Bilanci i katastrofës treditore, mijëra qytetarë në mëshirë të fatit

514
Banesa nën ujë, ura të shkatërruara, rrugë të pakalueshme, bagëti të ngordhura, biznese të shkatërruara, mijëra ha tokë nën ujë, bilanc tragjik për qindra qytetarë
Kanale kulluese të pa pastruar, argjinatura të dëmtuara. Kështu e gjeti edhe ky dimër pjesën më të madhe të zonave të cilat sa herë që bie shi, janë të destinuara të jenë nën pushtetin e ujit. Janë po të njëjtët banorë që gjenden në këtë situatë dhe kërkojnë ndihmën e shtetit. Në kushtet e emergjencës, të gjithë vrapojnë për të dhënë ndihmën me aq sa munden, por pas kësaj gjithçka kthehet në vend. Banorët e dëmtuar marrin atë pak dëmshpërblim dhe pas kësaj faze me frikë duhet të presin dimrin e radhës. Emergjencat Civile kanë dhënë informacion lidhur me situatën që ka kaluar vendi dhe për dëmet që janë shkaktuar si dhe personat që presin një ndihmë më të madhe. Mbi 3300 banesa nën ujë, 40 biznese, 10,200 hektarë tokë të përmbytura dhe afro 5,800 hektarë të tjerë me prani uji, kryesisht në Fier e Vlorë është bilanci i fundit i raportuar nga Komiteti i Emergjencave Civile. Qarqet më të prekura janë Fieri dhe Vlora. Numri i shkollave të dëmtuara është 56. Ndërkohë, 28 ura në të gjithë vendin kanë dalë tërësisht jashtë funksionit. Për t’i bërë ballë kësaj situate në terren janë 6400 forca të ushtrisë, emergjencave civile dhe të tjera, si dhe janë përfshirë dhe rreth 1089 mjete. Këto forca kanë evakuuar 596 familje dhe kanë shpëtuar 1,552 persona. Ndërkohë, ka filluar edhe mbështetja me ndihma ndërkombëtare, për të cilat po diskutohet me Ministrinë e Mbrojtjes për të ndërtuar në nivel qendror një pikë logjistike pranimi dhe shpërndarjeje. Deri më sot ndihmat shpërndahen në nivel lokal, duke u menaxhuar nga vetë bashkitë. Situata është e stabilizuar në porte dhe në Aeroportin e Rinasit dhe rrugët nacionale janë të kalueshme, kurse në hidrocentralet e Kaskadës së Drinit niveli i prurjeve ka rënë krahasuar me një ditë më parë. Fierza, hidrocentrali më i madh i vendit ka kapur nivelin mbi 274 m, ndërsa në hidrocentralin e Komanit kuota është mbi 172 m. Vau i Dejës gjendet në kuotën e mbi 75. Aktualisht nuk ka shkarkime nga asnjë prej hidrocentraleve.

Gjendja sipas rretheve
Mbi 200 familje vijojnë të jenë nën ujë në fshatin Fitore të Vlorës, i cili u përmbyt tërësisht nga reshjet e dendura të shiut. Edhe në Novoselë situata vijon të jetë e rënduar. Prurjet e lumit Vjosë këtë vit kanë qenë si kurrë më parë. Edhe pse niveli i Vjosës ka rënë, do të duhen ditë që jeta e këtyre familjeve, shtëpitë e të cilëve janë akoma nën ujë, të kthehet në normalitet. Edhe atëherë, me frikën se kur do të ndodhë përmbytja e radhës.

Gjirokastër
Në qarkun e Gjirokastrës të gjitha akset nacionale janë të kalueshme. Vështirësitë janë prezent në lidhjen e disa fshatrave në Dropull me rrugën kryesore pas dëmtimit apo shembjes së të paktën 5 urave. Forca të ushtrisë janë duke riparuar dëmet për të rivendosur qarkullimin. Edhe pse ndërmarrja e shërbimeve ka nisur të pastrojë inertet nga përrenjtë malorë, dëmet në rrugë e kanalizime pritet të vlerësohen javën e ardhshme.

Lushnjë
Në rrethin e Lushnjës ka disa qindra ha tokë nën ujë, në fushën e Tërbufit. Fermerët ankohen se thellësia e ujit është rritur në krahasim me një ditë më parë dhe se e kanë të pamundur të ndërhyjnë. Sipas fermerëve, nëse kjo situatë zgjat edhe në ditët në vijim, të gjithë të mbjellat në tokat e tyre do të kalben.

Elbasan
Reshjet e shiut në Elbasan kanë shkaktuar rrëshqitje të dherave, të cilat kanë izoluar fshatrat Tunje, Lenie dhe Gribë në Gramsh, ndërsa në Librazhd mbeten ende të bllokuara fshatrat Librazhd Katund, Lunik e Zdranjsh, ku mjetet e bashkive janë angazhuar për hapjen e rrugëve rurale.

Lezhë
Lezha ishte këtë herë jashtë hartës së përmbytjeve. Hidrovoret janë në punë me kapacitet mesatar dhe nuk janë regjistruar probleme të furnizimit me energji elektrike.
Prefekti i Qarkut bën me dije se nga nesër mësimi do të nisë normalisht.

Shkodër
Këtë herë fati ka qenë më Shkodrën. E përmbytur disa herë vitet e kaluara, këto ditë situata në Shkodër u paraqit e qetë. Lumenjtë rrjedhin normalisht, pa rrezikuar të dalin nga shtrati.
Sigal