Biografia dhe aktiviteti politik i dy kandidatëve, Basha dhe Olldashi

3269
Sigal

Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi, dy kandidatët për Kryetarin e ri të PD-së

 Në garën për kreun e ri të PD-së janë 2 kandidatë, të brezit të ri/ Luzim Basha, i cili është Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe Sokol Olldashi, i cili është edhe ministri i Transporteve. Gara sapo ka filluar, dhe Basha ka shpallur edhe motivin e tij në këtë konkurrim për Kryetarin e ri të PD-së. Qëllimi i Lulzim Bashës është : “Bashkimi i së Djathtës”. Ndërsa kandidati Sokol Olldashi në takimin e parë elektoral, për kandidimin për Kryetarin e PD-së, u shpreh se fajin për humbjen e thellë të 23 Qershorit e ka kryesia e PD-së, dhe se bashkëqeverisja me LSI-në kishte kosto shumë të madhe për vetë PD-në.

CV e kandidatit për kreun e Partisë Demokratike, Sokol Olldashi

Kombësia – Shqiptare

Ditëlindja – 17.12. 1972

Statusi civil – I martuar me dy fëmijë

Edukimi: 2004 Kolegji i Mbrojtjes, pranë Komandës së Doktrinave

(Politikat e Sigurimit Kombëtar)

Shtator 1987 – Qershor 1991 Shkolla e Mesme e Përgjithshme, “Naim Frashëri”,

Durrës

Tetor 1991 – Qershor 1995 Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. (Diplomuar

jurist)

Veprimtaria profesionale

Nëntor 1999 – Qershor 2001 Kryeredaktor në televizionin ATN1

Tetor 1995 – Nëntor 1999 Zëvendëskryeredaktor për politikën në gazetën “Albania”

Tetor 1994 – Janar 1996 Reporter pranë Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH)

Veprimtaria politike

Anëtar i Partisë Demokratike, dega Durrës, që në dhjetor 1990

Anëtar i mbledhjes themeluese të FRPD-së

Maj 2002 – Shtator 2007, Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD)

Maj 2005 – Maj 2009 Kryetar i Partisë Demokratike të Tiranës

Anëtar i Kryesisë së PD-së që nga viti 2002

Qershor 2001 –  dhe në vijimësi , Deputet i Kuvendit të Shqipërisë

2005 – 2007 Ministër i Brendshëm

2007 – në vazhdim Ministër i Punëve Publike dhe Transportit

Gjuhët e huaja – Anglisht, Italisht

Sokol Olldashi: “Konkurrimi për Kryetarin e PD-së, garë vlerash, jo rivalitet”

 Sokol Olldashi, kandidat për postin e Kryetarit të PD-së  nisi takimet intensive me bazën e demokratëve. Në një komunikim të drejtpërdrejtë me strukturat e PD-së në  Fier, Sokol Olldashi deklaroi se, PD-ja duhet të rindezë motorët partiakë për një opozitë të forte. “Unë jam i bindur që shumica e shqiptarëve nuk do të pranojnë që proceset zgjedhore të jenë pazare si ky që pamë këtë radhë. Nuk do të pranojnë që ky vend të qeveriset, bazuar mbi teorinë e kriminalitetit politik të Edi Ramës dhe teorinë e korrupsionit të pa kufi të Ilir Metës”,- tha Olldashi. Sokol Olldashi në bashkëbisedimin me strukturat e PD-së në Fier, u ndal edhe në analizën post zgjedhore, duke ritheksuar rëndësinë e rivitalizimin të strukturave politike në bazë.  “Unë do të eci me konceptin që e vetmja shtëpi opozitare, i vetmi vend opozitar, e vetmja opozitë është PD-ja. Dhe në këtë godinë, në këtë shtëpi që është PD-ja duhet të mblidhen të gjithë ata që janë të gatshëm të bëjnë opozitë”. Olldashi foli edhe për garën brenda PD-së, duke theksuar  se, është një garë vlerash dhe jo rivaliteti.

CV e kandidatit për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha

 Lindur në Tiranë më 12 qershor 1974, Lulzim Basha mbaroi me rezultate të shkëlqyera shkollën 8-vjeçare “Skënder Çaçi”, si dhe shkollën e mesme “Sami Frashëri” në Tiranë.

