Bilal Kola: Populli të braktisë partitë e vjetra, qeverisja e Edi Ramës e dështuar

683
Alma Çuka
Kryetari i Partisë Aleanca Pupullore për Drejtësi, Bilal Kola akuzon politikën e vjetër se që nga 1990 nuk ka respektuar kategorinë e të përndjekurve. Ai ka besim se kjo shtresë do përfaqësohet në parlamentin e ardhshëm
Është partia më e re në spektrin politik shqiptar. APD, mbron interesat e shtresës së të përndjekurve politikë, ndërsa në këto zgjedhje pretendon që përmes mesazheve të drejtpërdrejta të arrijë tek zgjedhësit e saj me qëllim përfaqësimin në Parlamentin e ardhshëm. Bilal Kola, kryetari i kësaj partie shprehet në një intervistë për “Telegraf” se PAD ka një elektorat natyral dhe rreth 40% e tij jetojnë në Shqipëri. Kjo shtresë sipas tij ndihet e papërfaqësuar, ndërsa ka bindjen se partitë e vjetra nuk kanë bërë asgjë për të qenë pranë tyre. Pas një studimi në Perëndim ku nisi më pas dhe karrierën, Kola flet tashmë për rikthimin dhe jetën politike në vendin e tij. Thotë se e mori këtë hap me qëllim që pas 27 viteve, të përndjekurit të kenë zërin e tyre në Parlament. I kujton qeveritarëve se që nga ardhja e demokracisë, kanë lëvruar vetëm 1/3 e shumës totale të dëmshpërblimit për të përndjekurit. Ndërkohë që u bënë thirrje elektoratit të tij të votojnë forcën që do i përfaqësojë në të ardhmen dhe do ngrejë zërin për problemet e tyre të mos e çojnë votën dëm. Lidhur me koalicionet thotë se me të majtët asnjëherë nuk do të pranonte të bashkohej në një koalicion. “Ne jemi parti e djathtë dhe me të majtët nuk do të bëjmë asnjëherë koalicion”, shprehet Bilal Kola. Qeverisjen e Edi Ramës në katër vite e konsideron të dështuar.
Zoti Kola, Aleanca Popullore për Drejtësi është një nga partitë më të reja të spektrit politik shqiptar. Ju garoni të vetëm në këto zgjedhje duke përfaqësuar një nga shtresat më të përvuajtura të vendit. Si e shihni këtë garë?
Fakti që jemi parti e re, pa asnjë mëkat në lidhje me politikën pa bereqet dhe plotë konfliktualitet e këtyre 27 viteve, është një lajm i mirë për elektoratin tonë pasi njerëzit tanë, deri më sot të papërfaqsuar, kanë shansin t’i japin votën Aleancës Popullore për Drejtësi (APD) duke mundësuar zgjidhjen e problemeve me anë të përfaqsimit të tyre në organin më të lartë të vendimmarrjes, Parlamentin e vendit. Kjo është gara jonë e parë dhe pavarësisht faktit se APD ka si elektorat natyral rreth 40% te elektoratit që jeton në Shqipëri (të përndjekurit dhe pronarët legjitimë) si dhe asprion të shtrojë për zgjidhje çështje të pa-adresuara në lidhje me diasporën, bojkoti që na kanë bërë mediat kryesore është i pashembullt, pasi dy parti të krijuara rishtazi (sidomos ajo me profil të majtë) kanë marrë mbulim mediatik disa qindra herë më shumë se APD. Ne nuk kemi lekë, media, vende pune në shtet, tendera, shkëmbim interesash për t’i ofruar zgjedhësve në këmbim të votës, por ajo që ne kemi është e drejta natyrale, morale, kushtetuese dhe ligjore për të përfaqësuar interesat dhe kauzat e papërfaqësuara të komuniteteve që përfaqsojmë. 
Ku ndodhet Partia Juaj në këto zgjedhje?
