim Raportin e DASH-it për të folur për dëmet e pallogaritshme që teoritë e koncenesioneve  dhe praktikat e tyre i kanë bërë Shqipërisë. Me dhjejtra herë profesionistë dhe gazetarë të ndershëm e kanë ngritur me forcë këtë problem. Koncensionet janë politikat më shkatërruese të ekonomisë së një vendi. Përvoja ndërkombëtare ka treguar se ku ka funksionuar kjo praktikë, vendi është gjendur si pas një zjarri që ka shkretuar gjithcka!  Asnjë koncesionar nuk mendon për vendin, por mendon për fitimet e tij maksimale duke e rrënuar objektin që ka marrë me koncension. Shikoni minierat dhe bindeni lehët!  Dhe raporti i DASH nuk është se vërtetë shfaq shetësimin për këtë dukuri, pasi nga andej kanë ardhur këto praktika dhe madje një pjesë e koncensioneve janë ushqyer prej politikave të saj. Duket se këto koncensione këtë rradhë nuk i kanë dhënë hapësira veprimi të dëshirueshme kompanive amerikane dhe kjo “përbën shqetësim”.  E keqja jonë ështe se ekonomistët tanë janë, ose nën kupolën e pushtetit, ose në varësi  për bukën e gojës dhe qëndrojnë indiferent. Për mua ka 28 vjet që koncesionaret  e kanë gërryer vendin dhe ne  e “bëjmë problem”, sepse ka folur DASH-i! Shqiptarët duhet ta dinë mirë se politikat PPP dhe koncesionet janë vjedhja e të ardhmes së fëmijëve tanë! Por pushteti, si dje dhe sot, na i shet si progres ekonomik.