Lulzim Basha u angazhua që në dhjetorin e 1990 bashkë me të rinj të tjerë gjimnazistë të Tiranës përkrah studentëve dhe PD-në të sapothemeluar. Pjesëmarrës aktiv në protestat para dhe pas zgjedhjeve të Marsit 1991, gjatë zgjedhjeve të 1992 ai ishte vëzhgues i PD-së në KQZ.

Në vitin 1993 Basha nisi studimet në Universitetin e Utrechtit në Holandë, ku u diplomua në të Drejtën Europiane dhe Ndërkombëtare Publike.

Në vitin 1999 Lulzim Basha u bë pjesë e skuadrës që  përgatiti akt-akuzën për krime lufte ndaj Sllobodan Millosheviçit në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish- Jugosllavi. Ai më pas shërbeu në Misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ku ndihmoi në krijimin e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë.

Në korrik 2005, Lulzim Basha u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë si një nga përfaqësuesit e qytetit të Tiranës. Fitores së një prej zonave të vështira elektorale për Partinë Demokratike në Tiranë i parapriu angazhimi i Bashës si Koordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave, Zëdhënës i Fushatës 2005 dhe pjesëmarrja e tij në dhjetëra debate televizive përballë përfaqësuesve të maxhorancës socialiste.

Në qeverinë e re të Kryeministrit Berisha, Bashës iu besua fillimisht detyra e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.

Në maj 2007 Basha u zgjodh ministër i Jashtëm i Shqipërisë.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, Lulzim Basha kryesoi fushatën elektorale në Qarkun e Elbasanit.

Në qeverinë e re Bashës iu besua portofoli i ministrit të Brendshëm.

Në vitin 2011, Lulzim Basha kandidoi kundër ish- kreut të PS-së Edi Rama. Fitorja e Bashës riktheu Partinë Demokratike në pushtet në Bashkinë e Tiranës pas 11 vitesh.

Në qershor 2012 Basha u zgjodh Kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.

Lulzim Basha: “Sërish Ramën do ta kaloj shumë shpejt në opozitë”

Lulzim Basha, kandidati për Kryetar i PD-së, pas takimit në Gjirokastër, fundjavën e ka ndarë me anëtarësinë e degëve të PD-së, së rretheve Delvinë dhe Sarandë. Mes një entuziazmi dhe duartrokitjeve, fjala e tij përshëndetëse dhe shpalosja e programit të punës si kandidat për kryetar i PD-së, z.Basha ka theksuar momentin emergjent të bashkimit të vlerave të anëtarëve të PD-së ,se vetëm duke unifikuar këto vlera do të mundim të vijmë në pushtet shumë shpejt dhe të kalojmë në opozitë pushtetin e votave të blera dhe të tjetërsuara, pavarësisht se rezultati është i pakontestuar. “Vij mes jush,jo për të thënë se jam më i mirë nga Sali Berisha,jo. Ai mbetet lider historik që për përkushtimin dhe energjitë e ka zili edhe rajoni e vende të tjera. Anëtari i partisë do të dëgjohet dhe do të jetë pjesë e vendimmarrjes. Një riorganizim dhe forcim i bazës, grumbullimi i potencialit dhe energjive,do të thotë të vijmë në pushtet shumë shpejt. E them këtë se vij pas një suksesi në karrierën time politike. Një herë u përballa me Ramën dhe e kalova në opozitë dhe përballja e radhës do të thotë që ta kaloj përsëri në opozitë. Fitorja është afër dhe mos të merremi me analiza të kota e përçarëse. Çdo anëtar partie do të vlerësohet për kontributin e tij me dokumentacion dhe jo me llafe”, – tha midis të tjerave, kandidati për Kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. Më tej  Basha tha se, opozita jonë më e fortë do të jetë tek ruajtja e administratës publike, kësaj pasurie të paçmuar kombëtare. “Do të krijojmë nëpër degët e partisë në rrethe komisione me juristë për plotësimin e dosjeve të çdo punonjësi të larguar nga administrata, sepse jemi para një urie të lukunisë shkatërruese të kësaj pasurie. Rama dhe administrata e tij e ardhshme tregoi se, është në opozitë me interesin publik, që me vendimin e Kryeministrit Berisha për mbajtjen e premtimit me ngritjen e pagave, ndërsa ne do të jemi në pozitë me interesat publike. Agrom Mema, Sarandë