Aleanca Popullore për Drejtësi garon në 12 qarqet e vendit me kandidatë të spikatur që vijnë nga shtresat sociale që ne përfaqsojmë dhe shpresojmë të marrim votëbesimin e elektoratit tonë në një klimë tejet të pafavorshme zgjedhore ku të gjitha partitë e vjetra janë në pushtet. Ne jemi qartësisht me profil ideologjik të Djathtë dhe jemi në opzitë me të majtën!
Mendoni që kategoria pjesë e së cilës ju jeni, ka qenë e përfaqësuar para se të krijohej kjo parti?
Sipas një Raporti të fundit të KLSH-së përgjatë 26 viteve është disbursuar vetëm 1/3 e shumës totale të dëmshpërblimit për ish-përdjekurit politikë. Përgjatë këtyre viteve është bërë pak ose aspak në lidhje me rehabilitimin moral tonin (krahasuar me eksperiencat e vendeve të tjera të ish-bllokut komunist). Pronarëve legjitimë përgjatë këtyre 27 viteve nuk i është kthyer prona dhe as janë kompensuar. Diaspora nuk lejohet të votojë, aq më pak i është dhënë mundësia të kthehet në një faktor zhvillimi ekonomik dhe vendimmarrësi politik për fatet e vendit. Nisur nga këto fakte të padiskutueshme natyrisht që përgjigja e patjersueshme e pyetjes tuaj është – Jo, këto shtresa sociale nuk janë përfaqsuar, pasi nëse do ishin kompensuar, situata e tyre do ishte krejt ndryshe!
Ju jeni bërë pjesë e politikës dhe keni garuar për herë të arë në vitin 2005 nën siglën e LZHK. Pse një shkëputje kaq e gjatë dhe një rikthim pikërisht në këto zgjedhje?
Unë jam kthyer nga perëndimi ku isha duke ushtruar profesionin tim, kur pranova ftesën për të kandiduar nën siglën e Lëzivjes për Zvillim Kombëtar Leka Zogu I-rë! Një koalicion subjektesh të djathta në përputhje me bindjet e mia politike. Megjithesë unë kam pasur mundësi të jetoj dhe ushtroj profesionin tim në përëndim, unë gjithmonë kam aspiruar të jap kontributin tim në zhvilllimin e vendit tim dhe jam shumë i vetëdijshëm për zgjedhjen e vështirë që kam bërë, por ka qenë një zgjedhje me zemer, jo me logjikë. Arsyeja e rikthimit në politikë pas kaq vitesh është se, nuk e kam gjetur veten në politikën e mbrapshtë dhe konfliktuale që përfaqsojnë partitë e vjetra. 
Cili është objektivi primar i kësaj partie?
Përfaqësimi në Kuvend i shtresave që ne përfaqësojmë, nga ku fillon adresimi i çështjeve të pazgjidhura të elektoratit tonë!
Jemi në kulmin e fushatës. Si e sheh Bilal Kola?
E shtrova edhe më lart, kjo është një fushatë krejt e pazakontë ku të gjitha partitë e vjetra janë në pushtet! Shpresoj që elektorati ynë ta lexojë mirë dhe të reflektojë drejt, duke i dhënë votën në mënyrë plebeshitare Nr. 17 – Aleancës Popullore për Drejtësi!
Mes liderëve të partive të mëdha është duke u zhvilluar një fushatë arrogante me fyerje, akuza dhe kundërakuza. Keni një koment?
Asgjë e pazakontë – partitë e vjetra janë tejet të “afta” të prodhojnë konfliktualitet! Ata që gjithmonë kanë humbur nerva, stabilitet politik, mundësi zhvillimi ekonomik dhe paqe sociale kanë qenë dhe mbeten shqiptarët e ndershëm që janë bërë mish për top i kësaj politike të mbrapshtë. Aleanca Popullore për Drejtësi ,dëshiron të sjellë një standard tjetër larg fyerjeve, sharjeve, arrogancës së pushtetarëve, ku në qëndër të vemendjes të jenë interesat e popullit, mirë-shkollimi i studentëve, punësimi i profesionistëve, prosperimi i sipërmarrjeve, rritja reale e pagave dhe pensioneve dhe mirëqenia e shqiptarëve. 
Pas marrëveshjes së 17 majit mes Ramës e Bashës janë hedhur shumë alternativa lidhur me koalicionet paszgjedhore. Ju keni të tillë?
Aleanca Popullore për Drejtësi është subjekt i djathtë dhe për këtë arsye përjashtojmë koalicion me të majtën! Nuk e di nëse Rama dhe Basha kanë në plan të vazhdojnë bashkëqeverisjen aktuale edhe pas zgjedhjeve të 25 Qershorit.
Çfarë do të thoshte Bilal Kola për tre liderët që janë në garën kryesore dhe pretendojnë për të dalë forcë e parë, Rama, Basha dhe Meta?
Megjithëse kjo është thuajse e pamundur, nisur nga realiteti politik ku fati i zgjedhjeve vendoset nga leku, media, vendet e punës në shtet, tenderat, shkëmbime interesash, do kisha dëshirë që populli të ndëshkonte me votë politikën e vjetër konfliktuale dhe liderët e saj!
Si e konsideroni qeverisjen e Ramës në katër vite?
Tejet negative sa i përket çështjeve të ekonomisë dhe politikave fiskale. 
Një nga përfaqësuesit e ish të përndjekurve politikë, Besim Ndregjoni, deklaroi se e gjithë kjo shtresë e cila nuk është pak, por 300 deri në 350 mijë do të votojnë për Partinë Demokratike. Vota e anëtarëve të partisë suaj për kë do të shkojë në këto zgjedhje?
Për të qenë 100% të saktë, zotëria në fjalë flet për të përndjekurit dhe unë sinqerisht e përgëzoj për këtë pasi të folurën e bën shumë mirë, por ama ai vetë nuk ka qenë as në burg as në internim qoftë edhe për një ditë të vetme! Mirë do ishte që të mos bëhej diversion me këtë çështje aq më tepër kur ai vetë e ka pohuar publikisht në çdo rast kur ka pasur mikrofonin në dorë që partitë e vjetra kanë dështuar me “sukses” në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me të përndjekurit. Krejt miqësisht do t’i sugjeroja gjithkujt që flet për çështje të përdjekurve, pronës dhe diasporës të mbështesin fuqimisht Aleancën Popullore për Drejtësi, pasi ky subjekt jo vetëm që nuk ka asnjë mëkat në politikë, por ka shpallur një program të qartë dhe efikas për trajtimin e këtyre çështjeve! Ne i bëjmë thirrje elektoratit tonë natyral të bashkohet në shtëpinë tonë të përbashkët duke votuar kandidatët e Aleancës Popullore për Drejtësi me qëllim përfaqësimin e interesave dhe kauzave të tyre të papërfaqsuara. 
Partitë e vogla nuk janë të përfaqësuara me anëtarë të komisioneve të numërimit të votave, kush do e mbrojë votën e APD-së?
Ne do kemi vëzhgues në çdo qendër dhe sigurojmë elektoratin tonë që do t’i mbrojmë votat me çdo çmim! Kemi pasur një takim me përaqsues të OSBE-ODIHR-it ku na siguruan për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe mos-prekjen e votës së APD-së. Askush mos ta mendojë të prekë qoftë edhe një votë të vetme të Aleancës Popullore për Drejtësi! Kush ngatërron fisnikërinë tonë me dobësi do bëjë një gabim fatal!
Mendoni se do të jeni të përfaqësuar në legjislaturën e ardhshme në Parlament?
Shtresat sociale që ne synojmë të përfaqësojmë janë të vetëdijshme që interesat dhe kauzat e tyre janë të papërfaqsuara, ne jemi të bindur që jemi në të drejtën tonë për t’i përfaqësuar këto interesa dhe kauza të papërfaqsuara. Nisur nga këto dy fakte – jemi të sigurtë që do përfaqësohemi në Kuvend.
Sigal